Baritoni i njohur i Teatrit të Operës dhe Baletit, Ylber Gjini, në një shkrim të botuar te Gazeta Shqiptare, në mënyrë koncize ka zbërthyer nëpërmjet 20 pikave veprimtarinë e ish drejtorit Ilir Kerni në periudhën që drejtoi TOB. Arroganca, pengimi i fjalës së lirë, përçmimi ndaj stafit, mungesa e menaxhimit të produktit artistik dhe financave, janë disa nga problematikat e shumta që zbulon Gjini te TOB, gjatë periudhës gati 3 vjeçare që u udhëhoq nga Kerni.
- I dha me rregullore të brendshme shumë kompetenca, shumica represive dhe të jashtëligjshme Drejtorisë Artistike.
- Nuk erdhi me një platforme për TOB, të paktën të sillte shembullin e teatrit të Zagrebit në Kroaci, ku punoi vetë deri në pension.
- Me anë të presionit detyroi tenorin Armaldo Kllogjeri të largohet nga TOB. Tenor, nga më të aftit dhe më të talentuarit të historisë së operës.
- Me anë të presionit detyron të largohet koreografin në karrierë, Arian Sukniqi.
- Ndaloi me urdhër të prerë fjalën e lirë, ku artistët nuk duhej të dilnin për asnjë arsye në media pa lejen e drejtorisë.
- Lejoi të punohet pa kalendar të detajuar dhe të paktën 1-vjeçar.
- Hodhi kartën e star-ëve që debutojnë jashtë për të shuar vlerat dhe karrierën e artistëve që kanë mbajtur Operën këto 25 vite, duke i denigruar dhe duke i ulur kategoritë.
- Nuk njihte vlerat e teatrit për shkak të një largimi të gjatë jashtë vendit. Koncepti i gabuar që: ‘Kur të vërshojnë të huajt, atëherë do të bëhet teatri’ ishte shokues.
- Arriti deri aty sa të mos vërë në reklamat e operave emrat e artistëve vendës, për t’i kthyer në anonimë. Ne përvjetorin e Operës, në ekspozitën e fotove artistike të artistëve në të gjitha kohërat, fotot e artistëve aktualë të TOB-it i vendosi në vendin më të shikueshëm afër tualetit të Operës.
- Pranoi që të festonte në Kryeministri me artistë të ardhur nga jashtë, duke lënë trupat të performonin jashtë në shesh, në të ftohtë, si te filmi “Koncert në vitin ’34”.
- Hoqi çdo shpërblim për artistët. Nuk bëri asgjë për titujt e artistëve në karrierë. Lejoi dhe u bë pjesë e prepotencës, arrogancës ndaj artistëve si kurrë ndonjëherë.
- Teatri u nda në parcela dhe për hir të konflikteve me drejtoreshën artistike, që vetë e pranoi që në fillim. Baleti dominoi gjatë gjithë kohës, duke lënë deficitare operën dhe sektorët e tjerë.
- Lejoi përdhosjen e artistëve ikona të Operës, si Irini Nikolla, sopranoja emblematike e teatrit.
- Ngjalli konflikt brenda gjirit të artistëve dhe u armiqësuan me njëri-tjetrin.
- Nuk denoncoi projektin-skandal të rikonstruksionit, ku skena e TOB-it shndërrohet në skenë koncertesh dhe jo skenë opere.
- Kontratat nuk rezultuan që u bënë për të rregulluar marrëdhëniet juridike të punës, por për t’u mbyllur gojën artistëve. Për t’i shantazhuar.
- Artistët nuk guxonin të kërkonin qoftë edhe dietat sipas ligjit për turnetë jashtë vendit.
- Roli honorifik i bordit të jashtëm, tanimë i dështuar.
- Shkatërimi i bordit të brendshëm të teatrit me artistët më të mirë të tij, gabim fatal.
- Dorëheqja në tymnajë, pa thënë shkaqet e vërteta të saj nuk është në nderin e një artisti të madh.
“ Të dashur miq, gjatë këtyre 3 viteve pati edhe disa suksese të padiskutueshme, falë artistëve tanë të mrekullueshëm brenda dhe jashtë vendit. Por, si artistë, kemi disa përgjegjësi morale për mbarëvajtjen e këtij institucioni kaq të rëndësishëm kombëtar dhe duhet të flasim hapur me çiltërsi dhe fakte dhe aspak me inate personale apo me superlativa inekzistente. Drejtorët vijnë dhe ikin, ne jemi aty në skenë më të motivuar dhe më të përkushtuar për t’i dhuruar spektatorit tonë shfaqje dinjitoze dhe me nivel të lartë si gjithmonë”, e mbyll shkrimin e tij, tenori i njohur Ylber Gjini.