Në panairin e librit në Prishtinë prezantohet për herë të parë një nga kryeveprat e Vladimir Nabokov “Ftesë për ndëshkim”, shkruan Flutura Açka nga “Scanderbeg Books”. Dhjetë ditët e fundit të të burgosurit me vdekje, Cincinatit, mbushin plot humor, befasi, padurim dhe pafajësi të përditshmen e tij. Cila është e nesërmja e fundit para gijotinës që e pret në shesh në sy të njerëzve për ekzekutim? Cincinati ynë është një njeri i marrosur pas librave, naiv deri në habi, i pafaj deri ne trazim, shpresues deri në marrëzi. Të gjithë rreth tij do të lozin me shtypjen që i jep atij ndjesia e së nesërmes së fundit. Mbase e fundit. Edhe ekzekutori i veshur me petk dashamirësi, edhe gardiani i veshur me vel miradije, edhe vogëlushja e drejtorit të burgut me lodrat prej dashnoreje të rritur, edhe gruaja me të shkuarën e paqartë, edhe besimi i tij që e çoi në pranga, do të lozin me zemrën e ndjeshme të Cincinatit. Ai është një heshtak, dikush që vetëm mendon, që nuk e di shqisën e përuljes nga mëshira, ai është dikush që e pranon fatin, si të gjithë ata që besojnë se bota është e drejtë.
E përkthyer mjeshtërisht nga Myrteza Shini, kjo kryevepër mbetet po aq kryevepër edhe në shqip. Një libër i rrallë, një ushtrim leximi dhe shkrimi, për ata që e shijojne letërsine si niveli i epërm i mendimit njerëzor.
Açka shton se “Myrteza Shini, ky përkthyes tejet i talentuar nga anglishtja, rusishtja dhe norvegjishtja, e ka braktisur tani Shqipërinë. Talenti i tij nuk e ka tunduar ndonjë juri ‘miqsh’ gjithë këto vite, edhe pse ka sjellë në shqip kryevepra. Kjo gjë më trishton, sepse do të kemi disa libra me pak të përkthyer mrekullisht”./Pasqyre.al