“ALBANIAN PRESENCE” është sllogani i këtij viti në prezantimin e Qendrës Kombëtare të Kinematografisë në Cannes Film Festival.
Këtë vit 4 filma të shkurtër shqiptarë janë pjesë e katalogut të Short Film Corner.
Të kater filmat kanë për autorë regjisorë të rinj që kanë aplikuar për herë të parë në QKK.
Në dy vjet janë financuar 70 projekte filmike nga QKK ku vlen të përmenden 10 filma te gjatë në vitin 2015 dhe 14 filma të gjatë në vitin 2016 ndërsa pjesa tjetër janë filma të shkurtër, dokumentarë, animacion dhe festivale filmi.
Pjesa më e madhe e regjisoreve në këto projekte kanë aplikuar për herë të parë dhe kjo është shprehje e vëmendjes që ky institucion i ka kushtuar mbështetjes së krijuesve të rinj.
Këtë vit QKK merr pjesë gjithashtu në Marche du Film me stendën e saj të pozicionuar afër ‘Short film corner’ në pallatin e festivalit për të qenë pranë nevojave të producentëve dhe regjisorëve tanë që do të jenë prezent në këtë aktivitet të rëndësishëm.
Një axhëndë e pasur takimesh është përcaktuar paraprakisht me institucione ndërkombëtare homologe, producentë, distributorë, organizatorë forumesh dhe festivale.
Një grup kineastesh shqiptarë projektet e të cileve janë financuar nga QKK do jenë prezent në këto takime për gjetjen e bashkëprodhuesve të huaj dhe financimeve alternative për projektet e tyre.