Pirro Mosi, fotografi që i bashkohet arkivit të Muzeut Kombëtar të Fotografisë “Marubi” me një koleksion prej 4203 imazhesh. Nesër datë 11 qershor 2016, ora 18:00 në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi” në Shkodër organizohet ceremonia e dhurimit të koleksionit të fotografit Pirro Mosi.
Pirro Mosi, lindi në 1.08.1927 në Shkodër në familjen e patriotit Hilë Mosi dhe u largua nga Shkodra në moshën 7 vjeçare atëherë kur i ati i tij ai u caktua në një detyrë tjetër në Postën e Tiranës, Elbasanit e për tu vendosur më pas në atë të Sarandës. Me një aktivitet mbi 40 vjeçar, Pirro Mosi është fotografi më i njohur i Sarandës dhe arkivi i tij konsiderohet një pasuri e veçantë për fotografinë shqiptare.
Ai është sot 90 vjeç, jeton në Boston të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe mendohet që arkiva e tij të ketë qenë një prej më të konsiderueshme në vend, por që pas trazirave të vitit 1997 pjesa më e madhe e saj u dogj. Ndonëse kjo është një ngjarje e trishtë për fotografinë shqiptare, ai dhuron arkivin e tij të mbetur, duke u njësur përgjithmonë me atërit e fotografisë shqiptare.
Në vetëm dy vite arkivi i Muzeut Kombëtar të Fotografisë “Marubi” u pasurua me 6.475 fotografi të tjera, pjesë e arkivit u bënë koleksionet e Mehmet dhe Osman Kallfës me 2272 fotografi dhe Pirro Mosit me 4203 fotografi, pjesë e të cilave disa dhe me ngjyra.
Pas inventarit të fundit të kryer më 31 dhjetor 2013, arkivi i Muzeut Kombëtar të Fotografisë “Marubi” rezultoi të ketë në arkivin e tij 493.819 fotografi në xham, plan dhe rul film. Për herë të parë pas 159 vitesh histori fotografie, me dy koleksionet e shtuara së fundi, numri prej 493.819 bëhet 500.294, më shumë se gjysëm milioni fotografi.
Ne gjithashtu ju bëjmë thirrje të sillni fotografitë tuaja, qoftë për t’i ruajtur, dixhitalizuar apo dhuruar ato pranë Muzeut Kombëtar të Fotografisë “Marubi” në Shkodër. Ne jemi të bindur se kështu ju i bëni një shërbim të konsiderueshëm vlerave të trashëgimisë kulturore ashtu sikur dhe memories historike.