Fotonovela e Falma Fshazit, Tirana e vogël dhe e parrokshme


Kryeqyteti shqiptar, ndoshta pak si shteti shqiptar, është aq herë i nisur për t’u bërë sa i lënë përgjysmë, aq herë i ribërë sa dhe i zhbërë, e pastaj i ndërhyrë deri në palcë nga të gjithë e kushdo, sa vështirë të gjendet romancier ta bëjë lexuesin të përjetojë të sotmen e tij pa më të voglin imazh nga ky vend kaq i vogël, kaq i parrokshëm”.

Nga Fatmira Nikolli

Nisur prej këtyre radhëve, Falma Fshazi sheh përmes syve të Ejas, Tiranën e përtej saj Shqipërinë, siç do ta shihte një i riardhur për herë të parë: krejt të ‘zhveshur’- me vijat e së bukurës e dëshmitë e së keqes.

 

Ndërthurja e traditës me modernes, kaosi i krijuar a kaosi mendor, proceset vetëndërtuese(a vetëshkatërruese) vijnë në një formë në dukje naive- për të dhënë një përmbajtje ku asgjë nuk i lihet rastit në një fotonovelë ku si imazhi si teksti kanë rol të qenësishëm plotësues e jo përjashtues ndaj njëra-tjetrës. Eja i vë sytë e saj në funksion të dëshmisë të asaj çka jemi në botimin “How things meet”. Nisur nga një debat i hershëm (ironikisht) dhe i sotshëm i kullave të Tiranës, Fshazi, njëherësh drejtore e COD në Kryeministri, ka përdorur emrat e Viktor Hygosë, Orhan Pamukut, Curzio Malapartes për të përcjellë simbolika që nxitjen e parë e morën prej Milan Kunderës. Mandej shumëçka bëhet surreale, paçka konotacionit që Surreli ka në mesin e shqiptarëve.

Në një intervistë për “GSH”, drejtoresha e COD, nënvizon se “ky libër është shkruar për rreth një vit, veçanërisht netëve, apo ditëve të pushimit, si kjo intervistë shkruar ditën e Bajramit, e nuk ka të bëjë aspak me jetën time profesionale të momentit”.

-Falma, pse një fotonovelë- çfarë komunikon me këtë, që nuk e komunikon dot në një mënyrë tjetër?
Besoj se i ofron lexuesit një shkallë dhe natyrë tjetër kompleksiteti mendimi dhe refleksioni. Autorë të ndryshëm, shumë të mëdhenj, nga Hygoi te Pamuk, kanë krijuar përjetime të mrekullueshme qytetesh në tregime të gjata. Ndërsa mua më duket se, sado i mirënjohur apo i ri të jetë një autor, t’i sjellësh lexuesit Tiranën, pa asnjë pamje nga qyteti, është pothuajse e pamundur. Çfarë pamjeje sjell dhe si e lidh atë me tregimin, përbën një sfidë më vete. Por kryeqyteti shqiptar, ndoshta pak si shteti shqiptar, është aq herë i nisur për t’u bërë sa i lënë përgjysmë, aq herë i ribërë sa dhe i zhbërë, e pastaj i ndërhyrë deri në palcë nga të gjithë e kushdo, sa vështirë të gjendet romancier ta bëjë lexuesin të përjetojë të sotmen e tij pa më të voglin imazh nga ky vend kaq i vogël, kaq i parrokshëm.

-Gjithçka nis nga një godinë e debatuar. Këndet e fotove janë marrë aty, ose shumë syresh. Godina ka përfunduar, debatet për shndërrimin e Tiranës, në diçka mes modernes e tradicionales vazhdojnë…
Kur flitet për shndërrim mes modernes dhe tradicionales apo diçkaje tjetër, kam përshtypjen se theksi vihet tek arkitektura në këtë rast dhe ndërhyrjet në hapësirë. Arsyeja pse libri nis me godinën dhe zhytet në një të tërë referencash historike, shoqërore, politike e kulturore është për të shënjuar se “modernizmi” apo “tradicionalizmi” të cilit i referohemi është, mbi të gjitha, një çështje marrëdhëniesh shoqërore, komunitare, kodesh profesionale, forme dialogu, shkallë zhvillimi dijeje dhe një serie procesesh institucionale. Ndaj dhe është vënë në qendër të librit kjo godinë, pikërisht e debatuar siç e thoni dhe ju, për të treguar se një ndërtesë, një ndërhyrje hapësinore, mund të jetë, në fakt duhet të jetë shumëçka përtej tullës, llaçit, betonit, xhamit, pra diçka përtej formës, përtej fizikes. Pa këtë perspektivë, ndërhyrja arkitektonike e ajo hapësinore, s’është as më shumë e as më pak se një “bërje dhe zhbërje” e radhës, një shtresë tjetër makijazhi në një fytyrë pa shikim, pa identitet e pa të nesërme.

-“Është një qytet provokues, aq pasional sa nervozues. Sa banal, aq i jashtëzakonshëm. Mbi të gjitha jo i mërzitshëm, ndoshta i lodhshëm”, ke thënë për Tiranën. A është Eja vetë Falma në kthimin e saj nga Turqia dhe më pas në kthimet e herëpashershme nga Franca?
Më duket se është një lloj përfundimi, nga ç’kam dëgjuar prej shumë atyre që si unë janë sa të përhershëm aq edhe kalimtarë në Tiranë. Njerëz që jetojnë mes disa qyteteve, sepse do mërziteshin thjesht në një. Domethënë, ju keni të drejtë kur flisni për një konstatim kthimesh e rikthimesh, sepse është një vlerësim i dikujt që s’është i detyruar apo ka zgjedhur të jetë çdo ditë dhe gjatë gjithë kohës në Tiranë. Nuk e di sa do të qe dakord një tiranas i përhershëm me këtë konstatim, por ajo çfarë ky libër sjell është gërshetimi i eksperiencës së “vendasit” me atë të të “huajit”, duke tentuar të shohë prej pikës ku shkrihen e zhduken këta kufij dhe ky dualitet. Me atë historinë e “ndërtimit” e “shkatërrimit”, në vazhdimësi të vetvetes, besoj se Shqipëria ka vetinë e fshirjes së këtij kufiri, real apo të ndërtuar, dhe kjo është një vlerë e vendit, e secilit prej qyteteve të tij. Një vlerë, që ka të bëjë me shumëllojshmërinë e kozmopolitanizmin, prej të cilave nuk duhet të kemi frikë, por duhet t’i promovojmë. Mendoj se kjo është shumë më origjinale se shprehitë e sforcuara me “kombëtarizma”, “atdhetarizma”, “o sa mirë me qenë ashtu e kështu” e populizma të ngjashme, tipike të lëvizjeve ksenofobike, veçanërisht në një vend ku interesi kombëtar apo mbarëshoqëror nuk ka arritur asnjëherë të mbizotërojë mbi atë individual apo grupal.

-Përtej jush, pse Eja ka një ngërthim mes lindjes (nëna) dhe perëndimit (babai)?
Për të thënë që lindja edhe perëndimi mund të “martohen” e të jetojnë mrekullisht bashkë në një shtëpi e një krevat, dhe çfarë vjen pas kësaj nuk ka asnjë kuptim të ndahet në lindje apo perëndim. Për të thënë që dualiteti nuk është asgjë më shumë veçse një mohim i ndërlidhjeve që janë të përhershme dhe të pashkëputshme. Për të thënë se sa pak e rëndësishme është të përcaktosh lindje ose perëndim, si ndarje politike, kulturore, apo dhe filozofike, kur asnjëra nga këto nuk janë formësuar në kundërshtim, por në dialog me njëra-tjetrën. Përpjekja në këtë rast nuk është të mohosh realitete dhe elemente të përditshëm përkufizimesh, por të shohësh përtej klisheve, gjykimeve ose paragjykimeve, dhe të nënvizosh sa të brishta e të paqëndrueshme janë përkufizimet, sidomos në botën ku jetojmë.

-Ka shumë kaos në Tiranë. Edhe fotografitë e fotonovelës e tregojnë/ shfaqin atë: aty ku shiten perime, ngrihet drejt qiellit një mur me tulla. E ndjen?
Pa dyshim! Kjo që thua është një tablo tipike shqiptare. Si dhe ajo e fillimviteve ’90, ku djathi dhe mbathjet shiteshin në të njëjtin dyqan. Mendoj se gjeneza e kaosit është në politikë, në ndërlidhjen e shoqërisë sonë me shtetin dhe mënyrën se si funksionon shteti, jo tani, jo dje, gjithnjë. Ky kaos, siç i thotë një mikkaos i organizuar, ushqehet nga media dhe brishtësia fatale e shoqërisë civile dhe mendimit intelektual. Ajo çfarë më duket një lloj rrugëdaljeje në këtë pikë është një sinergji e atyre që kanë fuqi analitike dhe mund të krijojnë hapësira alternative komunikimi, mendimi, e si rrjedhojë edhe presioni. Por kjo është shumë e vështirë, në vendin ku të gjithëve u duket se çdo moment dikush po u merr punën, privilegjin, postin, apo dhe grupin e “shokëve e miqve”. Sinergjia krijohet aty ku ka mirëbesim, sinqeritet e pozitivitet. Këto tri të fundit nuk është se nuk gjenden në Shqipëri, po janë tmerrësisht të brishta përballë realitetit.

-Shumë data a ngjarje historike, përmenden nëpër shpjegimet e Ontit për Ejan. Nga Pallati i Brigadave, te ‘vendi i monarkëve’. A ngjajnë ashtu në sytë e të huajve, si të çuditshme?
Besoj se po. E pa dyshim që mbeten të çuditshme, për aq sa ne vetë i shpjegojmë pak, i njohim dhe më pak, apo shkel e shko, e nuk e kemi akoma të ndërtuar sistemin që lidh dijen dhe literaturën mbi to me sistemin që i shfrytëzon si vlera historike, kulturore e turistike, përveçse si hapësira “ballosh” me maska. E rrjedhimisht është e vështirë që një pjesë e madhe e trashëgimisë sonë, përfshi këtë pallat, të kalojë nga qenia e çuditshme, në atë të të qenit interesante, tërheqëse, e pikë referimi historie juglindore.

-Ju flisni shumë për kullat në Shqipëri, në Tiranë, ndërsa libri është shkruar para ose mbase gjatë debatit për stadiumin. Jeni ndikuar?
Me sa mbaj mend është shkruar para. Ndërkohë që keni përballë dikë që lexon analizat e pak emrave të zgjedhur të shtypit shqiptar, përfshirë atë kosovar, ju jeni një nga ato, dhe gati aspak çfarë ka përtej, e bindur se ka shumë llafe, pak të vërteta, pak angazhim të sinqertë, shumë llogari. Nuk kam kohë, sidomos për anti-dialogët e tmerrshëm të komunikimit politik dhe anti-analizat e atyre që merren me të, kështu që zgjedh fjalët e disave, duke pasur dhe keqardhje që ka disa pena shumë me sqimë që i mungojnë sot shtypit shqiptar, e disa zëra shumë të bukur kritikë që i mungojnë radios dhe televizionit. Ndaj, nuk jam ndikuar. Di që është një debat i kohëve të fundit. Personalisht do të kisha dashur të dëgjoja përballje në platforma profesionale me standarde. Por për këtë fatkeqësisht e kam humbur shpresën, megjithëse përpiqem në vijimësi që t’i sjell në institucionin që drejtoj me aq sa është e mundur. Nga ana tjetër, kam përmendur kullat, sepse kanë një vend shumë intrigues në kulturën politike dhe traditën a bashkëjetesën shqiptare. Kalimi nga kullat e bjeshkëve, në kullat neo-liberale, është dhe kjo një temë interesante. Ka dhe disa studime të studiuesve të rinj shqiptarë. Por kjo është një temë tjetër, kuptohet më shumë- më pak interes për median apo dhe një pjesë të lexuesve, se ndonjë thashethem apo anti-dialog politik.

-Ju shkruani diku se “arkitekti kishte thënë: “Është një ëndërr e realizuar në një vend i cili nuk e tregon aspak veten në momentin e parë. Duket sikur të shfaqet pas disa ardhjeve, por kuptimi të rrëshqet nga duart me një vetëdije të çuditshme, për të mos u dhënë. Veçse çdo herë, në çdo kthim, ndien fuqinë që të jep dhe ti, krejt papritur, sheh ëndrrën para syve.” A është kjo, ose diçka e ngjashme- frazë që ju është thënë nga një i huaj që ka ardhur shpesh?
Jeni shumë e saktë. Është një frazë, pak a shumë kështu, e shkruar në një artikull të një prej arkitektëve të kullës. Pikërisht dikush që ka ardhur shpesh, ka forcë analitike impresionuese dhe besoj se e njeh mirë Shqipërinë, si rrjedhojë e përpjekjes së bukur të njohë vendin në të cilin i ka qëlluar të punojë. E kam përdorur me lejen e tij dhe vlerësimin se nuk është vendi, as konteksti që kërkon ndonjë referencë të artikullit në fjalë.

-“Duhet të dukesh i fortë, kur je/ i dobët dhe i dobët, kur je i fortë.” E ke pasur parasysh këtë gjatë punës në COD?
Unë nuk e bëj dot këtë. Nuk mundem dhe kam admirim për ata që duken, thjesht siç janë, e në përgjithësi normalë. Po shoh këto kohë një serial “Trapped”. Ngjarjet zhvillohen në Islandë. E ndjek me shumë dëshirë, jo veç për fabulën e bukur dhe peizazhet fantastike, por dhe për thjeshtësinë që shfaqin njerëzit, mënyrën e jetesës në komunitet dhe refuzimin ndaj ekzagjerimit dhe karizmatikes. Nuk ka heronj, ka njerëz të thjeshtë që bëjnë detyrën me një ndjeshmëri të admirueshme ndaj së vërtetës. Por, siç ju konstatoni me të drejtë, në Shqipëri nuk funksionon kështu; gjithandej ka nevojë të “bësh filma apo numra” do të thoshin shkodranët. Jo pikërisht te puna në COD me një të paaftë për “numra e filma” si puna ime, por në përgjithësi më duket se kjo aksiomë lufte, sepse e thotë babai i Luigjit XIV, fatkeqësisht vlen në vendin tonë.

-Tarini, Unelda, Onti, Lesli, Reola; pse kjo zgjedhje emrash jo të zakonshëm si personazhe të fotonovelës?
Lexuesit e parë, dy emra shumë të përzgjedhur të mendimit bashkëkohor shqiptar, më kanë bërë të njëjtën pyetje. Madje në njërin rast, me kritikë. E nuk ka gjë më të bukur se kritika profesionale. Po jap të njëjtën përgjigje që dhashë në ato raste. Është me qëllim. Dihet që çdo emër ndërthur në vete një shprehi “kombësie” në mos jo “lokaliteti”, ose një përkatësi fetare, etnike, apo dhe kulturore, shpesh është dhe shprehi e bindjes apo përkrahjes politike apo një entuziazmi historik. Në fund të fundit, çdo emër vjen me një histori, një fabul, përveç asaj të bartësit të tij. Ajo çka emrat si këto të librit synojnë është distanca me këtë histori, jo sepse kjo është diçka negative, por sepse Eja është një metaforë dhe gjithë përballjet e këtij personazhi janë metaforike. Pa dyshim, që vijnë në forma humane, por kanë të bëjnë me brendësinë që transformohet në vazhdimësi të njerëzores, më shumë se me çdo formë të saj. Shumica e emrave janë frymëzuar nga libri i Kunderës, “Testaments Betrayed”, ndërsa disa janë pjesë foljore në gjuhë të ndryshme, të veprimeve që kanë të bëjnë me takimin, kontaktin e ndërsjellshmërinë. Në “Testaments Betrayed” edhe Kundera flet për tradita përtej kufijve me një vetëdije mbresëlënëse të kufijve dhe historive. Është një libër që më ka ndikuar thellësisht, e pa të cilin Eja, nuk do të ekzistonte. Ashtu siç libri në vetvete nuk do të ekzistonte pa gjithë serinë e librave, artikujve, bisedave bërë për Tiranën dhe mënyrën se si individi përjeton një qytet.

-Pse përmenden Surreli dhe Vila Malaparte, çfarë është? Duke pasur parasysh se me se e lidhim Surrelin, ne banorët e Tiranës(dhe mbase edhe ju, si shtëpinë e kryeministrit) dhe në fakt çfarë është në këtë rast Malaparte, përtej Curzios?
Unë e kam shumë qejf emrin “Surrel” sepse e lidh me surrealen. Sa herë që i kthehej editores së anglishtes, Katie, një grua që nuk ka ardhur kurrë në Shqipëri, teksti, ajo korrigjonte Surrelin, e bënte surreal. Ishte pikërisht çfarë do doja dhe unë të ndodhte në mendjen e çdo lexuesi. Kjo lojë tingujsh më bëri të përdor Surrelin, në vend të një “periferie” tjetër të Tiranës. Ndërsa bluaja në mendjen surrealen, qe një intervistë me arkitektët ku u përmendën disa vende për arkitekturën e tyre, e ndër to mua më ngeli në mend Capri, se ishte i vetmi ndër to që kisha parë dhe vetë. Kur thuhet Capri’n, mund të shkojnë në mend shumë gjëra, por nuk besoj se mund të anashkalohet i famshmi Curzio Malaparte- autor, gazetar, diplomat, dramaturg i fillim shekullit të 20-të dhe vila e tij. Gjithë këto elemente të lidhur rastësisht m’u dukën tërësia e duhur për një diskutim mbi qendrën dhe periferinë, privaten dhe publiken, personalen dhe politiken më në sfond, diçka që ka të bëjë shumë me Shqipërinë dhe surrealizmin në të cilën mbetet e zhytur. E kuptoj çfarë më thoni ju, e nuk është se nuk më ka shkuar ndërmend, por tregimi është ose shpresoj të jetë shumë përtej kësaj, sepse shtëpia private e dikujt, kushdo qoftë nuk përbën as më të voglin interes për mua. E meqë jemi te personalja, do doja të theksoj se ky libër është shkruar për rreth një vit veçanërisht netëve, apo ditëve të pushimit, si kjo intervistë shkruar ditën e Bajramit, e nuk ka të bëjë aspak me jetën time profesionale të momentit. Ka lidhje me atë që kam bërë më përpara, e mirë ose keq gjithnjë ka dhjetë vite tashmë që e bëj, shkrimin, analizën sociale e kulturore dha pasionin për to.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *