Nderim i trefishtë i Kadaresë në Pejë.
I përkthyer në më shumë se 45 gjuhë të botës, fituesi i shumë çmimeve letrare, Ismail Kadare, këtë fundjavë vjen në Kosovë për të pranuar Çmimin “Azem Shkreli”. Në mbrëmjen e së premtes Kadare do të ketë takim me lexuesit e tij, ndërsa në paraditen e së shtunës do të pranojë Çmimin “Azem Shkreli”, që i ndahet në kuadër të takimeve ndërkombëtare letrare “Azem Shkreli”. Përveç kësaj, qyteti i Pejës ka shpallur Kadarenë “Qytetar Nderi”, derisa në bibliotekën e qytetit “Azem Shkreli” do të hapet këndi me emrin e Ismail Kadaresë.
Nga Dafina Kabashi, “Zëri”
Krahas kësaj, në edicionin e 14-të të takimeve letrare “Azem Shkreli” do të marrin pjesë shkrimtarë nga Kosova, Shqipëria, Amerika, Turqia, Maqedonia, Mali i Zi, Sllovenia e Bullgaria.
Engelbert Zefaj, drejtor në Drejtorinë për Kulturë në Komunën e Prishtinës, ka thënë për “Zërin” se tashmë kanë përfunduar edhe përgatitjet e fundit rreth aktiviteteve, mysafirëve dhe lokacioneve, ku do të mbahen takimet letrare “Azem Shkreli”.
“Zakonisht në takimet ndërkombëtare letrare ‘Azem Shkreli’ ndahen tri çmime: Çmimi ‘Bulëzat’ për poetë të rinj, Çmimi ‘Azem Shkreli’ për fituesin e vitit dhe Çmimi ‘Poezia më e mirë’”, ka treguar Zefaj, duke shtuar se fituesi i çmimit kryesor do të jetë shkrimtari i shquar Ismail Kadare. “Kadare do të na nderojë direkt me pjesëmarrjen e tij në këto takime”, shprehet Engelbert Zefaj për shkrimtarin, i cili në vitin 2015 u nderua me Çmimin “Jerusalemi”. Çmime të ndara për Kadarenë janë edhe ai i Panairit të 17-të të Librit në Tiranë, ku i është ndarë Çmimi “Jeronim de Rada”, Çmimi “Ali Podrimja” në Kosovë dhe Çmimi “Rexhai Surroi” për romanin “Darka e gabuar”.
Ai thotë se për vetë faktin që Kadare ka pranuar personalisht të vijë në Pejë nga Parisi për të pranuar çmimin, do të thotë se ai e ka mirëpritur këtë çmim. “Ai është ndier shumë i nderuar që merr Çmimin ‘Azem Shkreli’ sepse ka një respekt të jashtëzakonshëm për Azem Shkrelin”, ka thënë Zefaj, duke shtuar se shkrimtari shqiptar vjen në Pejë në mbrëmjen e datës 20 maj. “Në po këtë mbrëmje, nga ora 19:00, do të jetë një takim publik i Ismail Kadaresë me lexuesit dhe nënshkrimi i librave”, është shprehur Engelbert Zefaj, duke treguar se ky është takimi i vetëm i Kadaresë me lexuesit e tij.
“Më datë 21 maj, në orën 11:00, është ceremonia qendrore e takimeve ‘Azem Shkreli’, ku Ismail Kadaresë do t’i dorëzohet Çmimi ‘Azem Shkreli’”, ka thënë Zefaj. Në po të njëjtën ceremoni, Zefaj tregon se Kadaresë do t’i dorëzohet Çmimi ‘Qytetar i Nderit’, të cilin do ta marrë nga Komuna e Pejës. “Komuna e Pejës e ka shpallur ‘Qytetar Nderi’ Ismail Kadarenë në mbledhjen e mbajtur më 10 maj”, ka thënë ai.
Në të njëjtën ditë do të inaugurohet edhe këndi “Ismail Kadare” në bibliotekën “Azem Shkreli”, në qytetin e Pejës.
“Në këtë edicion ka qenë sfiduese të sjellim Ismail Kadarenë, sepse nuk është e lehtë t’i lëvizësh këto personalitete”, është shprehu Engelbert Zefaj, sipas të cilit, të vijnë këto personalitete është problematike edhe të organizohen dhe t’i presim në mënyrën e duhur.
Ai ka treguar se për dy ditë sa do të mbahen takimet letrare “Azem Shkreli”, më 20 dhe 21 maj, do të ketë edhe aktivitete të tjera kulturore të cilat do ta karakterizojnë këtë ngjarje kulturore të letërsisë.
“Do të ketë shkrimtarë që vijnë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga Sllovenia, Bullgaria, Shqipëria, Maqedonia, nga Kosova”, ka thënë Zefaj, duke shtuar se shkrimtarët janë përzgjedhur në bashkëpunim me ambasadat respektive që ndodhen në Kosovë. “Do të marrin pjesë rreth 30 poetë, të cilët kanë marrë pjesë në konkursin e poezive dhe ato janë përzgjedhur si poezi fituese”, ka treguar ai.
Engelbert Zefaj ka thënë se në ceremoninë qendrore do të marrë pjesë edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Greg Delawie, me ç’rast do ta mbajë edhe një fjalim. “Ambasadorët na kanë ndihmuar shumë që t’i sjellim shkrimtarët nga vendet e tyre”, ka thënë Zefaj, derisa ka treguar se Takimet Ndërkombëtare Letrare do të mbahen në teatrin e qytetit “Istref Begolli”, në sallën e Asamblesë Komunale, në Galerinë e Arteve dhe në bibliotekën “Azem Shkreli”.
“Në hapjen e takimeve letrare ‘Azem Shkreli’ do të dorëzohet Çmimi ‘Bulëza’, do të lexohen dhjetë poezi. Në ceremoninë qendrore, kur edhe ndahen çmimet kryesor për Kadarenë, po ashtu do të lexohen dhjetë poezi dhe në takimin përmbyllës, ku ndahet çmimi për “Poezinë më të mirë”, lexohen dhjetë poezi”, ka thënë Engelbert Zefaj, sipas të cilit, poezi do të lexohen edhe në inaugurimin e këndit “Ismail Kadare”, në bibliotekën “Azem Shkreli”. Zefaj ka treguar se këtë vit ka pasur ndryshime tek përzgjedhja e poezive fituese. “Në edicionet e kaluara poezia ka qenë e kodifikuar dhe jo me emër dhe mbiemër të autorit, kështu kanë fituar poezitë pa e ditur se kush është autori i saj”, është shprehur Engelbert Zefaj, duke shtuar se një punëtori do të mbahet nga poetja amerikane Elizabeth Acevedo. Ajo do t’i mësojë poetët e rinj se si krijohet poezia.
Për takimet letrare “Azem Shkreli” është dashur një buxhet prej 15 mijë eurosh. Buxheti është ndarë nga Komuna e Pejës, Ministria e Kulturës dhe sponsorë privatë.