Blendi Fevziu reagon për skulpturat e stadiumit: Qeveria ka bërë krim, kjo është babëzia e injorantëve

Blendi Fevziu ka kërkuar ndjekje penale për Edi Ramën, pasi sipas tij, kryeministri ka shkelur ligjin me prishjen e fasadës së stadiumit.

Në një shkrim të botuar sot në “Opinion.al”, Fevziu thotë se edhe nëse qeveria e ka hequr nga lista e monumenteve të mbrojtur, ajo sërish ka bërë një krim:

“E para shembja e fasadës është sheklje flagrante e ligjit, sepse ajo ishte e mbrojtur prej tij. Nëse qeveria e ka hequr nga mbrojtja sërish ajo ka krye një krim sepse kjo nuk mund të bëhet me një vendim arbitrar. Shkelja e ligjit duhet të ndiqet nga prokuroria dhe ajo duhet të japë vendimin e saj.

E dyta, shembja është në shkëlje flagrante të një premtimi publik të Kryeministrit që Fasada do të ruhej. Në fillim u tha brenda hollit të xhamtë e më pas jashtë. Deklarata i qetësoi disi kundërshtarët e projektit, por sic duket paska qenë as më shumë dhe as më pak, e pavërtetë. Kryeministri premtoi sërish që fasada do të rindërtohet, por pamjet dhe kjo foto që është më sipër dëshmon se basorelievët janë thyer; që heqja e gurëve po bëhet në mënyrën më barbare të mundshme dhe që shkallët dekorative, që janë në harmoni të plotë më shkallët e Universitetit dhe të Akademisë së Arteve nuk janë më.

Fasada duhej të ruhej ashtu siç ishte, sepse rindërtimi i saj, nuk është më e njëjta gjë. Dhe jam shumë skeptik se mund të ndodhë realisht. Një pjesë e historisë së këtij qyteti u shndërua sot në rrënojë, nga babëzia e injorantëve sic i quante ish Ministri i Kulturës në vitin 2000.

Ndërsa premtimi për ta bërë fasadën sërish sic ishte, madje më të bukur, sic shkruante dje një komentator, të kujton atë frazën e famshme të gjeneralit serb që shembi urën e famshme të Mostarit me artileri dhe që Rama e citonte në vitin 2010: “mos u mërzisni dhe mos shqetësohet bota, do ta bëjmë edhe më të bukur, do ta bëjmë edhe më të vjetër.” shkruan Fevziu në shkrimin e tij me titullin “Babëzia e injorantëve”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *