Kampet Rajonale të Restaurimit përqafojnë Krujën dhe Shkodrën

Kampet Rajonale të Restaurimit të Fondacionit “Trashëgimia Kulturore pa Kufij – Shqipëri” (CHwB Albania) kanë mbërritur për herë të parë në Krujë dhe Shkodër. 23 profesionistë të rinj dhe 9 akademikë e trajnerë nga Ballkani dhe Europa janë mbledhur në Krujë për të studiuar dhe për t’u ushtruar në Kampin e 28-të Rajonal të Restaurimit me temë “Artet dhe zejet tradicionale”. Krahas këtij aktiviteti dy javor, CHwB Albania organizon një tjetër kamp restaurimi në Shkodër, ku 22 pjesëmarrës nga Ballkani Perëndimor po shkëmbejnë përvoja për “interpretimin dhe menaxhimin e trashëgimisë kulturore”.

Çfarë ofohet gjatë Kampit në Krujë?

Në Krujë pjesëmarrësit po mësojnë për teknikat tradicionale të artizanatit. Shumë prej pazareve të vjetër po përballen me nevoja për kushte më të mira për artizanët vendas dhe sfida për të ofruar një gamë më të gjerë produktesh tipike për të joshur vizitorët. Së toku me artizanët e Pazarit të Krujës, pjesëmarrësit po mësojnë për këto sfida dhe diskutojnë zgjidhjet e mundshme. Punët praktike përgjatë kampit përfshijnë teknika të ndryshme tradicionale nga shajaku te qëndisja, përpunimi i metaleve, etj. Punët udhëhiqen nga vetë artizanët krutanë. Një ndër risitë e Kampit të Krujës është edhe sjellja e historive rajonale dhe europiane të suksesit në sipërmarrjet artizanale.

Çfarë ofrohet gjatë Kampit në Shkodër?

Kampi i Shkodrës fokusohet kryekëput tek interpretimi i trashëgimisë kulturore – ose si të arrihet tek mendjet dhe zemrat e njerëzve përmes trashëgimisë dhe si të rizbulohet dhe vlerësohet kjo e fundit prej tyre. Të përqëndruar në lëmin e interpretimit, i cili po njeh rritje të shpejtë në studimet muzeale dhe të trashëgimisë, ky kamp synon të ndihmojë kuratorët dhe menaxherët të komunikojnë më mirë vlerat e trashëgimisë lokale. Nëpërmjet kësaj qasje synohet ngjizja e lidhjes së njerëzve me vendin, duke e sjellë të shkuarën në të tashmen përmes përvojave ndëraktive të të mësuarit dhe nxitjes së të menduarit kritik.

Dy fjalë për Kampet Rajonale të Restaurimit

Kampet Rajonale të Restaurimit  përfaqësojnë një model trajnimi të suksesshëm, të nisur në Shqipëri dhe të organizuar në katër vende të tjera të Ballkanit, me një larmishmëri të gjerë të pjesëmarrësve. Përmes kësaj platforme edukative dhe ndërgjegjësuese, CHwB Albania inkurajon vlerësimin dhe përkujdesjen për trashëgiminë lokale. Objektivat kryesore të Kampeve Rajonale janë përdorimi i trashëgimisë kulturore për ndërtimin e marrëdhënieve mes profesionistëve të rinj; ruajtja e mjeshtërive dhe teknikave tradicionale; si dhe rritja e ndërgjegjësimit të komunitetit – duke ilustruar rëndësinë e trashëgimisë kulturore në cilësinë e jetës dhe zhvillimin ekonomik.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *