Urbanistika dhe tregtia në Çamëri gjatë sundimit të Ali Pashë Tepelenës

Nga Dorian Koçi
Prej vitit 1788, krahina e Çamërisë u vu nën presionin Ali Pashë Tepelenës, zot i Janinës, i cili synonte krijimin e një shteti të centralizuar, të pavarur nga Porta. Çamëria zinte një vend qëndror në këto synime të Ali Pashë Tepelenës, i cili e njihte shumë mirë rëndësinë ekonomike e strategjike të asaj krahine. Gjatë viteve 1759-1762, një kushëri i Aliut, Islam Beu, dhe babai i tij, Veli Beu, kishin qenë pashallarë me dy tuje të Pashallëkut të Delvinës, ku përfshiheshin edhe disa territore çame. Vetë Aliu kishte patur lidhje me Çamërinë gjatë ushtrimit të detyrës së tij si Kryeruajtës i rrugëve të Rumelisë. Në fakt, një pjesë e madhe e rrugëve tregtare që lidhnin kontinentin me Korfuzin dhe Ishujt Jonianë kalonin mes për mes territoreve të Çamërisë.
Por, politika centralizuese e Ali Pashë Tepelenës dhe përpjekjet e tij për të fuqizuar pushtetin e vet do do të binin në kundërshti me tendencat autonomiste, që mishëroheshin në popullsinë luftarake të Sulit, por edhe tek bejlerët e Çamërisë. Gjithsesi pas marrjes së Prevezës në 1798, nënshtrimit të Sulit në 1803, nënshtrimit të Filatit, Margëlliçit dhe Paramithisë në 1808 dhe marrjes nën zotërim të Pargës në 1818, i gjithë territori i Çamërisë u përfshi brenda territorit të Pashallëkut të Janinës.
Gjatë kohës kur krahina e Çamërisë hyri brenda kufijve administrativë të Pashallëkut të Janinës, edhe aty si në gjithë Shqipërinë u realizuan, si asnjëherë më parë, vepra të rëndësishme publike, të karakterit ushtarak e civil, si kështjella, rrugë, ura, banja (hamame), hane, ujësjellësa, çezma publike dhe godinave administrative. Sipas Pouqueville, me porosi të Ali Pashë Tepelenës, arqitekti shqiptar Petro Korçari, ndërtoi në Epir më shumë kala se ç’rrënoi qytete në kohë të tij konsulli romak Paul Emili. Hobhausi në librin e vet përshkruan selitë më preferuara të Ali Pashë Tepelenës, ku mes të tjerash radhitet Preveza ku ai vinte shpesh si dhe një saraj në fshatin Karkapullo, në afërsitë e Janinës. Pas marrjes së Prevezës në vitin 1798, Ali Pasha Tepelena ndërtoi aty kështjellën dhe pallatin e tij, që Hjuzi e konsideron më të bukurën mes rezidencave të shumta të tepelenasit. Ali Pasha kishte ndërtuar fortesa të vogla ose kulla në Çamëri në vende si Suli, Parga (Aja), Muzina, Butrinti( pranë daljes së kanalit në det). Përveç kështjellave dhe godinave administrative, Ali Pasha zotëronte edhe një numër shtëpish pushimi, të cilat kishin paraqitjen e sarajeve të vogla që i gjejmë të banuara në vitet 1806-1809, sidomos në viset përreth Janinës, si në Muzhar, në Xhegelovë,Stravaq, Zicë,Delvinaq, në Artë, Kaciko-Pazar pranë Artës. Po kështu në një shtrirje të madhe ishin dhe veprat publike si hane, çesma publike, kanale rregullues dhe lundrues etj. Pouqueville përmend disa hane si ai i Lavenit pranë Filatit, të Lorit që ishte i madh e fort i bukur me paraqitjen e një pallati apo ai Pesë Puseve i përmendur nga Hughes. Zhvillimi i tregtisë dhe rritja e shkëmbimit të mallrave jo vetëm me Korfuzin por edhe më tej bëri të mundur edhe realizimin e veprave inxhinierike si Kanali i Lurit që u bë i lundrueshëm dhe lidhej me detin në gjirin e Prevezës dhe lehtësonte transportin e mallrave për Janinë. Udhëtarët e huaj kanë lënë shënime edhe për nivelin e lartë të rrugëve që ndërtonte Ali Pashë Tepelena. Hughes flet për rrugën Sallagorë-Artë, gjatë bregut të detit , dhe e cilëson si më të mirën që kishte njohur deri në atë kohë në viset që vizitoi. Udhëtari dhe diplomati anglez William Martin Leake gjatë iterenarit të tij në Çamëri vizitoi Paramithinë, të cilën e përshkruan si një hapësirë të madhe tokësore që ndahej në blloqe të mëdha shtëpish të banuara nga fara ose fise që luftonin me njëri-tjetrin, derisa shfaqej ndonjë armik i jashtëm. Përpara shkatërrimit të vendit nga Veziri, më 1808, aty ishin 600 shtëpi të banuara, por shumë familje u arratisën me Islam Pronjon, prijësin kundërshtar të Aliut. Paskëtaj, aty nuk mbetën më shumë se 400 shtëpi myslimane dhe 40 greke. Nga ana e tij, Pouqueville e përshkruan Filatin si një qytet të shpërndarë sipas mënyrë së katundeve shqiptare, mbi një rrafshanaltë të shtrirë. Më 1814 qyteti numëronte katër qind e njëzet shtëpi, tre xhami, një banjë publike, sterna të mëdha të pambulura sepse banorët, të ndodhur larg lumit dhe burimeve, pinin vetëm ujëra shiu të cilët ruanin një freski të shëndetshme në fund të atyre rezervuarëve të mëdhenj.
Gjatë kohës së Ali pashë Tepelenës në Çamëri njohu një zhvillim të madh edhe tregtia. Si një nga krahinat më pjellore të Shqipërisë, Çamëria prodhonte produkte bujqësore që eksportoheshin drejt tregut tradicional të Korfuzit, por tashmë edhe drejt Puljes, Ankonës, Triestes dhe deri në Maltë. Dr. Holland që e konsideronte Artën si daljen kryesore për pjesën jugore të Shqipërisë, shkruante se në vitet 1820, artikujt kryesorë të eksportit nga ky gji ishin drithi, lënda drusore, vaji, duhani, pambuku dhe leshi. Eksportet e drithit, sipas tij, shkonin drejt Italisë, Ishujve Jonianë, Maltës e gjetkë. Pashai i Janinës zotëronte monopolin mbi shitjen e drithërave. Nga gjiri i Artës eksportohej gjithashtu lëndë drusore, për të cilën interesoheshin deri arsenalet e marinës në jug të Francës. Gjithnjë sipas Holland, nga Arta eksportoheshin sasira të konsiderueshme vaji, duhani, leshi e produktesh leshi, siç ishin gunat apo velenxat.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *