Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro i është rikthyer edhe njehere premtimit për zonën e Labovës. Ajo shkruan se qeveria do të ndërtojë rrugën deri në fshat për banorët dhe për turistët që prej vitesh duan të vizitojnë Kishën e famshme të Labovës së Kryqit, një nga perlat e Trashegimisë kulturore kombëtare.
“U premtuam se thesari për të cilin labovitët janë kujdesur prej shekujsh do të restaurohet gjithashtu për ta kthyer në një pikë të pashmangshme për vizitorët e jugut të Shqipërisë”, shkruan Kumbaro në faqen e saj në rrjetin social “Facebook”.
Sipas Kumbaros, projekti nga Instituti i Monumenteve të Kulturës është gati dhe financimi i qeverisë shqiptare gjithashtu. Pas pak javësh fillon puna për rrugën dhe për kishën.
Kisha e Labovës së Kryqit është një prej monumenteve më interesante në Shqipëri që i kushtohet Shën Marisë. Atje shkohet duke ndjekur rrugën që të çon në Libohovë, nisur nga një degëzim drejt lindjes i autostradës në jug të Gjirokastrës.
I gjithë udhëtimi zgjat rreth 40 minuta. Kisha e Labovës së Kryqit është një nga më të vjetrat në Shqipëri dhe dikur përmbante një relike të shenjtë që besohej se ishte pjesë e kryqit të vërtetë të Krishtit.
Ndërtesa është tipike bizantine me një kupolë të lartë qendrore, me navën dhe aislet e ndërtuara në mënyrë që të krijojnë figurën e kryqit.
Hyrja kryesore në kishë është përmes një narteksi të mëvonshëm. Ka të paktën 9 nivele të dallueshme afreskesh të pikturuara në sipërfaqen e mureve të brendshme.
Kisha, siç shihet sot, është kryesisht ndërtim i shekullit të 13-të dhe kohës së Despotatit të Epirit, megjithëse një themel fillestar mund të shkojë thellë në kohën e Perandorit Justinian në vitet 527-565.
Kryqi i Labovës së Kryqit
Deri në fundin e viteve 1980 në kishë gjendej i fshehur mirë nga besimtarët një kryq tërësisht i florinjtë, brenda veshjes së artë të të cilit, thuhej se ndodhej një copë dru nga kryqi në të cilin u kryqëzua Jezu Krishti në Jeruzalem. Për shekuj me radhë kryqi mbahej në një vend të fshehtë brenda mureve, i parashikuar qysh nga projektuesi dhe ndërtuar me shumë mjeshtëri e fantazi, brenda një kamareje të veshur me dru dhe disa radhëve me libra të shenjtë.
I kaluar brez pas brezi për shumë shekuj, kryqi që i dha emrin fshatit dhe i nderuar për shekuj me radhë nga banorët, me rënien e regjimit komunist u vodh dhe asnjëherë nuk u gjet, pavarësisht kërkimeve private nga banorët apo apeleve të shumta për rikthimin e tij në kishën e Shën Mërisë në fshatin Labovë e Kryqit.
Megjithëse për këtë ngjarje u gjykuan dhe u dënuan tre persona asnjëherë nuk u mor vesh se ku përfundoi ai. “Dihet që fshati quhet Labovë e Kryqit dhe kjo kishë ka mbartuar për shekuj një kryq, i cili fatkeqësisht nuk është më, ka humbur pa lënë gjurmë”, pohon Katina.
Vendasit thonë se gjatë sistemit komunist kur ritet dhe institucionet fetare u dunuan dhe u mohuan zyrtarisht, Kryqi i Labovës mbahej i fshehur nga vetë banorët, ndonëse ai ishte edhe i inventarizuar nga Dega e Monumenteve të Kulturës, si objekt i rrallë muzeal. Vendasit thonë gjithashtu se pas goditjes së madhe të vitit 1967, labovitët përdorën në vend të emërtimit të lashtë “Labova e Kryqit”, emërtimin e ndryshuar “Labova e Libohovës”.
Kjo gjë kishte tërhequr vëmendjen edhe ish-udhëheqësit komunist Enver Hoxha, i cili gjatë një takimi, ku disa fshatarë nga Labova e Kryqit, ishin vetëprezantuar si banorë të Labovës së Libohovës, për të mos u ngatërruar me fshatin Labova e Zhapës, ish-udhëheqësi kishte reaguar duke këmbëngulur se fshati i tyre historikisht është quajtur Labova e Kryqit, dhe jo Labova e Libohovës.
Gjithashtu, banorët pohojnë se gjatë viteve të komunizmit ka pasur përpjekje që Kryqi i Labovës të arkivohej në Arkivin e Shtetit dhe më pas kur u hap Muzeu Historik Kombëtar të vendosej në eksponatet e tij, por vetë banorët e Labovës së Kryqit nuk e pranuan.