Shtëpia Botuese OMSCA-1 ka nxjerrë në qarkullim librin me poezi “Shpirti vallëzon në djep” të autorit danez Niels Hav, përkthyer nga Kujtim Morina me redaktor Loredan Bubani. Niels Hav është një poet dhe prozator i tregimeve të shkurtra në profesion të lirë që jeton në Kopenhagen. Ai konsiderohet aktualisht si një zë i njohur i letërsisë bashkëkohore skandinave me poezitë dhe prozën e botuar në shumë revista letrare dhe antologji, si në anglisht, arabisht, spanjisht, italisht, turqisht, holandisht, gjuhën kineze, farsi etj. I rritur në një fermë në Danimarkën Perëndimore, Niels Hav banon aktualisht në zonën më të larmishme dhe shumetnike të kryeqytetit. Ai udhëton shpesh në Europë, Azi, në Amerikën Veriore dhe Jugore. Mbështetet gjithashtu nga Fondacioni Danez i Arteve.
Virion Graci ka shkruar për të se “ka tekste letrare të cilat gjatë leximit të nxisin të shkruash për to e kur i ke përfunduar së lexuari sikur të luten të mos shkruash për to, t’i lësh të qeta në ekzistencën e tyre plot ambiguitet e pafajësi. Paradoksale por ja që ndodh… Duke pasur në mendje poezitë e zgjedhura të Niels Hav, përkthyer bukur në shqip nga Kujtim Morina, bëhet shkak vetë natyra e poezive të tij për të qenë ngurues për të shkruar rreth tyre; ngurues jo se nuk ke ç’farë të nxjerrësh në dukje prej tyre por sepse secila poezi e tij është në kufijtë e skajshëm të ironisë dhe të parodizimit të botës e nuk mund t’i përshtatet mirë një metatekst, një koment”. Sipas Gracit, në të tilla kushte bëhet e panevojshme t’iu prish lexuesve të tjerë për në labirintin e poezive të N. Hav aq më tepër kur ky nuk është një labirint i poetikave tradicionale e as i prozodisë klasike por labirinti bashkëkohor i vetë shoqërisë urbane, tërësia e sendeve dhe e sjelljeve të zakonshme që janë karakteristikë për shumicën e njerëzve sot.
Ndërkaq, i pyteur në një intervistë se tek “Stilolapsi im fantastik” ju shkruani “poezia nuk është për çamarrokët!”, a shpreh kjo gjithashtu pikëpamjen tuaj për poezinë?, Niels Hav ka thënë “Kjo është një pyetje e mirë, me shumë kuptime. Poezia është natyrisht për çdokënd, poezitë i adresohen cilitdo. Por këtu flas për profesionin, zejen, praktikën e përditshme të të shkruarit të poezisë. Ajo kërkon kurajë dhe forcë morale për të punuar në këtë fushë. Një prirje për të hequr dorë nga lirika intime dhe emocionalja e papërmbajtur e kërcënon gjithnjë për ta fundosur poezinë. Karakteristika e poetëve të mirë është: të gjitha poezitë e këqija që nuk i kanë shkruar”. Sipas tij, poezia përmban elemente të muzikës dhe të argëtimit, por jo vetëm këto. “Koha kalon, ne jetojmë dhe vdesim. Bota është në zjarr. Politika, bombat, ideologjia dhe religjioni po e rrënojnë botën. Kjo është çfarë po flasin të rriturit – dhe, në thelbin e saj, sfida për art është t’i bashkohesh këtij bashkëbisedimi. Të gjesh dhe të kuptosh çfarë po ndodh dhe, nëse është e mundur, t’i thuash gjërat siç janë”, shtuar Hav. Prandaj, sipas tij, po, poezia – si profesion- nuk është për çamarrokët. “Ju duhet të përballni veten dhe të shikoni realitetin, Zotin ose atë që është, drejt e në sy. Detyra e parë e poezisë është të jetë një bisedë intime me çdo lexues rreth mistereve më të thella të ekzistencës”.
Epigram
Ju mund të harxhoni tërë jetën
në kërkim të një fjale,
pa e gjetur asnjëherë
atë.
Tamam si ai peshku fatkeq
i paketuar në letër gazete hungareze:
Për dikë ai është i vdekur,
për dikë tjetër ai thjesht nuk kupton
hungarisht.