Më shumë se 150 studentë spanjoll kanë ndërmarrë një aventurë për të ekpsloruar zonën e Kurveleshit. Ata kanë ngritur kamping në natyrën që oforon bukuri të shumta si dhe kane eksploruar kanionet e kësaj zone. Udhëtimi i studentëve në këtë zonë pak e njohur nga turistët u mundësua nga Agjensia Kombëtare e Turizmit Bregdetar, Bashkia e Tepelenës dhe Ambasada spanjolle.
Të rinjtë kanë përshkruar me këmbë pjesën më të vështirë të rrugës, e cila vijon të jetë e paasfaltuar nga Bënça deri në Lekdush, e më pas kanë vijuar për në Progonat, Gusmar dhe Nivicë.
Kjo nismë, e cila vjen e realizuar falë përkushtimit të Auron Tares për ta bërë të njohur Kurveleshin për turistët dhe për ta kthyer atë në një atraksion turistik të jugut, ka gjallëruar zonën, e cila mënyrë kryesore të jetesës ka blegtorinë.
Bukuritë natyrore të kësaj zone kanë qenë jashtë fokusit të turistëve të huaj e vendas dhe kjo për shkak se askush nuk e ka promovuar si zonë deri më tani. E njëjta harresë vijon të jetë edhe për vendet historike të saj, si kalaja apo të tjera, të cilat janë rrënuar pasi për to nuk ka patur asnjë projekt mirëmbajtje.
Veç mikpritjes nga banorët e zonës, studentët kanë zhvilluar edhe një ndeshje futbolli me skuadrën e vendasve të Gribës, por këta të fundit janë mundur nga iberikët e famshëm sa i takon futbollit.
Në përfundim të kësaj aventure, Tare shkruan se ky udhëtim tregon se kjo zonë mund të kthehet fare kollaj në një zonë të rëndësishme për turizmin malor, aventurën dhe zbulimin e disa bukurive natyrore fare të panjohura.
“Nje falenderim per te gjithe mikpritesit e Kurveleshit sidomos djemte e Nivices per dashurine dhe respektin qe treguan per studentet spanjolle. Faleminderit ekipit te futbollit te Nivices qe u perpoqen te mundnin spanjollet edhe pse pa sukses. ne fund nje falenderim per Kryetarin e Bashkise Tepelene per mikpritje e treguar. Ky udhetim tregon se kjo zone mund te kthehet ne nje zone te rendesishme te turizmit te aventures dhe kultures”, shkruan Auron Tare.
Gjithashtu po shihet mundësia e krijimit të një intenerari nga Zagoria në Kurvelesh, Kuç për të dalë në Borsh dhe anasjelltas. Një projekt që do ta zhvillonte së tepërmi jugun, i cili ka resurse të mëdha natyrore, historike e kulturore./Pasqyre.al