Besnik Mustafaj
Para pak ditësh, në një takim me lexues në bibliotekën e Beratit, Preç Zogaj paska thënë: “Unë e kam ves të shkruarit poezi, është sëmundja ime që ka nisur qysh në adoleshencën time e më shoqëroi në pjekuri, më shoqëron edhe tani që po më vjen pragu i moshës së tretë”. Preç Zogaj nuk e ka pasë dikur zakon të fliste për moshën e vet. Pjesa femërore, që thuhet se çdo burrë i vërtetë ka brenda vetes, te Preçi shfaqej si një këmbëngulje për të refuzuar kalimin e kohës. Tek “Ushtrimet e melankolisë”, libri i tij i fundit me poezi, duket që është dorëzuar. Por është dorëzuar me nder, si një poet i jashtëzakonshëm. Ai tashmë e sheh veten një “ish-ëndërrimtar, një ish-princ i kaltër”. Por, siç i pohon mikut të tij të ngushtë, Teodor Kekos, i cili nga ana e vet e ka kapërcyer prej shumë vitesh portën e Hadit, “Me një mendje tjetër mund ta rifillojmë / veprën dhe fatin tonë: jetën”. Dëshmitare kam poezinë e tij se në fakt ai e gënjen Kekon, me shpresën se kështu do të mund të na gënjejë edhe ne. Ai nuk duket fare i gatshëm të ndërrojë mendje. Që do të thotë se nuk duhet pritur prej tij një rifillim veprës dhe i fatit: jetës. Dyshimet e tij kanë hyrë tashmë përfundimisht në orbitën e estetikës prej nga nuk ka dalje.
Maeterlinck, një poet i madh belg, fitues i Çmimit Nobel, duhet të ketë qenë në moshën e Preçit sot, kur shkruan një shekull më parë se “ne vlejmë aq sa vlejnë shqetësimet dhe melankolitë tona”. Nisur nga libri “Ushtrimet e melankolisë”, peshuar me njësinë matëse që cakton Maeterlinck e që mua më duket e drejtë si njësi, Preç Zogaj vlen shumë. Shqetësimet dhe melankolitë e tij përbëjnë një botë të krijuar për së pari. Sipas “Fjalorit të gjuhës së sotme shqipe”, ushtrim do të thotë stërvitje. Ndërsa melankiolia, sipas mjekësisë së lashtë, ishte një vrerë i zi që e shtynte njeriun drejt trishtimit. Preç Zogaj ka ndërtuar kështu enciklopedinë e melankolisë së vet e që nuk është më vetëm e tij. Një tjetër poet i madh, Viktor Hygo, thotë se “melankolia është ngazëllimi me qenë i trishtuar”. “Ushtrimet e melankolisë” e kanë të plotë këtë ngazëllim. Citimet në këtë rast vetëm më ndihmojnë mua për t’i thënë përmbledhtas lexuesit se poezia e Preç Zogaj në këtë libër ka një koherencë të tillë mjeshtërore, që fillon qysh me titullin. Si poet, ai është ngjitur tashmë në disa lartësi ku të paktët njerëz të letrave janë ngjitur, atje ku asgjë nuk mund t’i fshihet më “shqisës së shtatë të metaforës” e ku “Engjëlli… ngadalë vjen njerëzimi te arti, i thotë”. Por është një ngadalësi që nuk e shkurajon poetin.
Burimet e melankolisë së Preç Zogajt janë shumë serioze, sepse janë personale, janë të jetuara, domethënë autobiografike, gjë që iu siguron atyre paraprakisht vërtetësinë. Por ato janë edhe po aq universale, shprehëse e të vërtetave të thella të një brezi shqiptarësh me fatin më të veçantë, do të thosha, ndër brezat që ka rritur e përcjellë ky vend. Preç Zogaj është 58 vjeç. Pjesëtar i një brezi, i cili në vitet 1990-1991 ishte në moshën e Krishtit. Një brez i pjekur mjaftueshëm në atë cak, sa të ndahej me vetëdije me të kaluarën dhe po ashtu mjaftueshëm i ri për të bartur mbi shpatullat e veta pikërisht kryqin, ku mishëroheshin shpresat e një populli të tërë për ringjallje shpirtëore.
Ka qenë një barrë e rëndë, më së shumti e pashpërblyer për këtë brez, natyrshëm e pashpërblyer, vetë Preçi e thotë se “nuk është njerëzore me marrë çfarë meritojmë”, përderisa profet nuk bëhesh në vendin tënd, gjë që ne nuk e parandjenim ç’është e vërteta, por e zbuluam shpejt dhe e pranuam qysh në krye të herës, kur ndjemë kryqin të na rrëzohej mbi shpatulla. Ndaj nuk u penduam kur tanët na gjuajtën me gurë. Por, siç shkruan Preçi, “dolëm nga lëkura e të parëve zemërakë”dhe vetëm mërmëritëm: Fali Zot se nuk dijnë ç’bëjnë! Nuk është çudi, pra, pse sot ne kërkojmë më në fund të çlirohemi “nga lodhja e lodhjeve / duke duruar”. Në emër të këtij brezi, por pa mishërime ikonografike, Preçi ka zënë vend “pa lëvizur prapa xhamit / hidhësi kam në gojë. Në fytyrë kam / një deformim që s’e shohin pasqyrat”. Ndërkohë, moshatarët tanë në vise të tjera janë plot përvojë dhe po aq me freski për të kryer kërcimin e madh, më të madhin, atë që e kanë përgatitur gjatë dekadave e që do t’i japë kuptimin e thellë gjithë jetës së tyre. Të përfshirë në një dinamikë të tillë, këta burra dhe gra janë ende larg përballjes me simptomat e para të melankolisë. Ata do të vazhdojnë të ushtrohen për të fituar të tjera sfida, shumë më konkrete, të planifikueshme. Për nga bilanci i të jetuarit, ne jemi një brez para, moshatarëve tanë të botës së lirë, kemi mbërritur atje ku, siç edhe Preçi e pohon: “Pa e kthyer kokën / vazhdoj të zbres / prapa diellit nga ana e perëndimit / gjithnjë e më i ndriçuar”. Ky krahasim midis njerëzish të lindur në të njëjtën periudhë ka vlerë vetëm për të kuptuar pse Preçi dhe jo ndonjëri nga ata andej mund të thotë: “Fundi është pafundësisht i vogël, / por unë e shoh si asnjëherë tjetër”. Dhe po ashtu, ky krahasim, bashkëngjitur me ushtrimet e melankolisë, të tilla siç i ka paraqitur Preç Zogaj, ndihmon për të kuptuar pse brezi ynë në përgjithësi nuk vuan as nga kompleksi i viktimizimit dhe as i martirizimit heroik. Por nuk jemi as shpërfillës, që në gjuhën e psikologjisë mund të përkthehej si topitje, bjerrje e energjive.
Për Preç Zogajn, pra, “koha ishte, është e do të jetë tirania ime, /as më lëshon / as më dënon”. Ai ka një vetëdije të lartë prej poeti për kohën, që është diçka krejt e pangjashme me vetëdijen e filozofit. Ndryshe nga filozofi, që e percepton dhe e analizon kohën duke e shkëputur atë nga subjektiviteti i vet, në këtë rast Preç Zogaj e jeton plotësisht kohën, por pa u pajtuar me të, ka me të një marrëdhënie shumë të vështirë, siç mund të jetë marrëdhënia vetëm me “armikun / që s’më njeh për armik”. Dhe të tillë e shpreh. Ai nuk rreket të na çudisë duke shkallmuar ekzistencën objektive të kohës në të tri dimensionet e veta: e shkuar, e tashme, e ardhme. Do të ishte një kaos që nuk i përshtatet poetit, që është Preç Zogaj, një poet që ndjehet i huaj aty ku “sundon moskombinimi i zhurmave”. Pushtetin e vet prej poeti mbi kohën ai e shfaq në përmbajtjen e paqëndrueshme që i jep rrjedhës së saj: “Karshi, krejt përkarshi vije dje dhe nesër”.
Po e sotmja, e tashmja kur është? E sotmja nuk mund të mungojë sidomos në ushtrimet e melankolisë të Preç Zogaj. Ndryshe nuk do të përligjej qasja aq pa ndroje ndaj vetë melankolisë, do të mungonte hapësira e domosdoshme, ku të shpërfaqej trishtimi i saj. “Asgjë e re dhe koha futet / mu si pluhuri, mu si vrugu / nëpër fytyra, nëpër fjalë, nëpër shikime shumë shqiptare”. Doni më për të sotmen, e cila është “momenti i të vërtetës”? Po nga vjen kjo e sotme? “Nuk ka kohë në të ikurit prapa të mendimeve”. Me çfarë tjetër përveç se me anë të mendimit mund të provohet për njeriun, si krijesa e vetme tokësore me arsye, ekzistenca e të shkuarës? “Tani që s’të kam jam bërë më i shkuar”, përgjigjet poeti. Preç Zogaj, si të gjithë poetët e thellë, ka hermetizimin e tij, i cili është i vetvetishëm, është stil, është gjuhë. Si të gjithë poetët e përmasave të tij, ai gjithashtu i jep lexuesit hermeneutikën. Sepse hermetizmi për të nuk është mbyllje, nuk është as teknikë për t’i ikur lexuesit. Përkundrazi, është gjendje në lëvizje e melankolikut. Dhe si gjendje, ajo do të vazhdojë në poezi të tjera, të derdhura në ditë apo muaj të tjerë, duke mbartur përndritje të tjera ashtu si uji i lumit gjatë rrjedhës së tij. “E kam provuar dikur, kur dashuria / e pat shpërbërë kohën time në dritë, / që atëherë e kam një ide si mund të flasim / si perëndi me perënditë”. Ja, pra, çfarë ka parasysh poeti kur pohon se është bërë më i shkuar tani që e ka humbur dashurinë. Solla vetëm një shembull për të treguar si Preç Zogaj e zotëron artin e poezisë në shkallë sipërore. Duke na dhënë edhe hermetizimin e tij, edhe hermeneutikën, ai në të vërtetë na jep veten e tij të tërë. Sepse ai na siguron se edhe në të ardhmen kështu do të jetë, pa surpriza të shtirura apo artificiale. “Jam një prej miliona njerëzve përballë kohës, / që mban me kujdes, por pa frikë rënien e tij / duke jetuar me pak kureshtje / fikjen e yllit që iu dha si gjithë të lindurve”.
Gjatë ushtrimeve të tij të melankolisë e që do të duhej të ishin më të vështirat për zemrën e një burri, Preç Zogaj shfaqet i qetë, pa frikëra, pa ankthe, pa inate, pa dëshpërim, madje edhe pa ankesa. Ai e zotëron deri në çmenduri pafuqinë e pashmangshme të moshës së melankolisë. “Zot, të lutem / të lutem më merr / ditën e parafundit!” Vetëm ditën e fundit nuk do ai që ta jetojë. Sepse e njeh veten, e di se do të ligështohej gjatë ndarjes. Në pritje të ditës së parafundit, ai është i aftë të bëjë mrekullira pikërisht me pafuqinë, duke e shndërruar kohën në dritë për të zbërthyer misterin e vdekjes e sidomos të dashurisë përmes përsosjes së gjuhës. Është ende shumë larg dita e parafundit.
Botuar ne gazeten MAPO te dates 30 korrik 2016