Fatos Lubonja: Të burgosurit e Spaçit, skllevër pune

CDwhVScUsAAtrXw

Spaçi ose ‘burgu i harruar’ është muzeu në mungesë i kujtesës megjithëse prej vitesh jo pak flitet për të. Përfshirja në listën e Fondit Botëror të Monumenteve si trashëgimi në rrezik, e risjell në vëmendje… Në emisionin ‘Në Tempull’ të gazetares Anisa Ymeri në News24, publicisti Lubonja ndalet të thotë:

‘Kujtimi im është më i fortë se realiteti që shoh tani dhe ndonjëherë s’di të them se cili është realiteti, ajo që kam unë në mendje apo ajo që shoh këtu. Më mungon miniera, paraqitja e asaj zone ku ishte vërtet vuajtja. Askush nuk kërkon pak më thellë, ç’ishte ky vend, pse ishte ndërtuar atje. Sepse për të mësuar historinë, gjëja e parë që duhet të mësojnë të rinjtë dhe të tjerë që duhet ta rikujtojnë, është që Shqipëria ishte një vend Stalinist. Një nga tiparet e stalinizmit ka qenë përdorimi i të persekutuarve, të burgosurve politikë si skllevër pune. Pas vdekjes së Stalinit, në vende të tjera ndryshoi ndërsa në Shqipëri vazhdoi dhe në vitet ’70-të kur kam qenë unë, ka qenë edhe periudha më e egër. Tani aty mungon tamam kjo, çka qenë Stalinizmi. Pra njerëzit, të burgosurit e komunizmit që futeshin për të punuar si skllevër për të ndërtuar gjoja socializmin. Nuk e përfytyroj dot Spaçin pa minierën, pa mundësinë për të hyrë në minierë, për të parë se si punonin; jo thjesht për kujtesën por edhe kuptimit të asaj kujtese’.

Po çdo të thotë listimi i Spaçit në Fondin Botëror të Monumenteve, veç shumëçkaje tjetër? Kreu i ‘Trashëgimia pa kufij’ që ka lobuar përfshirjen e Spaçit në këtë listë, Lejla Hadzic thekson: Është një thirrje për vëmendje, jo vetëm për ta kuptuar se çfarë ka ndodhur aty, por edhe një drejtësi që u takon gjithë njerëzve që kanë vuajtur aty.

Publicisti Lubonja, i cili ka shkuar 11 vjetë të jetës së tij në atë burg dhe atë minierë që sot shfrytëzohet ende për të nxjerrë ç’të munden përfitime prej saj, zgjedh të theksojë se Spaçi na lipset shumë!
‘Na duhet ta njohim Spaçin, jo për kuriozitet por është realiteti që ne kemi ende sot në Shqipëri që është realiteti autoritar, i arrogancës së pushtetit, i vetë faktit që nuk kanë shkuar në 25 vjet politikanët për të parë këtë vend. Nuk është problem i së kaluarës por i së tashmes, se sa jemi ne të aftë për të ndryshuar historinë tonë, për të bërë një histori tjetër, për t’u çliruar nga shumë gjëra që na mbajnë ende peng. Kjo është një nevojë e përditshme, një rrezik që vazhdon’-thekson Z. Lubonja.

Po pse është domosdoshmëri t’i kthehemi të shkuarës…ta njohim mirë atë…?!
Lejla Hadzic pohon se: ‘Gjithë kjo që është shkatërruar dhe që ishte historike, ishte vendtakimi, vendbanimi, aty kanë qarë, kanë qeshur, kanë jetuar njerëz kjo s’duhet zhdukur. Ajo që më çudit më shumë është si ka mundësi që nuk ka inat për ta mbajtur atë dhe jo për ta shkatërruar’.
Ndërsa Lubonja bën këtë thirrje: ‘Të paktën të vendosim drejtësi në koshiencën tonë, në kujtesën tonë…sepse njerëzit s’kanë drejtësi as në kujtesë. Ju duket e parëndësishme por është shumë e rëndësishme të bësh drejtësi në kujtesë dhe ta gjykosh me drejtësi atë kohë’.

Po se çfarë muzeu duhet të jetë Spaçi, domosdo lipset një diskutim i thellë sepse nëse një ditë ai do të jetë muze, duhet të jetë vërtet muzeu i kujtesës dhe jo projekt i bërë nxitimthi për të mos mbartur atë që duhet të mbartë, njohjen dhe kujtesën.
(BalkanWeb)


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *