“Dhuna ndaj gruas është ende një betejë e vështirë”

Avokati i Popullit Igli Totozani deklaron se dhuna ndaj gruas është ende një betejë e vështirë, që duhet fituar. “Pamjet kur një burrë dhunon ish bashkëshorten në sy të fëmijëve janë ngjarje shokuese, të dënueshme si vepër penale, por janë edhe sjellje të pa tolerueshme për çdo shoqëri. Ato demonstrojnë dhunën që ushtrohet në shumë familje shqiptare, që fatkeqësisht në një pjesë të rasteve nuk denoncohet. Drejtësia duhet të flasë përmes ligjit për këtë ushtrues dhune në familje, që nuk heziton të zbrazë instiktet e tij agresive edhe në sy të fëmijëve të mitur.
Agresori I. P. që pamë në atë video shokuese nuk është i vetmi që guxon të dhunojë gratë. Janë shumë gra shqiptare, sot, të cilat jetojnë nën terrorin e dhunës fizike apo psikologjike të burrave të tyre. Ndaj të gjithë së bashku kemi detyrimin të ngrihemi dhe të kundërshtojmë fort këtë model të shëmtuar, që vret dhe sakaton njeriun e pafajshëm, por shkatërron edhe familjen e të ardhmen e fëmijëve”, shprehet Avokati i Popullit, z. Igli Totozani. Sipas tij, shteti duhet të marrë në mbrojtje gruan e dhunuar dhe fëmijët e saj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *