Matricat e qytetërimeve dhe qytetërimi modern shqiptar

Nga Dorian Koçi

Historianët bien dakord se qytetërimi botëror ka filluar 5000 vjet më parë në brigjet e Tigrit dhe Eufratit. Në tokën pjellore midis dy lumenjve për fat të mirë nuk u zhvilluan vetëm kulturat bujqësore dhe ndërtimet e para moderne të njeriut por u kultivua dhe shpirti njerëzor.

Në Mesopotaminë e lashtë u hodhën themelet e pothuajse gjithë dijes njerëzore duke filluar nga shkrimi, letërsia, ligjet,filozofia, astronomia, matematika e mjekësia. Të gjitha qytetërimet e mëvonshme që u zhvilluan i detyrohen zhvillimit kulturor të Mesopotamisë por nëse marrim në konsideratë teorinë e progresit, na duhet të pranojmë që këta të fundit u përsosën më tej. Ndër qytetërimet e mëvonshme shquan qytetërimi antik grek, trashëgimia e të cilit është një nga faktorët bashkues të Evropës së sotme. Pikërisht në këtë adhurim të vetive dhe cilësive të qytetërimit grek i ka rrënjët dhe mendimi evropian i Rilindjes dhe Iluminizmit gjatë së cilit u konceptua dhe artikulua ideja e Evropës së Bashkuar. Aq e vërtetë ishte kjo sa një pjesë e madhe e elitës evropiane të këtyre epokave deklaronte me krenari “se ne të gjithë jemi grekë” duke pasur parasysh jo përkatësinë etnike, por trashëgiminë kulturore. Ky vlerësim dhe influencë e jashtëzakonshme në historinë politike dhe shoqërore të kontinentit nuk i dedikohet vetëm ekzistencës dhe zhvillimit të tij brenda territorit evropian por karakterit tejet humanist të tij.

Në një analizë të thjeshtë krahasuese midis dy qytetërimeve bie në sy se qytetërimi grek mishëron në detaje njeriun dhe qenien njerëzore në dallim nga qytetërimi mesapotamas që mishëron më tepër anën racionale të kësaj natyre dhe imagjinatën zomorfiste të tij. Ky tipar nuk është qartësisht i dallueshëm vetëm në mitologji dhe skulpturë por dhe në një aspekt të jetës së përditshme siç është hartimi i ligjeve. Trashëgimia ligjore që na vjen nga Mesopotamia e që njihet si Kodi i Hamurabit, është pa dyshim shumë i rëndësishme për të kuptuar nivelin e shoqërisë dhe të së drejtës në Babiloninë e lashtë. Kodi ka kohë që është shënuar në analet e së drejtës si dëshmia e parë dhe më e plotë e njeriut për të pasur një ligj të unifikuar, por gjithsesi nuk ka shkëlqimin dhe influencën që pati në qytetërimin e mëvonshëm evropian e drejta e qytet-shtetit të Athinës. Në mënyrë paradoksale edhe pse në qytetërimin grek nuk ekzistonte shkencë e mirëfilltë ligjore, madje as kishte fjalë të veçantë për të shënuar “ligjin” si koncept abstrakt, shoqëria e Athinës së lashtë ishte shoqëria e parë njerëzore që u bazua në vendimmarrjen gjithëpërfshirëse të qytetarëve të vet duke krijuar kështu novacione të rëndësishme konstitucionale në zhvillimin e demokracisë. Ligjet e vjetra të shoqërive njerëzore përveçse racionalitetit të tyre për të rregulluar marrëdhëniet njerëzore fituan tashmë sensibilitetin dhe interpretimin për të pasqyruar më drejt sofistikimin e njeriut dhe kompleksitetin e këtyre marrëdhënieve.

I gjithë ky hap cilësor në historinë e së drejtës erdhi si rezultat i ndikimit të filozofisë antike greke, e cila tashmë nuk konstatonte dhe pasqyronte vetëm universin, natyrën njerëzore dhe fenomenet si filozofia e Mesopotamisë por përpiqej ti jepte shpjegim pyetjeve rreth ekzistencës dhe të zhvillonte një kulturë interpretimi të ligjeve që qeverisnin poliset. Soloni, Platoni e Aristoteli janë tre emra që shënojnë këtë kulturë të gjerë gjithëpërfshirëse që nëpërmjet refleksionit të thellë të natyrës njerëzore ia doli mbanë të shpjegojë veçoritë metafizike, natyrore e hyjnore në raport me njeriun, ecurinë si dhe efektet e prodhuara prej tij, duke filluar nga qeverisja, tipi i regjimit të ndërtuar, marrëveshja sociale e duke përfunduar te lufta dhe pasojat e saj. Gjithsesi nuk ishte e lehtë që në lumin e fjalëve që tashmë reflektonin dhe shpjegonin një ligj apo qëllim të mirë, të arrije të dalloje thelbin nga anësorja dhe akoma më tepër kur kishte udhëheqës të sinqertë që mendonin vërtet për prosperitetin e vendit apo kur kishte oratorë të zellshëm që e zotëronin shumë mirë artin e të folurit dhe që mund të ndërtonin strategji të veçanta për të fituar pushtet politik. Kjo lloj strategjie e panjohur për qytetërimin e Mesopotamisë dhe e identifikuar si demagogji nga Platoni bazohej në evokimin e ndjenjave, emocioneve, frikrave dhe pritshmërisë së publikut nëpërmjet retorikës për të trajtuar çdo lloj debati publik që zhvillohej në vend dhe për të përfituar prej tyre monopol politik.

Raportet e qytetërimit modern shqiptar me trashëgiminë kulturore të qytetërimeve botërore janë sa të vjetra dhe komplekse dhe po aq të vështira për tu identifikuar. Duke qenë se nga vendndodhja gjeografike kemi qenë shumë afër me qytetërimin grek është e natyrshme që të kemi shkëmbyer e marrë me të, por për shkak të mungesës së dokumentacionit të mjaftueshëm për momentin ne vetëm mund të spekulojmë për masën, natyrën e këtyre shkëmbimeve dhe impaktin në popullsinë shqiptare. Kolonitë antike greke në brigjet e Adriatikut natyrisht që shërbyen si pikë takimi kulturash, por fati i mëvonshëm i Gadishullit Ballkanik i përcaktuar nga valët e gjata të pushtimeve nuk lejoi që Rilindja dhe Iluminizmi të lulëzonin ashtu si në Evropë. Qytetërimi modern ballkanas dhe mes tij dhe qytetërimi shqiptar i rifitoi vlerat e çmuara të qytetërimit të lashtë pas fitores mbi totalitarizmat. Shqipëria duke patur si synim të saj besimin e fortë politik për tu integruar në Evropë qysh në fillimet e viteve 90’ të shekullit të kaluar ka përqafuar sistemin e demokracisë-një nga shtyllat e Evropës së bashkuar. Kështu teorikisht qytetërimi modern shqiptar i ka bërë të veta vlerat e demokracisë, por në realitet vërehet se ky është një perceptim i gabuar. Sot më shumë se kurrë gjeneratat e viteve 60’,70’ e 80’ që shpresonin në vitet 90’ se Shqipëria do integrohej shpejt në NATO dhe BE janë të zhgënjyera me hapat e breshkës që kanë ndërmarrë qeveritë e pas viteve 90’ për të arritur këto synime madhore të shqiptarëve. Për më tepër ngjarje të vonuara siç ishte hyrja në NATO evokohen si histori suksesi duke dëshmuar dhe njëherë lojën e gjatë politike të integrimit të Shqipërisë në funksion të fitoreve te vockla elektorale, riciklimit të imazhit , akuzave të ndërsjella se një palë politike e dëshiron integrimin e tjetra e pengon. Me një përqasje të vogël kritike mund të kuptohet lehtë se qytetërimi modern shqiptar nga gjithë ngrehina e vjetër e qytetërimit grek ka përfituar demagogjinë duke përvetësuar kështu dhe të ardhmen e vendit të vet. Justifikimet e klasës politike shqiptare se duke ardhur nga një vend me traditë të vagullt demokratike dhe hapat do ishin patjetër të vegjël, bien poshtë kur shikon vende dikur të prapambetura të Azisë që kur kanë zbatuar drejt demokracinë kanë bërë më shumë progres ekonomik dhe politik se Shqipëria. Mungesa e një sistemi transparent drejtësie dhe “kolera” e zakonshme e zgjedhjeve të kontestuara janë dy faktorë që tregojnë se klasa politike shqiptare gjysmë e formuar në vitet e revolucionit kinez kulturor në Shqipëri dhe gjysma në korridoret bizantine të pushtetit të pas viteve 90’ nuk është e aftë të dialogojë dhe tu japë zgjidhjeve problemeve madhore të vendit.

Dashur pa dashur ajo është bërë një varrmihëse e qytetërimit modern shqiptar, duke instaluar në vend kulturën e gënjeshtrës dhe demagogjisë ku gjërat e pavërteta mund të shpallen si të vërteta, ku ëndrra mund të zhbëjë realitetin dhe zhgjëndrra mund të kalohet për të vërtetë. Platoni në veprën e vet “Republika” i shpall poetët si njerëzit më të pa dëshirueshëm për qytet-shtetin e tij imagjinar pasi ata me imagjinatën e tyre dhe pasqyrimin që i bënin realitetit në poezi mund të korruptonin qytetarët e tjerë. Nëse ndjekim logjikën e Platonit, por duke e shtrirë në hapësirë dhe kohërat e sotme me qëllim që të mbrojmë qytetarët e së ardhmes së Shqipërisë na duhet të bëjmë vetes një pyetje retorike. Si do të jetë qytetërimi modern shqiptar i së nesërmes i udhëhequr nga klasa e tanishme politike?

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *