
Vetëm njeriu që e ka gjetur veten, njeriu që përkon me vetveten, me të vërtetën e tij të brendshme, është një njeri i lirë…. Lumturia, mendoi, bëhet nga gjëra të vogla. E pret gjithmonë me L të madhe, por ajo na vjen me këmbët e saj të brishta dhe mund të na kalojë nën hundë pa e vënë re”.
Romani “Sytë e verdhë të krokodilëve” të Katherine Pancol, përktheyer nga Lorena Dedja është botuar në shqipe nga “Pegi”. Ky roman flet për burrat dhe për gratë: për gratë që jemi e për ato që do të donim të ishim; për ato që nuk do të jemi kurrë e për ato që ndoshta do të bëhemi.
Kjo është historia e një gënjeshtre. Por është edhe një histori me dashuri, miqësi, tradhëti, para dhe ëndrra. Jozefina, heroina e kësaj historie, do të gjendet shumë shpejt e braktisur nga i shoqi, me të bijën që e përçmon, me një nënë që vetëm e kritikon dhe me një motër që e nënvlerëson. E megjithatë, dalëngadalë, ajo do të kuptojë se mangësitë e saj janë pjesë e pandashme e personalitetit të saj dhe se ajo duhet të jetë krenare për to. Për shembull, ajo beson se dinjiteti dhe pasuria shpirtërore janë më të rëndësishme se mirëqënia e vogël dhe e kotë e jetës së përditshme (sytë e verdhë të krokodilëve). Katherine Pancol është një nga autoret më të njohura në Francë dhe ky roman është vepra e saj më e njohur, një fenomen i jashtëzakonshëm, që ka shitur më shumë se dy milion kopje dhe është botuar në mbi 30 vende të botës. Ai është vlerësuar me çmimin “Maison de la Presse” në vitin 2006. Për shumë vite, Katherine Pancol ka dhënë leksione letërsie në universitet; më pas ka punuar edhe si gazetare. Romanin e saj të parë e ka shkruar në 1979, “Moi d’abord”. Ai do të ndiqet nga katër romane të tjera. Në 2006, lexuesit francezë zbulojnë librin e parë të një trilogjie “Sytë e verdhë të krokodilëve”. Ai do të ndiqej edhe nga dy romane të tjera, të gjitha me një sukses të jashtëzakonshëm. Libri i saj i fundit, Muchachas, është botuar në 2014.