Është referencë për Zonjën e Parë të vëndit, gruan e presidentit të SHBA. Roli i gruas se presidentit nuk ka qënë përmëndur në Kushtetutën e SHBA dhe as ka ndonjë përcaktim që i njeh gruas së presidentit ndonjë rol të veçantë në administratën federale të vëndit.
Megjithatë, gjatë historisë së Amerikës, ka ndodhur shpesh që
Zonja e parë e vëndit të marrë pjesë në çështjet administrative të shoqit, presidentit të SHBA.
Duke i hedhur një vështrim historisë, vihet re se aktivitetet e tyre kanë qënë të varura nga personaliteti i tyre,fusha e interesave të tyre, dhe nga nga rethanat në të cilat është ndodhur vëndi. Gjatë luftës së vitit 1812, kur anglezët po vinin për t’i vënë zjarrin Shtëpisë së Presidentit , Dolli Medison, gruaja e presidentit Xhejms Medison,u kujdes të shpëtonte origjinalin e Deklaratës së Pavarësisë,Kushtetutën si edhe një portret të Xhorxh Uashingtonit. Sarah Polki shërbeu të shoqit si sekretare private, Helen Taft ndiqte mbledhjet e kabinetit, Edith Wilson ka bërë punën e presidentit kur i shoqi ishte i sëmurë me hemoragji cerebrale në 1919. Ajo i përgjigjej tërë korespondencës që i vinte presidentit Wilson nga kongresi, kabineti dhe publiku amerikan. Gruaja e presidentit Xhonson ishte gjithashtu mjaft aktive gjatë viteve të presidencës të së shoqit. Ajo udhëtonte shpesh që të shikonte me sytë e saj se si po zbatohej programi i luftës mbi varfërinë që kishte shpallur i shoqi. Asaj i pëlqente bukuria natyrore e Amerikës dhe kërkonte të zgjonte interesin e njerzve jo vetëm për ta shijuar por edhe për ta zhvilluar atë. Me inisiativën e saj u krijuan parqe të reja e madje u aprovua edhe një ligj mbi zbukurimin e rrugëve nacionale.
Sidoqoftë më e dëgjuara për rolin e saj ka qënë Eleonor Ruzvelti. Për të thuhej se qe “syri dhe veshi” i presidentit Franklin Ruzvelt.Ajo përfaqësonte presidentin në shumë evenimente publike. Gjatë periudhës së Depresionit të madh në vitet 30- të, Eleonorë Ruzvelti udhëtoi në të gjithë vëndin për t’i raportuar atij gjëndjen reale. Hillari Klinton rriti influencën e saj si zonjë e parë nëpërmjet një studimi të gjithanshëm që bëri mbi sistemin shëndetsor të vëndit. Ajo ishte e interesuar në politikën e jashtme të SHBA dhe dha kontributin e saj në rastin e zgjidhjes së konfliktit të Kosovës.
(Shkeputur nga libri i autores Albana Melyshi Lifschin”Udhetim ne Historine e Amerikes, botuar 2003, ribot.2006, dhe 2010 nen kujdesin e Ministrise se Kultures, Rinise dhe sporteve te Republikes se Kosoves).