Reagimi i Visar Zhitit pas veprimit skandaloz të Nishanit: Të merremi sa më pak me djajtë, sidomos kur janë të vegjël

Pas incidentit të ndodhur në Presidencë, për anulimin e paprecedentë të takimit me ambasadorët, ku i pranishëm ishte edhe Visar Zhiti, ky i fundit thyen heshtjen dhe flet për Top Channel.

Ai rrëfen itenerarin e asaj dite, por nuk gjen dot shpjegim tek ajo që ndodhi.

“Shkuam në pritje të caktuara me kryeministrin, kryetarin e Parlamentit, shkuam dhe në Presidencë siç ishte parashikuar, ku u tha se për arsye… Nuk u bë ky takim dhe dola bashkë me të gjithë. Nuk kam një koment të veçantë për këtë”, thotë Zhiti.

I pyetur për arsyet e anulimit të kësaj pritjeje, ai me qëllim flet për lajmet e mira që Shqipëria përcjell së shpejti nga Vatikani.

“Në 5 nëntor në Shkodër do të bëhet lumturimi i 38 martirëve. Të merremi me shenjtërimet dhe sa më pak me djajtë, sidomos kur janë të vegjël”, shprehet Zhiti.

I përmendur së fundmi si shembulli i diplomatit që punon për promovimin e vendit në Selinë e Shenjtë me përulësinë e njeriut të letrave, ai përmend pritjet dhe takimet e fundit që ka patur me Papën, pritje këto që i nenvizon shumë më të rëndësishme sesa mospritjet.

“Po, jam takuar me Papën disa herë. Bota bëhet më e mirë kur rendim mbas së shenjtës”, vijon Zhiti.

E ndërsa nuk është dekretuar nga presidenti i Republikës si ambasador, ai ka vetëm një koment për kontributin e tij në Selinë e Shenjtë.

“Po, kur takova kryeministrin e Vatikanit, kardinalin Parolin, ai më tha se ‘nuk ka rëndësi emërimi, rëndësi ka që punon për Vatikanin’”, thotë Zhiti.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *