“Këto ditët e fundit kam qenë tejet e shqetësuar. Unë i vuaj shumë problemet e pacientëve të mi. Pacienti im VIP, ish-guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani është në gjendje të rëndë emocionale. Megjithë punën time të palodhur prej muajsh, kam arritur në konkluzionin se dëmi ndaj tij është i pariparueshëm. Ndonëse ky është dështim profesional për mua, se nuk arrita ta shëroja, së paku pacientit tim, kjo do i shërbejë për t’u dëmshpërblyer në të ardhmen. Do punoj me këmbëngulje çdo ditë për përmirësimin e tij”. Psikologia X.Y.
Një mik i imi nga guverna kish arritur të shtinte në dorë, ditarin e psikokoges së ish-guvernatit Ardian Fullani dhe e kënduam sot me një ndjenjë të thellë pezmi në shpirt. Ma lexuan edhe mua ngase duke qenë mjek i shkolluar në Shkollat e njohur të Avropit, një farë kohe qeshë marrë edhe me psikologjinë. Dhe unë i jap tepër të drejtë koleges sime mjeke.
Dëmi psikologjik që shoqëria jonë i ka bërë ish-drejtonjësit të Bankës së Shqipërisë është i pariparueshëm dhe ky është një lajm i trishtë për të tërë ne. Ditari i saj tregonte pak a shumë tërë ndryshimin drastik të jetës së tij, nga sallonet e ‘alta moda’ në kthinat e rreckave të tregut, siç po e riprodhoj me sa mbaj mënt më poshtë.
Se si kemi mundur ne ta degradojmë atë njeri, nga një i tërë në një gjysëm njeri, nuk e di. E keni parë kur ecën i përhumbur rrrugëve të Bllokut? E keni parë kur darkon në restorante e asaj zone me çehre të zabhetë e me moral të rënë? E keni parë sa i përhumbur është kur i hedh hapat kuturu? Si mundëm ne t’ia bëjmë jetën copë e thërrime ish-guvernatorit, që nga ecejaket në degët e thesarit të bankës, ecën tani në rugët tërë gropa të bllokut?! E ç’faj kish ai për 7 miliardë lekët e zhdukura? Pse roje ishte ai? Jo, nuk ishte rojë. Megjithatë ne nuk e kursyem, i shkaktuam një dëm të madh e të pariparueshëm; nga një njeri që ndiqte takime të niveleve të larta, tani, është është kthyer në një ‘laro’ që endet rrugëve i panjeri; nga një njeri që kish në dorë paratë e shqiptarëve, ai tani ka në xhep vetëm paratë e tija, ndoca monedha sa për një kafe a për një darkë; nga një njeri që rrinte me ministra e kryeministra, ai tani rri me pensionistët që s’kanë ç’bëjnë; dikur i biri fshinte djersët me kartmonedhë 500 euroshe, tani nuk duket gjëkundi;dikur familja e tij bënte pushime luksoze, lahej me shampanjë, kishte makina super të shtrenjta, kishte celularë të larë me flori, koleksione orësh me vlerë mijëra euro ndërsa sot presin rrogat e muajit që të shkojën për pushime në Qerret; e kuptoni ç’i ka ndodhur guvernatorziut? Ai ish-mbret e kalorës, as pasha jo. Doemoes të tëra këto kanë ndryshuar katërcipërisht jetën e tij dhe dëmi psikologjik ka qenë i jashtëzakonshëm: kësaj i thonë të gdhihesh mbret e të ngrysesh lypsar. Është njësoj si t’u nxjerrin nga parajsa e t’u çojnë në ferr; si t’u marrin nga Parisi për tu lënë të jetoni në Paskuqan, ose në Ndërmenas; si t’u nxjerrin nga sarajet për t’u lënë të jetoni në një shpellë; e mbase të gjitha këto një njeri i thjeshtë nuk i kupton se nuk i ka njohur salltanetet, por për ne që i kemi njohur dhe i dimë, na besoni që janë fort tronditëse; andaj mos e gjykoni Fullanin, mos e gjykoni pa e kuptuar se nuk arrini dot ta kuptoni. Atëkohë që ai u arrestua, media pat shkrojtur se Fullani kishte dhomë gjumi 200 mijë dollarëshe në zyrë, si edhe restorant e kënd sportive në Bankë. Atëkohë u paragjykua, po asnjë se vuri ujin në zjarrë të pyeste, pse i kish? Sepse ai qëndronte në punë 24 orë! Ja pse i kish!
Dihet që paraja nuk e blen lumturinë, po më besoni që rehatinë e blen dhe e lan me ar. Dihet që pushteti dhe postet të stresojnë, se halle të mëdha bartin mbi supe ato çashtje të randësishme, por ju të papunët e dini fort mirë sa të streson papunësia, e nëse në pikën e parë nuk e kuptuat atë, kuptojeni në këtë pikë.
Unë e kuptonj shumë mirë zotërinë, kur mendoj qysh i kaloja motet në kafeshantanët e Evropës dhe si ia bëj tani në zgëqet e Tiranës.
Ne shpresojmë që gjysëm milioni euro dëmshpërblim do i mjaftojnë ish-guvernatorit për t’u kuruar mendërisht, për të rimarrë veten, për tu qetësuar, nga ajo mënxyrë që e bënë të heqë e të vuajë.
I Juaji, i Drejti dhe i Pacensuruari, Dr.Gjilpëra