GJERGJ META
Para disa kohësh, në kundërshtim me pjesën më të madhe të opinionit publik, i dola në mbrojtje një djali me emrin Sokol Mjacaj i cili kishte kryer krimin e vrasjes së dy turistëve çekë. Sigurisht nuk mbrojta veprimin e tij, por nuk pranova që Sokoli të quhej përbindësh, sikurse u vërsulën ta quajnë të gjithë, madje edhe njerëz që kanë një farë niveli kulturor.
Në ditën e djeshme dhe të sotshme ne u përballëm me dy video të cilat kishin filmuar dhunën ndaj dy grave. Njëra ishte akoma më e tmerrshme, pasi në mes ishin fëmijët. Të them të drejtën aty u rebelova shumë dhe e shpreha opinionin tim me disa eufemizma gati të skajshëm. Pse e bëra këtë?
Dhunimi i gruas është një plagë e thellë e shoqërisë tonë. Nëse vrasja e një turisti ka të bëjë me pakujdesin, apo me kriminalitetin i cili duhet të luftohet nga forcat e rendit, dhuna ndaj gruas dhe fëmijëve është një krim që ndodh në thelbin e jetës njerëzore:familja. Shpesh këto krime ndodhin në fshetësinë dhe heshtjen e varfërisë dhe të mjerimit kulturor apo ekonomik. Një turist mund ta vrasësh apo dhunosh për para, ndërsa një grua jo, një fëmijë jo. Në këtë rast ajo çka ndodh është akoma më e rëndë, sepse prek dimensionet më të thella të personit njerëzor. E kur kjo është nëna e fëmijëve, apo një grua me të cilën kë pasur të bësh nga pikëpamja afektive, apo është motra, nëna, atëherë është akoma edhe më e rëndë.
Një grua, një nënë nuk mund të mbrohet, ajo thjesht jeton në familje e në familje presupozohet se jetohet në siguri, i pafrikë, por në fakt ndodh shpesh e kundërta. Pikërisht në familje, brenda saj ndodhin këto raste dhune. E kur në mes janë fëmijët atëherë kemi të bëjmë me probleme akoma më të thella. Jam i bindur se ato fëmijë, e secili prej nesh që ka parë atë skenë, nuk do të harrojë përpjekjet e fëmijës për të mbrojtur të ëmën. Eshtë thjesht rrënqethëse.
Por më rrënqethës bëhet fakti kur merr vesh që ajo grua ka kërkuar tri herë urdhër mbrojtjeje, kur ajo grua ka kaluar natën në spital e vetme; kur shteti ynë dhe politika jonë në përgjithësi e ka kthyer reformën në drejtësi si mustaqet e Çelos. Këtu fatkeqësia bëhet akoma edhe më e madhe. Në rast se ajo grua ka kërkuar tre herë urdhër mbrojtjeje këtu dikush duhet të japë llogari, së paku dorëheqjen.
Nuk mund të barazoj rastin e Sokol Mjacajt me rastet e dhunës ndaj grave. Gratë shqiptare kanë qenë sistematikisht të nënshtruara e të dhunuara, pak nga zakoni e pak nga egërsia e një mashkulli tiran i cili ka parë te ajo ose një thes me mbajt fëmijët “e tij” ose një “vrimë” ku të shfryjë epshet e veta. Sigurisht nuk janë të gjithë meshkujt shqiptarë njësoj, por të gjithë mbartim në veten tonë ashpërsinë e një epërsie që mendojmë se është gati-gati e natyrshme e për këtë na duket se kemi të drejtë.
Të sulmosh një të pambrojtur e të pafuqishëm është e lehtë. Gratë dhe fëmijët kanë nevojë për mbrojtje prandaj çdo akt dhune ndaj tyre thjesht të krijon një rebelim të brendshëm. Sa shumë jemi rebeluar kur kemi dëgjuar për dhunën ndaj fëmijëve me rastet e pedofilisë madje edhe nga klerikë? Njësoj është edhe me gruan. Nuk mund të rrimë indiferentë ndaj gjërave të tilla, duhet të reagojmë e t’i themi STOP DHUNËS ndaj grave e ndaj të pambrojturve të çdo niveli.
Thuhet në Bibël se Zoti e krijoi gruan nga brinja e burrit. Nuk e krijoi nga këmbët që ai të mos e shkelte, e as nga koka që të mos ishte mbi të, por nga brinja: poshtë krahut, që ai ta mbronte e afër zemrës që ai ta dashuronte. Këto fjalë të fundit janë shqiptuar nga aktori italian Roberto Benigni që unë sonte dua t’i ndaj me të gjithë ju e t’ua kushtoj të gjitha grave në të gjithë botën.