“Gjyzlyket e arta” të Giorgio Bassanit, jeta e errët e Dr.Fadigatit

Qe në 1919-ën, menjëherë pas luftës tjetër. Për çështje moshe, unë që po shkruaj, s’mund të ofroj veçse një tablo disi të vagullt e të turbullt të asaj periudhe. Kafenetë e qendrës së qytetit zienin nga oficerët me uniformë; çdo çast përgjatë corso Giovecca dhe corso Roma (sot e ripagëzuar si corso Martiri della Liberta) kalonin kamionë që valëvisnin flamuj të kuq; mbi skelat që mbulonin ballinën e Palazzo delle Assicurazioni Generali (atë kohë në rikonstruksion), kundruall pjesës veriore të Kështjellës, qe nderë një pëlhurë gjigante reklame në ngjyrë të purpurt, që ftonte miq e kundërshtarë të socializmit të vinin të pinin bashkërisht APERITIVIN LENIN; pothuajse çdo ditë shpërthenin përleshje mes fshatarëve dhe punëtorëve ekstremistë nga njëra anë, dhe ish luftëtarëve nga ana tjetër… Kjo klimë e ethshme, trazirash politike e shpërqendrimi të përgjithshëm, nëpër të cilën kaloi fëmijëria e tërë atyre që do burrëroheshin gjatë njëzetvjeçarit të ardhshëm, në një farë mënyre duhet ta ketë favorizuar venecianin Fadigati.

Shkrimtari i njohur italian Giorgio Bassani vjen përsëri në shqip me një tjetër roman “Gjyzlyket e arta” përkthyer nga Beti Njuma nen siglen e Botimeve IDK.

Njeriu ngjan shumë me kafshën, e megjithatë, a mund që njeriu të dorëzohet? Ta pranojë se s’është veçse një kafshë? Sërish skena e romanit të Bassani-t është qyteti i qetë e i përgjumur i Ferrarës, në Itali, qyteti i tij i lindjes, me të cilin është e lidhur tërë vepra e shkrimtarit të madh italian. Në qendër të veprës është figura e doktor Fadigatit, një nga njerëzit më të respektuar e të vlerësuar të shoqërisë së kamur qytetase deri ditën kur në qytet nisin të përhapen fjalë se doktori, i cili ndonëse mbi të dyzetat ende s’është martuar, na është homoseksual. Sidoqoftë, fillimisht duket sikur s’ka fakte për të konfirmuar këto fjalë, dhe ‘shoqëria e respektueshme’ ferrareze preferon të mbyll sytë, duke gjykuar se, së paku faqe botës, sjellja e doktorit vazhdon të mbetet e paqortueshme. Por ja që një ditë prej ditësh, befas plas skandali: merret vesh se mjeku i nderuar na qënka i dashuruar me një djalë të ri student…
‘Gjyzlyket e arta’ është historia tepër emocionuese e një jete njerëzore të shkatërruar pikërisht nga ata që ai i konsideron fqinjët e tij.

Giorgio Bassani (1916-2000) konsiderohet një ndër shkrimtarët më të rëndësishëm italianë dhe europianë të shekullit të XX, fitues i çmimeve letrare më prestigjioze në Itali. Ndër veprat e tij kryesore mund të përmenden ‘Kopshti i Finci-Kontinëve’; ‘Romani i Ferrarës’; ‘Pas portës’; ‘Çafka’; ‘Aroma e sanës’. Pjesa më e madhe e veprave të tij janë bërë gjithashtu filma.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *