INTERVISTA/ Mit’hat Fagu, nga regjisor i Kinostudios, në traktorist i dalluar
I shkolluar në ish-Bashkimin Sovjetik, regjisori Mithat Fagu realizoi me Kinostudion “Shqipëria e Re” filmin “Prita”. Mandej një dokumentar i realizuar po atë vit, “Në shtigjet e revolucionit tekniko-shkencor” do ta dënonte atë, duke e larguar nga filmi për ta dërguar në kooperativën e Kamzës.
Nga Fatmira Nikolli/ GSH
DocuTIFF, u ka kushtuar një zë të veçantë në festival “zërave të heshtur” që u dënuan në komunizëm, “Retrospec- TIFF”. Krahas këtij programi, një vend i veçantë i është dhënë prezantimit të filmave të regjisorit Mithat Fagu.
Programi “Të vizatosh në heshtje” shfaq pesë filma të tij, “Orët e Gentit” (1986), “Të mëdha dhe të vogla” (1987), “Të vizatosh me një zog” (1988) dhe “Kush qesh i fundit” (1992) si dhe “Lulëkuqja”, një film i pashfaqur ndonjëherë për publikun e gjerë. Fagu ka realizuar më herët edhe filmat “Tregim për naftëtarët” (1965), “Mali na thërret” (1966), “Ata çanë malin” (1970), “Higjienë, higjienë” (1971), “Dhuruesit e Jetës” (1971) etj. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” ai tregon se pse u dënua për filmin dokumentar “Në shtigjet e revolucionit tekniko-shkencor”- dokumentar që i kushtohej revolucionit tekniko-shkencor, të ndërtuar me intervistimet dhe ballafaqimin e mendimeve midis specialistëve dhe kuadrove shtetërorë. Ky film shkaktoi reagime pasi kritikonte burokracinë, u konsiderua i rrezikshëm e pas shumë debateve u ndalua, ndërsa autori u dënua duke u larguar nga Kinostudioja. Nga viti 1973 ai punoi në Kamëz, deri në vitin 1985, kohë kur u kthye në Kinostudio duke u lënë të punojë me filmin vizatimor.
-Ju shfaqni disa filma dokumentarë në DocuTIFF, filma që janë realizuar para viteve 1990. Si është ky rikthim për ju?
Unë falënderoj stafin e DocuTIFF dhe Agron Domin që pas 26 vitesh demokraci u kujtuan që një autor është akoma gjallë, më ftuan dhe më bënë nder e më ftuan edhe në juri. Risjell disa filma dhe pas 46 vitesh një film që nuk ka pasur premierë.
-Bëhet fjalë për filmin “Lulëkuqja”. Pse nuk pati premierë?
Sepse ishte diktaturë dhe ajo kohë nuk e pranonte pronësinë private, dhe ai është një film që është prodhuar në shtëpi, nga pasioni që unë kisha për filmin. Sakrifikova dhe e bëra atë film. Bëra këtë për të thënë se mund të prodhonim filma për fëmijë. Tema është ajo shitorike, ecuria e kombit tonë, e thjeshtë. Ai shfaqet për herë të parë para publikut. Për herë të parë disa miqtë e mi e kanë parë në shtëpinë time në muajin shtator të vitit 1973. Atë vit unë u dënova, pas dy muajsh.
-Çfarë e bëri filmin tuaj “Në shtigjet e revolucionit tekniko-shkencor” të dënueshëm?
Ai u pa si një vepër armiqësore karshi partisë dhe popullit. Mua më përjashtuan nga Kinostudioja si armik dhe më çuan në Kamëz. Dokumentari u bë sebep, edhe pse ishte argument i fortë. Aty u paraqit vërtet një gjë e madhe dhe e rëndë. Unë atëherë nuk mund të ngrihesha kundër partisë direkt, por u ngrita nga një element, burokracia, e cila ishte pengesë serioze e zhvillimit tonë. Mbase ishte edhe një nga arsyet që çoi në rënien e regjimit. Administrata kishte burokraci të madhe, e sot në fakt ka më shumë, por sot s’gjen asnjë derë të hysh, ndërsa atëherë edhe mund ta gjeje.
-U dërguat në Kamëz pas heqjes nga “Kinostudio” dhe u bëtë traktorist. Si ishte gjendja psikologjike ato kohë?
Qe shumë e rëndë, sepse isha hequr nga filmi dhe nuk ndihesha mirë. Por fati të hedh e fati të pret. E kam ndjerë veten mirë që isha traktorist, se merrja traktorin dhe shkoja larg njerëzve. Reflektoja mbi ngjarjet dhe ‘bisedoja’ me traktorin. Kërkova punë në disa kooperativa, por sapo mësonin ngjarjen, më refuzonin. Edhe në Kamëz fillova punë me njohje, sepse njihesha si njeri punëtor. Mua m’u dha traktori që i kishte sjellë Hrushovi peshqesh Shqipërisë. Kam pasur rastin të punoja me një traktor të mirë. Në fillim më trembte, sepse i shihja traktoristët që u prisheshin traktorët, por u mësova. Punova së pari si ndihmës, pastaj dhashë kursin dhe u bëra traktorist.
-Cili ka qenë filmi më i mirë i juaji, që ju ka kënaqur?
Nuk mund t’i dalloj, se janë si fëmijët. Unë nuk lejoja që të më hiqnin asnjë skenë nga filmat. Kam qenë i përkushtuar ndaj tyre.
-Cili është raporti që keni ju sot me filmat tuaj, jeni krenarë, do kishit bërë ndonjë gjë ndryshe?
Do kisha bërë shumë gjëra ndryshe dhe shumë më tepër. Nuk e di se çfarë kishin me mua, por më bënin pengesa. Në këto 25 vite pseudodemokraci nuk më dha askush mundësi të zhvilloj aftësitë e mia.
-As te filmi juaj i fundit, ai i vitit 1991?
Atë film unë e bëra duke qenë i bindur dhe duke shpresuar se erdhi demokracia, dhe ai u censurua.
-Pse u censurua?
Në fillim filmi titullohej “Erdhi demokracia!”, ndërsa në fund të filmit thosha: “A erdhi demokracia?”, pra unë pyesja. Unë e çoj në TVSH për ta shfaqur, dhe pasi u shfaq dy ditë dhe kur duhej ta shihte paria, u kuptua që nuk do shfaqej më. Dhe e mora kasetën mbrapsht. Pas kësaj, mora gruan dhe fëmijët e ika në Gjermani. Parashikimi im doli i vërtetë, kjo është pseudodemokraci.
-Një film tjetër, tashmë pas “edukimit pranë masave”, është filmi “Orët e Gentit”. Patët probleme?
Ishte një film që e bëra pasi u ktheva nga Kamza në “Kinostudio” i riedukuar. Mua nuk më caktuan as te filmi artistik, as te ai dokumentar. Ishim në vitin 1985 dhe ende kishte probleme, më shihnin si të rrezikshëm sepse kisha folur për demokracinë me një film para 17 vitesh, ndaj më lanë te filmi vizatimor, sepse aty menduan se nuk do kisha probleme. Filmi “Orët e Gentit” të mëson të ecësh me program, të dish, të punosh me planifikim për të bërë përpara.
-Ndërkaq, keni filmin “Tregim për naftëtarët”. Si e mbani mend?
Ai film është vërtet një tregim me naftëtarët. Tek ai kisha problem me organizimin. Më është dashur shpesh të bëj edhe skenarët e filmave të mi, sepse më jepnin skenarët më të dobët. Ndaj unë kam bërë skenarët, regjinë dhe ndonjëherë edhe operatorin, e ndërkaq jam paguar shumë pak. Jeta ime ka qenë e mundimshme, të tjerët kanë qenë më mirë. Te filmi për naftëtarët jam paguar me 2.500 lekë, ndërsa regjisorët paguheshin nga 6.500 deri në 9.000 lekë. Dhe ky është paradoks.
-Sa kohë keni mbajtur ditarë?
Kam mbajtur nga viti 1961, kur u ktheva nga studimet në Ish-Bashkimin Sovjetik, deri në vitin 1973. Pas dënimit, ka faqe të bardha. Mora goditje të forta. Shënimet e mia të fundit janë për filmin që u dënova, kam vënë diskutimet dhe debatet. Kisha shënuar në ditar që filmi do të ishte i tmerrshëm, dhe në fakt ashtu doli, ishte i tmerrshëm. Kam shënuar diskutimin e skenarit të filmit dhe ka momentin e tretë, që është diskutimi nga sekretarët e byrove. Atëherë unë përgatitesha të shkoja për specializim në Rumani, por shkova në fermë.