74 vitet e Robert Ndrenikës, suksesi e censura ndaj artistit

“Nuk kam ndonjë dëshirë të lavdëroj kohën e shkuar, por mirë a keq, dikur bëheshin dhjetë filma në vit. E kjo ndodhte në atë kohë kur jeta, siç e dimë, ishte e varfër. I tillë qe ai sistem. Kurse sot mungojnë fondet. Janë dy-tre filma në proces, por nuk kanë mundësi financiare të vijojnë punën. Nga pamundësia që kanë kineastët, ashtu si në atë kohë s’mund të bëhej më një film si “Skënderbeu” (për të cilin ndihmuan sovjetikët), ashtu edhe sot është e saktë të thuhet se s’mund të bëhet më një film si “Nëntori i Dytë”. Kjo është për të ardhur keq”- Robert Ndrenika 2012(Java).
Kur më e 1974, Robert Ndrenika mishëroi figurën e Qazim Mulletit në komedinë “Prefekti” të Besim Levonjës, ishte 32 vjecc. Më herët ai kishte intrpretuar tek “Oshëtimë në bregdet”, “Horizonte të hapura”, ndërsa më pas role të tjera edhe më të bukura do të vinin për të: Vangjeli tek “Përrallë nga e kaluar”, Fotaqi prefekti tek “Koncert në vitin 1936” më 1978), tek filmi “Një shoqe nga fshati”, tek “Shi në plazh”,” Nëntori i dytë”, e të tjerë. Jeta e tij përtej imazhit të një aktori tepër të dashur, ka pasur tatëpjetat e veta. Ai lindi më 10 janar të vitit 1942 dhe filloi punën si aktor në fillim në teatrin “Skampa”.
Për Qazim Mulletin
Roli i Qazim Mulletit tek “Prefekti” ka qe më delikati për të. Ai e ka rëfyer kështu: “Duhet të them se përveç emrit, ai rol ka pak të përbashkëta me personazhin historik. Nuk dua ta përligj Qazim Mulletin e vërtetë, por pak a shumë edhe prefekti, në konceptin tim, ka qenë një pushtetar, i cili ka brenda vetes një karakter popullor që rron edhe sot e kësaj dite. Kujtoj shprehje të tij, si për shembull “pas kaq muajsh, jeni bërë të gjithë komunista”, më pas thuhej “po ndenje kaq muaj në burg me hajdutët, je bërë edhe ti hajdut” etj. Injorancë ka pasur edhe më vonë, në kohën e komunizmit. Madje ka qenë ajo injorancë e disa zyrtarëve, që më frymëzoi edhe për rolin, pasi unë Qazim Mulletin nuk e njihja fare”. Në vitin 2012, Ndrenika i kërkoi falje familjes së Mulletit.
Censura
Arratisja e të vëllait nga vendi i shkaktoi jo pak probleme Ndrenikës. Në atë kohë, ai u hoq nga filmi “Fije që priten”, pas përfundmit të xhirimeve. Ja si e ka kujtuar këtë, regjisori Muharrem Fejzo: -Duhet ta zëvendësosh, shoku regjisor! Me siguri ju nuk mund ta dinit që ai ka një vëlla të arratisur! Ndryshe nuk mund t’i besonit atij rolin kryesor dhe, për më tepër, atë të punonjësit të Armës së Sigurimit. Apo jo? Ëëëë?”.
– Mendoni pak, heqja e aktorit nga filmi është një goditje e rëndë psikologjike dhe shoqërore. Ajo mund të bëhet vetëm në rast se aktori nuk jep rezultat në realizimin e rolit të tij….
Mbas gjysmë ore, erdhi drejtori dhe më tha: -Duhet të mendosh për zëvendësimin e Robertit. Nuk më la të them asnjë fjalë më tepër.
Rolet
Ka qenë ndër aktorët që ka pasur ngarkesën më të madhe në teatër dhe kinematografi. Nga dramaturgjia kombëtare, midis të tjerash, ka interpretuar: “Besa” e Sami Frashërit, “Ura” e Minush Jeros, “Prefekti” i Besim Levonjës, “Familja e peshkatarit” e Sulejman Pitarkës, “Bashkë me agimin” e Kolë Jakovës, “Midis dy njerëzve” e Kiço Blushit, “Skënderbeu” i Lec Shllakut, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” dhe “Stinë e mërzitshme në Olimp” të Ismail Kadaresë, “Lumi i vdekur” i Jakov Xoxës, “Fytyra e dytë” dhe “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” të Dritëro Agollit, “Shkallët” dhe “Shtëpia me dy porta” të Ruzhdi Pulahës. Nga dramaturgjia e huaj mund te përmendim “Shumë zhurme për asgjë”, “Nata e dymbëdhjetë” dhe “Zbutja e kryeneçes” te Shekspirit, “I sëmuri për mend” dhe “Kopraci” të Molierit, “Udha e largët” e Arbuzovit, “Luiza Miler” e Shilerit, “Prometeu” dhe “Njeriu që pa vdekjen me sy” të Viktor Eftimiut, “Dashuri e tillë” e Kohoutit, “Banja” e Majakovskit, “Arturo Ui” e Brehtit, “Vdekja e një komisioneri” e Millerit, “Vizita e damës plake” e Dyrrenmatit, “Magjia e madhe” dhe “Cilindri” të De Filipos, “Darka e të marrëve” e Veberit, “6 vjet shtatzënë” e Cikliropulosit, “Pulëbardha” e Anton Çehovit, “Histori zooparku” e Ollbit, etj. Në vitin 1979 i është akorduar titulli “Artist i Merituar” dhe ne vitin 1988 titulli “Artist i Popullit”. Është nderuar me Kupën për “Aktorin më të Mirë” në Festivalin Kombëtar te Teatrit, më 1994, për rolin e Di Spetes në shfaqjen “Magjia e Madhe”, te De Filipos dhe në Festivalin e Filmit të vitit 1979, për rolin e Prefektit në filmin “Koncert në vitin 1936”. Për disa vite ka punuar si pedagog i mjeshtërisë së aktorit dhe fjalës artistike, në degën e aktrimit, në Institutin e Lartë të Arteve.
(Pasqyre.al)
ndrenika 2

ndrenika 4

ndrenika1

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *