Imazhi dhe fjala, rikthimi i heshtur i Ibrahim Rugovës

Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë dhe Biblioteka Kombëtare e Kosovës, “Pjetër Bogdani”, në 10-vjetorin e ndarjes nga jeta të Ibrahim Rugovës, zhvilluan të mërkurën, 15 Qershor, Konferencën Shkencore dhe Ekspozitën “Kujtesa e Rugovës”, me praninë e Ministrave të Kulturës znj. Mirela Kumbaro dhe z. Kujtim Shala. Një bashkëpunim real mes dy Bibliotekave, por edhe studiuesish nga Shqipëria dhe Kosova, kjo konferencë synon rrokjen e shumëanshme të figurës së Ibrahim Rugovës si krijues, intelektual dhe një personalitet i papërsëritshëm politik mbarëkombëtar. Krahas konferencës në BKSH u çel edhe ekspozita me botime të Rugovës dhe për Rugovën, të cilat janë pjesë e fondit të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës. Në të ekspozohen botimet më të hershme, gjurmët e para si dhe me libra studimorë, teorikë, kritikë, eseistikë, biografikë, punime dhe ese, si një përzgjedhje në përpjekjen që të jepet sa më e plotë tabloja për jetën dhe veprën e tij, një pikënisje që përkon me marrjen dhe dhënien e asaj çfarë krijohet dhe çfarë ruhet nga trashëgimia e shtypur e kujtesës për Rugovën. Krahas ekspozimit të librave, për vizitorët u prezantua edhe ekspozita e fotografive dokumentare për Rugovën të fotografit Fahredin Spahia. Koleksioni fotografik iu dhurua Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë. Ekspozita “Kujtesa e Rugovës” në mbyllje të saj do të digjitohet dhe do të shndërrohet në një ekzpozitë virtuale, e cila do të mund të ‘vizitohet’ online në faqen zyrtare të BKSH-së.
Ekspozita “Kujtesa e Rugovës” do të qëndrojë e hapur për të gjithë vizitorët çdo ditë nga dt. 15 qershor 2016, nga ora 8:00 – 20.00 dhe gjatë fundjavës nga ora 08:00 – 14.00.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *