Shkodra do t’u bahet NANË tre vajzave të abuzuara!

Dom Gjergj Meta

Këto dy ditë Shkodra po kalon një moment të vështirë. Lajmet flasin për abuzime me tre të mitura në një qendër fëmijësh. Ky si lajm është në vetvete shumë i rënde, e nëse vërtetohet dhe nxirret në të gjitha përmasat për të cilat flitet në media, atëherë kjo është edhe më e rëndë. Ato fëmijë duhet të gjejnë drejtësi. Kjo është e panegociueshme ashtu sikurse duhet të ndodhë me çdolloj abuzimi me fëmijë kudo që të ndodhë.

Në një portal të rëndësishëm online sot aludohej se këto abuzime mund të kenë ndodhur në gjirin e familjeve shkodrane që i kanë pritur për bamirësi këto fëmijë. Kudo të ketë ndodhur është prapë e rëndë.

Por Kujdes! Këto aludime, pa konfirmim nga organet kompetente, mund të çojnë drejt stigmatizimeve perverse.

Kujdes me Shkodrën! Ajo është qendra e arsimit dhe rrënja, vatra e nana e edukimit të shumë brezave. Aty janë formuar e vazhdojnë të formohen me kulturën më të mirë djem e vajza, të mitur e të rritur. Në Shkodër gjen dashninë për jetën dhe të bukurën. Shkodra asht dashni.

Jam i sigurtë se Shkodra edhe këtë tërmet do ta jetojë me dinjitet, sepse Shkodra nuk është abuzuese. Ajo është thjesht Shkodra! Ajo ka të murosur një grua që është nënë dhe viktimë e shekujve. E kjo Shkodër do t’i bëhet NANË atyre tre vajzave sido që ta murosin!

E keqja bren veteveten, por jo Shkodrën!

Nga një jo-Shkodran!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *