Këshilli Organizativ i Ekspozitës Ndërkombëtare të Arteve Pamore “Onufri” i përbërë nga Andi Tepelena, Thomas Logoreci, Oltsen Gripshi, Esmeralda Dalipi dhe Bujana Demiraj, pasi mori në shqyrtim 2 (dy) aplikimet për kurimin e ekspozitës: “Periferia nuk është vetëm – Periphery isn’t alone” nga kuratori Klod Dedja dhe “Stranger Than Kindness” nga kuratori Fani Zguro; pas një diskutimi të gjatë dhe të thelluar mbi të dy konceptet kuratoriale, në përfundim:
V E N D O S I:
Të zgjedhë kuratorin Fani Zguro me konceptin kuratorial “Stranger Than Kindness”, si Kuratorin e Ekspozitës Ndërkombëtare të Arteve Pamore “Onufri XXII” me motivacionin: Koncepti kuratorial fitues “Stranger Than Kindness” i kuratorit Fani Zguro përzgjedh një temë të mprehtë dhe i shërben skenës artistike shqiptare, pasi vë në qendër të diskutimit ekzistencën e artit bashkëkohor, duke trajtuar dualizmin e tij mes ekzistencës dhe sajesës. Ai tejkalon sipërfaqësoren duke depërtuar në thelbin e mendimit të artit bashkëkohor, duke e vendosur këtë të fundit në qendër të diskutimeve, reflektimeve dhe duke mundësuar përcjelljen e mesazheve universale që arti bashkëkohor i ka në ADN-në e tij. Koncepti kuratorial “Stranger Than Kindness” është gjithëpërfshirës në aspektin filozofik, por edhe në atë ekzistencial: ekzistencial për artin bashkëkohor dhe për vetë artistin, i cili trupëzohet me krijimet e tij, duke braktisur ndrojtjen dhe duke flakur tutje paragjykimet.
Duke marrë në konsideratë fushëpamjen ndërkombëtare të projektit, por edhe largpamësinë e kuratorit, Këshilli Organizativ gjykon se ky projekt është një ndalesë shumë e rëndësishme për Ekspozitën Ndërkombëtare të Arteve Pamore “Onufri” dhe për edicionin e XXII-të në veçanti.