Gjirokastra, një traditë e mirë për edukimin me trashëgimi kulturore

31 pjesëmarrës nga Shqipëria, Rajoni dhe vise të largëta si Shtetet e Bashkuara u mblodhën në Gjirokastër në Kampin e 27-të Rajonal të Restaurimit që u organizua në datat 16 – 28 Maj, 2016 nga Fondacioni Trashëgimia Kulturore Pa Kufij – Shqipëri. Krahas kampit restaurues në Gjirokastër u përmbyll me sukses edhe Kampi i 26-të Rajonal i Restaurimit në Rogljevo, Serbi.

Puna në terren dhe leksionet përgjatë kampit në Gjirokastër u drejtuan nga ekspertë të trashëgimisë nga Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Suedia, Shqipëria dhe Serbia. Gërshetimi i ekspertëve ndërkombëtarë dhe mjeshtrave lokalë me profesionistët e rinj pjesëmarrës në kamp ka krijuar tashmë një traditë të mirë për edukimin dhe përfshirjen e brezit të ri në çështjet e trashëgimisë kulturore në Shqipëri.

Puna e kampit të restaurimit në Gjirokastër u përqëndrua në punime suvaje, druri dhe guri. Një nga ndërhyrjet më të rëndësishme të kampit qe ajo në “Sokakun e të Marrëve“. Nevoja për pastrim, riparim dhe plotësim në pjesë të ndryshme të tij u përmbush nga pjesëmarrësit në kamp duke përdorur mjete dhe teknika tradicionale nën mbikqyrjen e mjeshtrave gjirokastritë me përvojë.

Për Bashkim Loloçin, mjeshtër guri nga Gjirokastra, “puna në terren është shumë e rëndësishme pasi për të ruajtur një qytet të vjetër duhen ruajtur mjeshtëritë e vjetra”.

Taylor Chenevert, që erdhi nga SHBA-ja për të marrë pjesë në Kampin Rajonal të Restaurimit, rrëfen se kjo eksperiencë ka lënë mbresa të pashlyeshme tek ajo. “Kjo eksperiencë ka qenë një ndër më të bukurat e jetës sime. Punoj me zell me të gjithë kolegët në Kamp dhe jam shumë e lumtur që gjendem në Gjirokastër. Ketu jo vetëm që kam njohur në kulturë të re, por jam përfshirë edhe në restaurim. Ndiej që kjo jo vetëm që më shërben mua, por edhe vendit ku po punoj”, rrëfen ajo.

Për Birgitta Jansson, Drejtore e Agjencisë Suedeze të Zhvillimit (SIDA) në Tiranë, projekti i Kampeve Rajonale të Restaurimit është një mënyrë që të rinjtë në Ballkan të ndiejnë dhe besojnë që kanë të ardhme në vendet e tyre.

“Është e rëndesishme për ne që t’i bëjmë të rinjtë e rajonit të besojnë që mund të punojnë së bashku dhe ndërtojnë të ardhmen në vendet e tyre dhe jo gjetkë. Është e mrekullueshme vazhdimësia e këtij projekti të CHwB Shqipëri. Të rinjtë që takova po punonin zellshëm me njëri-tjetrin dhe bësoj se kjo është një pikënisje për të ndërtuar gjëra së bashku, për të ndërtuar një të ardhme të re”, do të shprehej ajo.

Višnja Kisić, Sekretare e Përgjithshme e Europa Nostra Serbi, u shpreh se “këto platforma janë një ndër mundësitë unike për të ndërtuar ura ndërmjet vendeve të rajonit”.

“Trashëgimia në Ballkan është përdorur për manipulime politike dhe ndërtuar identitete të kontestuara. Ndaj, kampet, janë vendi i duhur për t’i rrahur këto çështje. Kampi nuk i vendos pjesëmarrësit thjesht të punojnë në një vend, por ngjall gjithashtu diskutime e debat për vlerat dhe kuptimin e trashëgimisë dhe sesi mund të punohet me to”, nënvizoi Dr. Kisić.

Të vlerësuara me çmime ndërkombëtare, kampet rajonale të restaurimit këtë vit vijnë me 7 vendndodhje të ndryshme në Ballkanin Perëndimor. Risi do të ketë edhe me tematikat, ku përveç temave klasike si konservimi i monumenteve, do të serviren edhe tema të reja si Artet dhe Zejet tradicionale. Kampet Rajonale të Restaurimit zhvillohen me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe Universitetit të Tiranës si dhe financohen nga qeveria suedeze dhe Fondi Shqiptaro-Amerikan për Zhvillimin.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *