Kënga “Besoj” e autorëve Adi Hila dhe Pandi Laço interpretuar nga Klesta Qehaja, do të përfaqësojë Shqipërinë në Junior Eurosong 2016, në muajin nëntor, në Maltë.
Dje në mbrëmje, në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit u zhvillua edicioni i 52-të i Festivalit për Fëmijë, ku morën pjesë 14 këngëtarë për garën e madhë të Junior Eurosong. Për dy orë publiku në sallë dhe teleshikuesi nga shtëpia, që e ndoqi Festivalin përmes Televizionit Shqiptar, si dhe ai europian në transmetimin e web-it të Eurosong përjetoi emocione të bukura të një gare interesante, si dhe momente show me të ftuar artistë të skenës si Venera Lumani, Rosela Gjylbegu e Landi Hysa, të cilët kënduan hite të muzikës për fëmijë me prezantuesit e vegjël të spektaklit, Nikol, Noa dhe Aroni. Ndërsa, prezantuesi tjetër Roan, realizoi një ëndërr të bukur që emocionoi mjaft, duke interpretuar me prindërit e tij, yjet e baletit shqiptar Enada Hoxha dhe Gerd Vaso.
Më tej, baleti dhe disa prej hiteve muzikore të filmave shqiptarë ishin të tjerë momente të spektaklit, që dhanë mjaft atmosferë dhe alegri në publik. Por, padyshim një nga momentet më të bukura të Festivalit ishte ai kur një nga emrat më të rëndësishëm të muzikës për fëmijë, Robert Radoja interpretoi ‘live’ pas më shumë se 40 vitesh së bashku me këngëtaren Irma Libohova këngën “Gabimi i Mirelës”. Kënga e parë e Irmës, interpretuar në moshën 9 vjeçare në Festivalin e Fëmijëve. Në skenë prezantuesja Noa ftoi krahas Radojës dhe Libohovës edhe gjyshin e saj, regjisorin Haxhi Rama, tekstshkrues i kësaj kënge, që vijon të jetojë dhe preferohet jo vetëm nga brezi nostalgjik.
Çmimet u pritën në skenë me dy nga yjet e Eurosong 2015, të cilat u mirëpritën me brohorima në sallë, përfaqësuesen shqiptare, Mishela Rapo dhe fituesen e Junior Eurosong 2015, Destiny Chukunyere. Në një performoncë e rrallë, ku dy konkurrentet që i bashkoi muzika, sot mikesha interpretuan kenget e tyre dhe treguan që muzika dhe arti nuk njeh ndasi kufijsh!
Çmimi Interpretuesi më i mirë shkoi për këngëtarin Dario Zela, të cilit iu dha nga drejtorja e Festivalit, dhe e Qendrës Kombëtare të Fëmijëve Monika Lubonja.
Çmimi i tretë u nda në mënyrë të barabartë për dy këngë: “Music makes my day” dhe “Mirëse erdhe flutur”. Këtë çmim e dha në skenë Nëndrejtori i RTSH, Martin Leka.
Çmimi i dytë shkoi për këngën ” Si fluturim”, dhe u dha në skenë nga Presidenti i Jurisë, Gordon Bonello, kompozitori dhe producenti i Junior Eurosong.
Për të dhënë Çmimin e Parë, këngës “Besoj” në skenë u ngrit Ministria e Kulturës, Mirela Kumbaro, e cila uroi dhe fëmijët në ditën e 1 Qershorit!
Edicioni i 52-të i Festivalit për Fëmijë u realizua nën drejtimin e Monika Lubonjës, drejtore e Qendrës Kombëtare të Fëmijëve dhe u mbështet nga Ministria e Kulturës, RTSH, si dhe sponsor Banka Credins, atelie Enada At’Nikolla dhe Grand Idea.
Juria e Festivalit u përbë nga:
President Jurie: Gordon Bonello, kompozitori dhe producenti i Junior Eurosong
Anëtare jurie: Olga Salamakha, kordinatore projektesh e EBU dhe drejtuese e delegacionit Biellorus ne Junior Eurosong.
Anëtar Jurie: Aleksandër Lalo, kompozitor
Anëtar Jurie: Martin Leka, Nëndrejtor i Radio Televizionit Shqiptar
Anëtar Jurie: Adelina Mamaqi, autore 60 teksteve për fëmijë dhe anëtare e Antologjisë Botërore të Librave për Fëmijë, redaktore fëmijësh për dy dekada.
Anëtar Jurie: Irma Libohova, një nga artistet më të rëndësishme të muzikës shqiptare
Anëtar Jurie: Era Rusi, këngëtare.
Çmimet si më poshtë:
Çmimi i parë me vota unanime të jurisë shkoi për këngën “Besoj”. Autorë: Muzika: Adi Hila, Teksti: Pandi Laço, Këngëtar: Klesta Qehaja.
Vendi i dytë kënga “Si fluturim”. Muzika: Diana Ziu, Teksti: Moza Bici, Këngëtar: Jasmina Hako
Çmimi i tretë “Music makes my day”. Muzika: Olta Boka dhe Marko Strazmiri. Teksti: Rovena Rozhani, Këngëtar: Marko Strazimiri
Interpretuesi më i mirë Dario Zela me këngën “We need love”. Autorë: Muzika Adi Hila dhe tekst Rovena Rozhani.