Sezoni i ri artistik në Teatrin Kombëtar të Operas e Baletit do të jetë i larmishëm. Opera e parë me të cilën nis viti është ajo e Giuseppe Verdit, “Rigoletto” që ngjitet në skenë në datat 21, 23, 24 dhe 25 Janar 2016, ku artistët interpretojnë me regjinë e Nikolin Gurakuqit dhe dirigjimin e Juan Manuel Busto.
Më pas, vjen opera tjetër për këtë sezon do të jetë “I Capuleti e i Monteçhi” nga Bellini. Historia e dashurisë e Romeo dhe Xhulietës do të shfaqet në mars dhe do të ketë një kast të zgjedhur artistësh drejtuar nga regjisorja Ailyn Bozok. Ndërkaq, në balet në shkurt vjen në skenë “Arrëthyesi” i Tchaikovskyt, për tia lanë radhën më tej, baleteve të repertorit: “Ballo e Diplomës”, “La Sylphide”, baletet klasikë që mund të ndiqen nga të rritur dhe fëmijë, por nuk do të mungojnë edhe pjesët koreografike moderne dhe emrat e njohur.
Rikthehet Angelin Preljocaj me “La Stravaganza & Noces” si dhe Daniel Cardoso me “4 Pieces” dhe “Impact & Table”.
Këtë sezon trupa e baletit do të jetë në një turne 1 javor në Serbi me “La Stravaganza & Noces”. Në fushën koncertore do të vazhdojë cikli, i cili ka si synim të ringrejë Orkestrën e Dhomës së TKOB, si dhe të sjellë për publikun muzikën e dhomës.
Cikli që u hap në dhjetor të 2015-ës, do të vazhdojë në janar dhe në prill duke iu përmbajtur konceptit të angazhimit të instrumentistëve të TKOB, solistëve por edhe këngëtarëve lirikë që kanë qënë pjesë e masterklasit të mbajtur në TKOB.
Nëntë koncertet e sivjetshme do të ngjisin në skenë interpretues të ndryshëm, instrumentistë dhe këngëtarë lirikë, shqiptarë dhe të huaj. Ansambli Popullor, nën drejtimin e Drejtorit të ri Artistik, Gerti Druga, vijnë me një koncept ndryshe nga ç’kemi parë deri tani, duke filluar nga data 18 shkurt. Pas masterklasit nga Ermonela Jaho, një tjetër do të zhvillohet nga Angelo Gabrielli.