Kujtimet e ish-kryeministrit, të pathënat e vitit unik 1991

Nesër, e Premte, 10 Qershor 2016, ora 13:00, në Hollin A, UET, promovohet libri “NË FILLIMET E TRANZICIONIT -Qeveria e Stabilitetit, një marrëveshje politike apo një kompromis i përkohshëm?”, botim i UET-Press me autor Ylli Bufin. Historia e krijimit të Qeverisë së Stabilitetit dhe zhvillimet politike ne Kuvendin e parë pas rënies së regjimit tregohen nga kryeministri i Qeverisë së Stabilitetit 1991, Ylli Bufi. Ky botim është pjesë e kolanës ‘Scripta Manent/UET-Press’ dhe vjen në kuadër të botimeve mbi Tranzicionin shqiptar, ku janë përfshirë libra studimore, me kujtime dhe publicistikë nga studiues ose aktorë të drejtëpërdrejtë të kësaj periudhe, si Preç Zogaj, Servet Pëllumbi, Spartak Ngjela, Adrian Civici, etj.
Libri
Prof. Dr. Afrim Krasniqi thotë se libri “Në fillimet e tranzicionit” ndihmon në njohjen e vitit të jashtëzakonshëm dhe unik 1991, të thënat e të pathënat rreth tij, diferencën midis Shqipërisë që aspiruam, Shqipërisë që gjetëm, Shqipërisë që kishim dhe Shqipërisë që lamë ditët kur morën udhën e tranzicionit, duke ditur destinacionin, por duke mos ditur rrugën që duhet të ndiqnim. Me syrin e studiuesit të proceseve politike, botime të tilla për situata kaq komplekse, të shpejta, plot të panjohura, të papritura dhe eksperimente, na lejojnë të provojmë tezën e V. Havel se “fati i shoqërive në tranzicion varet nga viti i parë i tij; nëse arrini ta kuptoni atë i keni kuptuar të gjitha, nëse arrini ta pranoni atë i keni pranuar të gjitha, nëse keni sukses përgjatë tij rruga e suksesit afatgjatë do të jetë më e lehtë, por nëse jeni të zhgënjyer prej tij me siguri zhgënjimi do jetë gjithashtu i gjatë”. Shqipëria e tranzicionit, në shumë aspekte, ka pasur dhe ka për simbol bilancin gri të vitit 1991 dhe gjithçka përfaqëson ai.
Autori
Ylli Bufi ka lindur në Tiranë, më 25 maj 1948. Ka kryer studimet universitare për Kimi Industriale, në Universitetin e Tiranës. Më pas vazhdoi studimet pasuniversitare në Francë. Ka gradën “Doktor i Shkencave”.
Karrierën profesionale e ka filluar në Industrinë e Naftës dhe atë Ushqimore më vitin 1971. Më vitin 1981 transferohet në Komitetin e Shkencës dhe Teknikës, pranë Këshillit të Ministrave, ndërsa më 1983 emërohet zv/ministër i Industrisë së Lehtë dhe Ushqimore.
Veprimtaria e mirëfilltë politike e tij fillon më vitin 1990, kur merr postin e Ministrit të Industrisë Ushqimore. Më pas ka qenë disa herë ministër në qeveritë socialiste. Në fillim të tranzicionit politik, më vitin 1991, merr përsipër detyrën e Kryeministrit të Qeverisë së Stabilitetit.
Ylli Bufi është zgjedhur deputet në Kuvendin e Shqipërisë, ku ka përfaqësuar qytetin e Fierit dhe atë të Patosit gjatë periudhës 1991-2009. Në katër legjislatura ka pasur funksionet e Kryetarit të Komisionit Parlamentar të Ekonomisë dhe të Financave dhe të Kryetarit të Komisionit Parlamentar të Aktiviteteve Prodhuese. Në legjislaturën 2005-2009 ka qënë zëvendës/Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë.
Ylli Bufi eshtë autor dhe promotor i disa ligjeve në fushën e ekonomisë. Ka drejtuar komisione dhe grupe pune ad hoc, si ato të reformës zgjedhore. Më vitin 2004 drejton komisionin për hartimin e Rregullores së Kuvendit. Si një nga përfaqësuesit e së majtës shqiptare dhe një nga politikanët konsensual të spektrit politik shqiptar, është shquar në negocimet për kapërcimin e ngërçeve politike në vend.
Ka botuar mjaft studime dhe artikuj të specializuar. Më vitin 2010 ka botuar librin “Tempulli i demokracisë”. Libri “Në fillimet e tranzicionit” është botimi i tij i dytë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *