Nga Arbi Kasapi
Me një sipërfaqe prej 28,784 km2, ferma që deri dje mbante emrin e një njeriu, prej më shumë se dy dekadash i ishte kthyer kafshëve që jetonin në të.
Me “fitoren e madhe” dhe me krijimin e asaj që kafshët e quajtën “animalizmi” (demokracia e tyre), u nënshkruan një sërë rregullash, në fakt 7 gjithsej, ku parashikohej dhe rregullohej jeta dhe detyrat e gjithkujt.
Në shtëpinë e madhe ku kishte jetuar njeriu i vetëm, llogaria e kafshëve nxorri se aty mund të zinte rreth 140 kafshë të ndryshme, por pikësëpari të përgjegjshme dhe me detyra të rëndësishme për mbarëvajtjen e një ferme jo pak të vogël.
Në “fitoren e madhe” spikatën derrat si raca më e zgjuar dhe më e prirur për të mësuar shkrim e këndim. Detyra për të shpjeguar animalizmin u ngeli atyre. Shumë prej derrave nisën të shihnin tek kafshët e tjera mundësi të mira për të bërë aleanca. Qentë ishin personat e duhur, të cilët pas shumë kohësh u futën në shtëpinë e madhe
Duhet thënë se kishte, përveç derrave dhe qenve, edhe kafshë të tjera. Kuajt dhe delet ishin dy raca që e gjetën vendin e tyre në shtëpinë e madhe… si edhe një mace. Dy derra spikasnin, një i ri dhe një i vjetër. Shpesh herë shtëpia e madhe kthehej përmbys vetëm sepse këta të dy nuk mund të pranonin mendimet e njëri tjetrit, apo të binin dakort për ndonjë gjë.
E kështu, u pa e vendit që të krijohej një rregull i ri përveç 7 parimeve të animalizmit. Një gic i vogël shpesh i thërriste qentë me ledhati “o kriminel” sepse nuk u mbante mend emrat të gjithëve. E kështu ngeli dhe emri i rregullit të 8. Rregulli për kriminelët.
Kafshët që kishin kthetra dhe dhëmbë të mprehtë do duhet të largoheshin nga shtëpia e madhe. Ky rregull, edhe pse kishte debate mes dy derrave kundërshtarë, do të ishte në akord me parimin e parë të animalizmit, i cili thoshte se të gjitha kafshët janë të barabarta dhe se asnjë nuk ka të drejtë të vrasë apo kërcënojë kafshët e tjera të fermës.
Me vendosjen e rregullit, dy grupet kryesore të derrave u vunë në vështirësi, pasi secili “dispononte” nga një grup qensh, në rast të ndonjë rreziku. Macja nga ana saj nuk ndihej shumë dhe thoshte përherë po, duke ja lënë të tjerëve detyrën e debateve për Animalizmin.
Korbat nga ana tjetër bënin punën e tyre. I thonin kafshëve se ushqimi është rritur me 200% në krahasim me kohën e atij njeriut… edhe pse përsëri, jetesa ishte jo e kollajtë. Madje kishte korba të udhëzuar që thonin se ushqim ka, por kafshë nuk ka shumë.
Ushqimi nuk dukej i rritur 200%… edhe pse kafshët s’merrnin erë shumë nga numrat dhe prodhimi i ushqimeve. Ndaj dhe korbat e kishin aq të kollajtë për t’ja ndërruar dyshimin në heshtje.
Me kalimin e kohëve mbledhjet ishin bërë të ditpërditshme. Kuajt e shtëpisë së madhe thonin që derrat kanë të drejtë gjithmonë, korbat flisnin pa pushim për arritje, delet e shtëpisë blegërinin parimet dhe punët e mëdha të njërit prej derrave që përkrahnin.
Por një ditë, diçka e papritur ndodhi. Një qen ju turr një grupi kafshësh. Kishte dashur t’i merrte ushqimin. Nuk pati të lënduar pasi qenit nuk i doli e nevojshme që të kafshonte ndokënd… kafshët u larguan të frikësuara dhe e lanë ushqimin e tyre aty. I pashqetësuar, qeni kreu pjesën tjetër.
Prej kësaj ngjarje plasi lufta në shtëpinë e madhe, pasi derri plak akuzonte të riun se një qen i tij kishte dashur të vriste kafshët e fermës. Një deklaratë e tillë u rrëzua me tone të ashpra nga derri i ri…
Nuk kaluan shumë kohë dhe na doli që një qen, përkrahës i derrit të vjetër, kishte sulmuar jo një, po disa herë kafshët e fermës. Madje, ndryshe nga rasti i ditëve më parë, kishte kafshuar dhe gjakosur kafshët.
Ky ishte momenti kur në shtëpinë e madhe u vendos që të vihej në praktikë rregulli i tetë. Largimi i qenve nga shtëpia. Kështu ndodhi. Të gjithë u larguan. Mbetën derrat, disa kuaj e dele… dhe sigurisht macja.
Për një copë kohë, moti në fermë ishte i qetë dhe nuk pati sherrnaja në shtëpinë e madhe. Ferma kishte kohë pa shijuar një klimë kaq të qetë… pavarësisht se ushqimi nuk ishte i bollshëm.
Kalon një vit dhe mbledhjet bëhen aq të shpeshta saqë nuk kishte kohë as për të planifikuar për prodhimin e ushqimit dhe gjërat e tjera të nevojshme. Kishte plasur sërish lufta mes dy fraksioneve të derrave… por beteja mbaroi dhe shumë kafshë e pritën me një habi prej truthari atë që për më shumë se një muaj ishte e vetmja gjë që shihje dhe dëgjoje në fermë.
Një grup i kafshëve i drejtohet shtëpisë së madhe, i shtyrë nga kurioziteti për të zbuluar heshtjen pas furtunës mëse një mujore në mes të dy derrave lider.
Dikush nga kafshët zgjat kokën për të parë nga dritarja e shtëpisë së madhe. Ç’ të shihte! Derrat ishin bërë njerëz… dhe po hanin mish qeni të pjekur…
*Ferma e Kafshëve është një libër i George Orwell, një alegori prej 100 e ca faqesh, që tregon me kafshët e fermës…kalimin e Rusisë nga pushteti i Carit në revolucionin e derrave (komunistëve). Duke u bazuar tek e njëjta alegori, shkrimi i mësipërm është një satirë për çerekshekullin e shtëpisë së madhe (parlamentit shqiptar) dhe efektet që do të japë dekriminalizimi i famshëm, ose “rregulli i 8”./Javanews