NGA MOIKOM ZEQO
Në vend që të shkruante një roman ciklik, ose një epos modern të parodizuar, Migjeni, ndoshta jo pa pikëllim, po pa mëshirë për veten, shkroi skicën fabulore të jashtëzakonshme të një trumcaku melankolik e inteligjent që vret veten.
Natyrisht kjo gjë është jashtë traditës shekullore ezopike. La Fonteni i ditur do të skandalizohej po ta lexonte këtë shpërdorim subjekti, kurse animalistët e këtij fundshekulli kibernetik dhe plot smog, vetëvrasjen e trumcakut mund ta kuptojnë simbolikisht si një protestë ndaj vdekjes ekologjike në përgjithësi të planetit tonë tragjik e vetëshkatërrues.
Po ta kishte lexuar Albert Kamyja skicën migjeniane, do t’i kushtonte – me siguri – një kapitull në traktatin e vet “Miti i Sizifit”, që zbulon pa asnjë mëdyshje, se problemi i vetëm i filozofisë është “vetëm vetëvrasja”, gjë që Migjeni – po të kishte mundësi, që ta lexonte këtë kapitull (që nuk u shkrua kurrë), nuk do ta aprovonte me modesti e jo thjesht për një ves, ose virtyt kundërshtimi, ose debati.
Migjeni trillin e imagjinatës e shndërron në një realitet të vrazhdë, të pangjashëm, jo identik me peizazhet e përçudnuara të ferrit dantesk.
Trumcaku u gjend befas në një natyrë (më saktë antinatyrë), ku në vend të barit kishin mbirë qimet e derrit e në vend të drurëve degëzoheshin brirët e një kafshe prehistorike (gjë që e kapërcen edhe përfytyrimin plot truke të Shpilbergut për filmat e tij të famshëm hollivudianë për dinozaurët e dikurshëm!)
Në këtë botë ndruese e butaforike është njësoj si ta sjellësh epokën dinozaurike në fund të shekullit XX, jo me anë të imazheve filmike, që janë fantazma, por në formën e një realiteti konkret të padukshëm (duke e zhdukur njëkohësisht realitetin e urbanizuar, qytetërimet, elektrikun, teorinë e kuanteve, sekretin e kobshëm të shpërthimit atomik, transplantimin e zemrës apo trurit etj., etj).
Franc Kafka, më i kursyer, me një fantazi më pak të bujshme me subjektin marramendës të “Metamorfozës” bën fjalë për shndërrimin e njeriut të vetëm në zvarranik.
Migjeni më i paturpshëm, me krenari e shndërron – as më pak e as më shumë – tërë natyrën e planetit në një shumësi të frikshme brirësh, duke nënkuptuar se vetë toka është koka e shtazës prehistorike, që tmerron e tkurr me tërsëllimë të humnershme hapësirat, galaktikat, vetë infinitin e pakonceptueshëm nga askush.
Migjeni përfytyron një Meduzë me brirë në vend të gjarpërinjve hakmarrës e dogmatikë të mitit. Ndoshta kjo është një ardhmëri e gabuar e njerëzimit, një pasion evangjelik i apokalipseve që nuk i dimë, por që i parandiejmë.
Interesant është ndër të tjera, se përfytyrimi surrealist i Migjenit është shkruar në të njëjtin vit kur Pikasoja bëri kompozimin e frikshëm dhe rrëqethës të “Guernikës”, që është një shfytyrim antimistik i gjymtyrëve të copëtuara në erë të Tezeut dhe Minotaurit në një labirint formash e ëndrrash të shkatërruara nga fashizmi i përkushtuar doktrinor, pa ndërdyshje, pa ndërgjegje.
I dimë pasionet e Kitsit në odën e tij për bilbilin, ose lejlekun alpin të Mjedës, që lan pendët e moçme në lumin Drin, ose albatrosin e Bodlerit, ose akoma më në zanafillë kultin e zogut feniks të faraonëve, ose hyjnitë me koka shpendi.
Po nuk dimë saktësisht, pse trumcaku i Migjenit na ndikon e na turbullon më në thellësi – në thellësirat e padukshme e të shenjta të gjakut, që shpërdorohet marrëzisht, fare i pakushtueshëm e pa çmim në Shqipëri.
Nëse realiteti i tjetërsuar si një “nightmare” bën të vetëvriten zogjtë, ahere kjo duhet të zgjojë urtinë e njerëzve, ta bëjë shpërthimin e mendimit të tyre të vërtetë.
Fabula tronditëse e Migjenit nuk i përmend njerëzit, por brenda trumcakut është vetë poeti, njeriu par exellence i së ardhmes.
POST SCRIPTUM: Skica intelektuale migjeniane citon thënien biblike të krijimit “… të bahet dritë! Dhe drita u ba!” – A shihni? Një fjalë magjike! Hokus – pokus! Sa bukur!”
Antibiblizmi i Migjenit është i dyfishtë.
Këtu është e habitshme dhe vulgare të shpjegosh formulën magjike Hokus – Pokus!
Në fakt kjo formulë është kuptimi i latinishtes jeronimase “hoc est corpus meum”, d.m.th. “ky është trupi im”, që shpreh sakramentin e ngrënies së bukës, të eukaristisë (fjalë të Jezusit për dishepujt e tij).
Në të vërtetë roli i shkrimtarit është një rol mesianik. Migjeni shumë shpejt, 27 vjeç, ia dha krejt trupin e vet vdekjes ritualiste – duke bashkuar e njësuar veten me trumcakun filozof e kryengritës, që është për artin e Migjenit si bufi fluturues i Minervës së diturisë së lashtë, simbol i rrugëtimit në infinit, i mosndaljes!