“Të pashtrënguara të qëndrojnë me të njëjtin mashkull, por të detyruara të shkojnë me shumë të tillë”
Fatmira Nikolli*
Ato, qenë femrat që argëtonin bejlerët e Tiranës: ‘koketat’ e dëshirueshme, gjithnjë të pëlqyeshme, prehja e pasanikëve. I tërhiqnin lehtësisht drejt mëkatit, i ftonin në çaste të hareshme, i nënshtroheshin fuqisë së tyre e i nënshtronin me përkëdhelitë e veta. Ato, qenë ‘mantenutat’ me damka turpi që ditën përgojoheshin sokakëve e natën iu gëzoheshin kënaqësive erotike. Ato, femrat e mjera e të pangushëllueshme, e thyenin zotnillëkun e djemve dhe burrave që iu jepeshin për ndonjë çerek frange ari, porse thyenin njëherësh krenarinë e tyre, trupin e nëpërkëmbur nëpër krevate meshkujsh erëraki. Femra të bukura, të ëmbla, të trishta, të vuajtura, thellësisht të përulura, mjerisht të varfra, ngërthyer prej fatit në një udhëkryq mëshire, mbijetese, dhune e herë-herë harrese. Të pashtrënguara të qëndrojnë me të njëjtin mashkull, por të detyruara të shkojnë me shumë të tillë.
Fatos Baxhaku e Klodiana Kapo sjellin histori të strukura në arkiva e rrëfime të harruara jetësh njerëzore, në një botim titulluar “Gra të përgjithshme. Histori prostitucioni shqiptar në kohën e Zogut”, shtëpia botuese “DITURIA”. Kur gërmimet në arkiva zunë të habisnin gjithnjë e më shumë dy autorët, u mor vesh qartazi se prostitucioni në Shqipëri jo vetëm që pat ekzistuar, por madje që dokumentuar në mënyra të ndryshme (e shekuj të ndryshëm), sidomos në qytetet kryesore, diku pranë familjeve të mëdha. Libri, përmbledh ligje dhe rregullore, raporte policësh, spiunësh gjithfarësh, ankesa kryepleqsh, kallëzime të anonimëve përgjimtarë e ziliqarë, histori çengish të lodhura, fate grash të huaja që zhduken po aq befas sa kanë ardhur, zullume të dehurish, që ngatërronin portën e shtëpisë publike…
Autorët na sqarojnë prej fillimit, se një nga telashet e librit ka qenë gjuha e përdorur në korrespondencën zyrtare të kohës dhe terminologjia shumë e larmishme, dhe shënojnë se “Kurvë, grua e përgjithshme, prostitutë, çengie, grua qejfi, grua e përdalë, bordello, kuplara, prostitucion, burdelizëm, shtëpi e përgjithshme, shtëpi publike, drejtori, pronari, i zoti i shtëpisë publike, burdeltari, të gjithë këta terma ndeshen paralelisht thuajse në të njëjtën periudhë”.
Gjithë historitë e këtij libri (që po t’jua vënë re në duar nursëzët, mund t’ju shohin shtrembër), përfshijnë më së shumti histori të viteve 1922-1939, ‘epoka zogiane’, kohë kur Ahmeti ishte ministër të Brendshëm, kryeministër e në fund mbret.
“Rregullorja e kurvënies”
Në 1938-ën, Bashkia e Tiranës kishte të regjistruara 5 bordello, 71 gra publike, nga të cilat, 5 greke, 2 jugosllave, 2 franceze dhe 62 shqiptare. Në një dokument të kohës, sipas Fatos Baxhakut, thuhet se: “Janë zanë tue ba kodoshllëk e tue majt ndër shtëpia gra me qëllim prostitucioni, 13 persona…”. Kjo e dhënë vjen shumë vite pasi prostitucioni në ‘Shqipninë mretnore’ qe ligjëruar, me miratimin e “Rregullores së kurvënies”. Kjo, pat ndodhur në vitin 1922, kur Ahmet Zogolli, sapo ishte ulur në karrigen e ministrit të Brendshëm në qeverinë Xhafer Ypi.
Nëse shqiptarët e kohës i quanin ato femra “gra të përgjithshme”, “të përdaluna”, “gra botore”, Ahmet Zogu i ‘thirri’ thjesht kurva. Qeveria e kohës, duke marrë shkas prej nismës së matjanit, miratoi një rregullore me 26 nenesh, që u njoh si “Rregullore mbi rregullimin e kurvënis”, siç shkruan Baxhaku, përkthim i një rregulloreje që ishte në fuqi në Sarajevë gjatë pushtimit austro-hungarez.
Baxhaku shkruan se në të përcaktohej se kush i jep lejet për ushtrimin e profesionit, se si dhe ku duhet të jenë shtëpitë publike, detyrimin për t’u vizituar dy herë në javë nga mjeku i bashkisë, detyrat dhe detyrimet e “drejtorit të shtëpisë publike”, ndërsa thekson se “kurvat” duhej t’i jepnin bashkisë taksën mujore prej 2 frangash ari (pagesa bëhej tek Policia Bashkiake), por për të shmangur korrupsionin, prostitutat nuk lejoheshin të paguanin vetë mjekun.
Letra të trishta
Fatos Baxhaku e Klodiana Kapo, autorët e librit “Gra të përgjithshme. Histori prostitucioni shqiptar në kohën e Zogut”, kanë sjellë në të edhe copëza prej letrave të këtyre grave të trishta.
“Ato të tria, Caja e Vakut, Fizja e Mimit të Vogël dhe Fahrija e Sefës duhet të kenë shkuar bashkë tek avokati atë mëngjes marsi të vitit 1922. Të tria çengi me famë ‘n’Tironë’, të tria nga lagjja Tabakë, të tria me nga një hall të ndryshëm, por të ngjashëm. Disa ditë më parë policët kishin trokitur derë më derë, duke ia dreqosur gjumin e thellë të mëngjesit, që atyre u pëlqente aq shumë. ‘Duhet të shkoni në bashki që të regjistroheni, pastaj dy herë në javë te doktori për vizitë dhe do paguani taksën, përndryshe ju presin këto’, kishte lëmuar lehtë një polic mustaqelli një palë pranga të rënda. Kërkesat që kanë mbërritur nga tri çengitë deri në Ministrinë e Brendshme mbajnë një datë, 8 mars 1922, vetëm dy muaj pas miratimit të “Rregullores së kurvënies”.
Caja, që ende mbahej mirë shyqyr Zotit, kërkonte vetëm të regjistrohej si gjithë të tjerat e të mos kishte telashe më mbrapa. Fizja kërkonte pikërisht të kundërtën, që të çregjistrohej… Hallin më të madh e kishte Fahrija. Kjo e kishte vajzën në burg. E kishin ndaluar me akuzën se ushtronte prostitucion të paligjshëm. Në lutjen e saj, Fahrija e shkretë betohet se që prej asaj dite vajza, që në lagje njihej si Nazja e Fahries, nuk do të bënte më zullume, por do bënte si do bënte e do gjente punë diku si shërbyese. Pastaj, si do ta festonte ajo Bajramin pa Nazen e saj si shpirt?!” – shkëpusim nga libri.
Kur mosha i vinte përfund, e ditët ngryseshin pa pritur zotnij, duhej më së pari, të hiqej emri nga lista e çengijeve, për të shmangur tashmë vizitat mjekësore e taksat. Përzgjedhim nga libri letrën e përulur që Dilja e Xexes nga lagjja Xhamia e Sherifit në Tiranë i shkruan prefekturës – sigurisht me dorën e dikujt tjetër – më 24 të gushtit 1926: “Zotni! E nënshkrumja jam një plakë e vjetër, ma parë kam qenë në grupin e çengijevet, po masi u vjetrushë e deri në kohën kur qe ushtrija Austro-Ungareze këtu, kam hjekë dorë prej atyne punve qi shkaktojnë vizitë. Una deri më at kohë ndodhem në shtëpinë aty puq me dajën t’em, merrem me punë vetiake, e nuk jam prej grave të përgjithëshme. Prandej ju lutem Z.juej të keni mirësinë të urdhënoni si të bahen ndjekjet e duhuna të çrregjistrohem nga lista e grave të përgjithëshme e qi mos të merrem në vizitë”. Ndonjëra qëllonte ta linte jetën e prostitutës e gjente gjysmën e munguar. “Kështu i ndodhi Angjelina K. nga Sarajeva, e cila u martua me këpucarin Emin L. nga Tirana”.
Prostitutat e luftës
Baxhaku e Kapo, nuk kanë lënë jashtë vëmendjes ushtrimin e prostitucionit gjatë luftës. Siç del nga rrëfimet e mbetura deri më sot, më 1941, bashkë me ushtarët italianë që udhëtonin nga Gjirokastra për në Vlorë kishte edhe disa prostituta. Një prej ushtarëve quhej Gian Carlo Fusco. Kur më vonë u bë gazetar i njohur, e ka përshkruar kështu udhëtimin e paharruar të prostitutave italiane përmes gërxheve të Kurveleshit: Në Delvinë dhe Jergucat kamionët mblidhnin edhe vajzat e bordellove të ushtrisë. Duke u lëkundur mbi këpucët e tyre ortopedike, ato ishin të zbehta, të frikësuara, pa tualet, të mbështjella me gëzofë maceje me qimet përpjetë.
Vetëm njëra prej tyre, Sonja, e bija e një kovaçi fashist e të alkoolizuar nga Friuli, ndaloi bashkë me trupat përballë Tepelenës, në një shtëpi përdhese të pabanuar, për të qetësuar, sikurse thoshte ajo, “me përkëdhelitë e saj”, ata djem të shkretë. Të tjerat e mbajtën frymën vetëm kur mbërritën në Vlorë. Duke kaluar nga një autokolonë në tjetrën, në një mishmash të përgjithshëm, ato udhëtuan për pesë ditë me radhë.
Në ndalesat në postblloqe ato, njësoj si ushtarët, hanin konserva duke çukitur copa mishi me limën e thonjve apo me piskatore. Duke pritur për ndonjë makinë, qëndronin për orë të tëra të mbledhura kruspull mbi valixhet e tyre të mëdha prej fibre, duke folur me zë të ulët për shtëpitë dhe të zotërit. Karabinierët në postblloqe i trajtonin me respekt të vrazhdë…” E siç shkruajnë Baxhaku e Kapo, më 1944, erdhi komunizmi dhe morali i tij, që synonte krijimin e një race tjetër njerëzore, atë të “njeriut të ri socialist”, vendosi që njeriu i ri të shkonte vetëm me gruan e tij…. (Shkrimi është botuar në GSH në vitin 2014. E sjellim në vëmendje në Ditën e Gruas)