Duke lexuar intervistën e dhënë një ditë më parë në gazetën tuaj, pashë goxha përdredhje, ndërkohë që tani po del se edhe herë të tjera ky zotëri shfrytëzon mediume të qarqeve vorioepiriotase për të treguar ëndrrat e radhës. Sidomos kur trajtesa apo deklarata të tilla vijnë të diskutuara nga lobe me afishim dukshëm si pretendues territoresh”. Kështu shprehet në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” dhënë gazetares Fatmira Nikolli, specialisti i trashëgimisë kulturore shpirtërore, Sejmen Gjokoli, njëherësh drejtor i Qendrës Kulturore “Aulona”, drejtor i Folk Grup “Bilbili” dhe drejtor i “Aulona Inter Folk Festival”. Njohës i mirë i këngës polifonike, Gjokoli, thekson se deklaratat e Barkës se polifonia nuk është shqiptare por epirote, nuk e rrezikojnë mbrojtjen nga UNESCO. “Kjo, pasi shteti shqiptar ia ka dalë që të argumentojë përmes dokumenteve shkencore të dosjes së aplikimit në UNESCO qysh në vitin 2004, ekzistencën dhe vazhdimësinë e kësaj trashëgimie unikale mijëravjeçare në trojet tona. Falë vendimit të UNESCO-s, sot e gjithë bota e njeh iso-polifoninë popullore shqiptare”, shton Gjokoli. Më poshtë intervista dhënë dje për “Gazeta Shqiptare”.
– Si i keni lexuar deklaratat e z.Panajot Barka për polifoninë?
Si ajo fabula e dhelprës që nuk kapte dot rrushtë dhe për këtë arsye (që e dinte vetëm ajo), u tha të tjerëve se janë të papjekur.
Tamam si një rrufe në qiell të pastër. Ndonëse duke lexuar intervistën e dhënë një ditë më parë në gazetën tuaj pashë goxha përdredhje, ndërkohë që tani po del se edhe herë të tjera ky zotëri shfrytëzon mediume të qarqeve vorioepiriotase për të treguar ëndrrat e radhës.
Sidomos kur trajtesa apo deklarata të tilla vijnë të diskutuara nga lobe me afishim dukshëm si pretendues territoresh.
Afishimi në këtë krah i një mësimdhënësi në një nga institucionet e rëndësishme të arsimit shqiptar dhe që paguhet po nga shteti shqiptar, patjetër që të lë shije të hidhur. Ca më tepër që fqinjëve tanë, ndonëse në qarqe jozyrtare, asnjëherë dhe për asnjë kohë nuk u kanë munguar provokatorët dhe nxitësit e urrejtjes. Po nëse vërtet zoti Barka është i investuar për ta vlerësuar apo certifikuar mënyrën e të kënduarit të asaj ane edhe si avokat i tyre, le të përgatisë dosjen e të paraqitet në UNESCO, pa u përpjekur të hedhë baltë e të krijojë insinuata për kryeveprën tonë.
– Cila është diferenca mes iso-polifonisë dhe polifonisë?
Dihet nga të gjithë se me termin ‘Polifoni’ nënkuptojmë shumë zëra. Është një nga emërtimet e deritanishme për këndimin popullor në grup, e cila më së shumti ndodh në Shqipërinë e Jugut. Në dijeninë time, madje nisur nga argumente që kanë shoqëruar dosjen përkatëse gjatë diskutimit në UNESCO, ‘Polifoni’ me ‘Iso’ ose Iso-Polifoni shpreh më mirë specifikën shqiptare të këndimit të shumëzërëshit popullor, pra marrëdhënien mes zërave solistikë polifonikë (marrës, kthyes, hedhës, iso në grup).
Për këtë natyrë marrëdhëniesh, Ismail Kadare shkruan se: “….në këngën polifonike popullore shkrirja, komunikimi, derdhja e individit në kolektive dhe anasjelltas, vërshimi i kolektivit tek individi, arrijnë pikën më të lartë”.
Megjithatë, personalisht kam menduar se emërtimi “Iso-Polifoni”, që është certifikuar nga UNESCO duke e listuar si kryevepër të trashëgimisë shpirtërore të Njerëzimit nuk luan asnjë grimë nga kënga jonë vënçe, e cila kështu është kënduar edhe pa ekzistuar fare UNESCO apo institucione të ndryshme kulturore. Sidomos kur dimë se këtë vlerësim e ka marrë jo vetëm kënga popullore e kënduar në Labëri, por edhe zona të tjera përreth e përtej saj.
– A është ajo këngë shqiptare, apo e rajonit të Epirit?
Mendoj se institucionet tona të shtetit, në radhë të parë ato shkencore e kulturore e kanë argumentuar dhe promovuar ekzistencën e kësaj vlere tek ne. Kush tjetër që mendon se e ka këtë vlerë, thjesht duhet ta provojë atë aty ku duhet. Nuk kemi asnjë xhelozi apo pakënaqësi për këtë. Në fund të fundit popujt në gjitoni kanë dhënë e kanë marrë nga njëri-tjetri, veç gjithmonë duke ruajtur identitetin e secilit.
Pa asnjë diskutim kënga polifonike shqiptare është krejt e veçantë dhe si asnjë mënyrë tjetër të kënduari në grup, e shumë zëra.
Ajo nuk ngjason as me këngën polifonike të Korsikës, të Bullgarisë, të Gjeorgjisë etj., të cilat kanë aplikuar me dosjet e tyre në UNESCO, siç dallon shumë edhe nga ato zona ku pretendon e përgjërohet zoti Barka.
– A rrezikojnë këto deklarata mbrojtjen e saj nga UNESCO?
Këto deklarata nuk e rrezikojnë mbrojtjen nga UNESCO, kjo pasi shteti shqiptar ia ka dalë që të argumentojë përmes dokumenteve shkencore të dosjes së aplikimit në UNESCO qysh në vitin 2004, ekzistencën dhe vazhdimësinë e kësaj trashëgimie unikale mijëravjeçare në trojet tona. Falë vendimit të UNESCO-s, sot e gjithë bota e njeh iso-polifoninë popullore shqiptare.
Ky debat i hapur tregon edhe një herë të mirën e madhe që i kanë bërë kombit ata që punuan e kontribuuan për përgatitjen e dokumentacionit dhe argumenteve që këngën tonë juglindore e përzgjodhën si kryevepër shpirtërore botërore. UNESCO është një nga institucionet prestigjioze dhe me integritet të kulturës botërore dhe di t’i dallojë mirë xhelozitë dhe pretendimet, sidomos kur këto pretendime kanë qasje e fryjnë me erëra shovene.
– Çfarë sipas jush e bën këtë këngë të jetë shqiptare, me ç’argumente është mbrojtur?
Është një pyetje për të cilën mund të flasësh shumë. Me shembuj dhe argumente që shtrihen nëpër shekuj dhe më duket kuturisje e madhe të vihet në diskutim nëse është apo jo këngë shqiptare.
Ne i kemi edhe sot të gjallë bardet e këngës, ata që nga brezat na përcjellin këngët e gjyshërve e të stërgjyshërve, rrënjëve tona.
Por le të themi se baza është formula e këndimit iso-polifonik, pra individë dhe kor i isos si dhe gjuha shqipe. Kjo traditë është parafetare dhe për këtë arsye, ajo buron nga vetë rrënjët e origjinës sonë.