Drejtoresha artistike paditi drejtorin e TKOB-së

Arsyet e dorëheqjes nga posti i Drejtorit të TKOB, Ilir Kerni mbeten ende një enigmë, por me kalimin e ditëve po dalin në dritë fakte të një përplasje të brendshme në institucion, që mund të ketë ndikuar në vendimin për largim.

Edhe pse është mbajtur larg vëmendjes mediatike, marrëdhënia e Drejtorit Kerni dhe Drejtoreshës Artistike Abigela Voshtina, ka qenë e tensionuar dhe ka përfunduar në gjykatë.

Ky është vendimi i Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë të 25 majit 2016 (në foto), i siguruar nga “Ora News”, pas padisë së ngritur nga Voshtina në datën 6 maj ndaj drejtorit Kerni për të ankimuar vërejtjen për përjashtim nga puna.

Sipas Drejtores Artistike, për vërejtjen ndaj saj nuk ishte ndjekur procedura e parashikuar në statusin e TKOB, gjë që u hodh poshtë nga avokati mbrojtës i Kernit, duke rezultuar me rrëzimin e padisë së Voshtinës si të pabazuar në ligj dhe në prova.

Vendimin e gjyqtarit Avni Sejdi që i dha të drejtë drejtorit të TKOB Ilir Kerni, Abigela Voshtina mësohet se e ka ankimuar në Gjykatën Administrative të Apelit.

Dorëheqja e Ilir Kernin pritet të marrë përgjigje në mbledhjen e të mërkurës së qeverisë, ndërkohë që vazhdojnë mesazhet mbështetëse për punën e tij në krye të TOKB.

Një mirënjohje ka ardhur nga sopranoja Inva Mula për drejtorin e TKOB-it, të cilin e quan “yll”.

“I dashur Ilir, Mirënjohje për Punën tënde, pasionin, përkushtimin, guximin, besimin që na dhurove ne atë skenë që e duam kaq shumë dhe që na ka dhënë kaq emocione të forta ku një nga më të bukurat që do t’i mbetet historisë se saj është dhe figura e skalitur e YLLIT KERNI”.

Ndërsa sopranoja Ermonela Jaho uron që pasardhësi të vazhdojë punën pozitive të bërë nga Kerni: “Faleminderit Ilir për punën e palodhur përgjatë këtyre tre viteve, hapjen e TKOB për të gjithë artistët shqiptarë në mbarë botën, respektin dhe dashurinë e treguar ndaj nesh. Shpresoj që kushdo që do të marrë drejtimin e institucionit pas jush, të vazhdoje çdo gjë pozitive që ju filluat…”
Shekulli Online

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *