Nga Endrit Shabani
Një pasdite Marsi, mbas një dite të lodhshme pune, qindra të rinj, me vetëm një hall mbi supe, mbrojtjen e dinjitetit komunitar, protestuan egërsisht me thirrjet ‘Lezha është e pastër, nuk ka homoseksualë’. Argumenti i tyre bindës ishte se ‘ne jena shqiptarë, s’mun’ t’jena gej”. Me demek të qenit shqiptar dhe homoseksual janë dy identitete përjashtuese.
Shtatë vite më pas, në një ditë të zymtë Maji, aktivistët në mbrojtje të të drejtave të Lesbikeve, Biseksualëve, Gejve dhe Transeksualëve (LGBT), zhvilluan në Tiranë paradën e radhës për të demonstruar krenarinë gej (Gay pride). Dyshoj të ketë ndonjë gjë që mund ta bëjë dikë krenar me qenë gej, por ama as ndonjë turp nuk ka përse të jetë.
I pranëvura këto dy manifestime, pasi mendoj se qëllimi themelor i secilës është që të deklarojë pronësi mbi hapësirën e përbashkët. Njëra palë thotë se ‘ky vend na përket neve’, pala tjetër i përgjigjet ‘jemi edhe ne këtu’.
Nga njëra anë, homoseksualët abuzohen verbalisht (por edhe fizikisht) nga gangsterët e shoqërisë. Nga ana tjetër, ata krijojnë terma si ‘homofobia’, që shpesh keqpërdoren për të sulmuar këdo që mendon ndryshe. Madje duhet të kompleksohesh me thënë që nuk të pëlqen Kristi, sepse patjetër duhet të jesh ose katunar, ose i prapambetur, ose je duke shtypur gejin brenda vetes.
Ky debat mes palësh tërheq çdo ditë e më shumë zëra në rrathët e vet, sidomos në 17 Maj, që (përveçse përvjetori i Elsës dhe Fredit të Pallatit 176) është dita ndërkombëtare kundër homofobisë. Megjithatë, njerëzit me dy pare mend në kokë, shpesh i bishtnojnë përfshirjes në tema kaq delikate, për të cilat shoqëria nuk është komplet gati për t’i diskutuar pa të etiketuar apo bërë palë. Jo për gjë, por askush nga ne nuk është aq i madh sa të rrojë pa nderin e shoqërisë. Mirëpo, duke u tërhequr njerëzit racionalë, mejdani shpesh mbushet me derdimenë të tërbuar apo moralistë të verbuar, që bëjnë zhurmë duke përplasur brirët, por që nuk të lënë të marrësh vesh as se ç’thonë as se ç’duan.
E në të gjithë spektrin e marrëdhënieve seksuale, debati jo më kot përqendrohet te gejt, pasi është pikërisht modeli i ndryshëm i ‘burrit’, çka shqiptari nuk e përtyp dot. Në një shoqëri patriarkale, ku burri është shtylla e gjithçkaje, dhe ku djemtë rriten me inkurajimin (apo kërcënimin) ‘pse kështu bën burri?!’, është vështirë që një pjesë e shoqërisë të dalë nga botëkuptimi binar ku burri ose është, ose nuk është ‘burrë’. E meqë kjo është ‘punë burrash’, më lër ta përqendroj analizën time vetëm te kjo pjesë e komunitetit LGBT.
Stereotipi mbizotërues është që gejt janë patjetër monomaniakë seksualë, çka mund të jetë e stimuluar edhe nga fakti që ata organizohen në shoqata, ku e vetmja gjë që i bashkon është preferenca e tyre seksuale. Për pasojë, shoqëria nuk mendon për gejin si një njeri që ka një jetë normale profesionale dhe sociale, por e mendon atë si një pervers që 24 orë e ka mendjen te prapanica. Që edhe mund të ketë edhe gej të tillë nuk e përjashton njeri, por hej a nuk ka edhe heteroseksualë plot që gjithë ditën e kanë mendjen vetëm në një vend?
Ndërkohë nga ana tjetër, gjen besimin e përbashkët se shoqëria shqiptare është e ndershme dhe nuk i ka pasur kurrë këto ‘devianca’ (të gjithë ata që komunizmi i futi ne burg për homoseksualizëm ishin alienë). Kështu që shpesh lufta ndaj gejve kthehet në luftë për të mbajtur lart moralin e shoqërisë (dhe sigurisht ruajtur shqiptarin nga shfarosja).
Pa dashur të ndalem tek analiza se çfarë e përbën një shoqëri, dhe cilat janë vlerat identifikuese të kësaj sonës, dua të theksoj diçka që kam kohë që e mendoj: Ne si shoqëri prodhojmë shumë hipokrizi. Ndoshta sepse prej kohësh jemi shtypur dhe trembur, ose ndoshta për ndonjë arsye tjetër, por gjithsesi rezultantja është që një pjesë e madhe prej nesh ndryshe sillet dhe ndryshe flet. A thua se mjafton të flasësh për moralin apo të sulmosh të ndryshmin dhe e kreve rolin tënd patriotik. Duke harruar ndoshta se kur i drejtojmë gishtin dikujt, katër gishta të tjerë i drejtojmë për nga vetja.
Për më tepër, e kemi ngushtuar kuptimin për moralin vetëm tek organet gjenitale. Kaq e vërtetë është kjo, sa po të t’thosha se dikush është i degjeneruar, dyshoj që do mendosh se po flas për dikë që të ka vjedhur taksat, të ka dëmtuar cilësinë e jetës tënde, apo të ka rrëmbyer të ardhmen e fëmijëve. Ky botëkuptim i ngushtë për moralin na ka çuar deri aty sa dikush të vrasë fëmijën e vet për moral. Pra ta quajë të moralshme të vrasë, por të pamoralshme ta lërë dikë të bëjë ç’të dojë me trupin e vet.
Mirëpo, kush janë këta që po na e mbajnë lartë moralin e shoqërisë duke goditur veset e tmerrshme të njerëzimit? Unë do t’i ndaja në tri kategori (mos prit të kem ndonjë provë shkencore për këtë).
Grupi i parë janë hipokritët. Ky grup kryesohet nga gejt e fshehur që sot e gjithë ditën rrinë duke sulmuar gejt, ndërkohë që paralelisht kanë jetë aktive homoseksuale. Kjo kategori më erdhi në mëndje kur po dëgjoja një personazh kohët e fundit të bënte moral se si gejt do t’na shkatërrojnë shoqërinë, ndërkohë që kur ka qenë pak më i ri terrorizoi pallatin se ngacmonte djemtë e vegjël nga bibilushi. Këta tipa i gjen kudo në fakt, jo vetëm në Shqipëri. Në Amerikë (ku ky debat mbetet ende i nxehtë), ka një listë të gjatë me prokurorë, kryetarë bashkie, senatorë, pastorë, aktivistë e mësues homofobikë, që e kalojnë ditën duke luftuar mëkatet që fshehurazi bëjnë natën.
Pjesë vitale e grupit të hipokritëve është një kategori që meriton të përvëlohet në rrathët më të nxehtë të Ferrit. Këta janë ata që nuk janë gej, por që nuk kanë as din e as iman. Janë ata të përvëluarit, që mezi presin të kapin ndonjë post drejtues apo të bëjnë disa para bashkë, që pastaj të detyrojnë për seks kë t’u zërë syri (sekretare, vartëse, kolege, studente etj.). Janë tmerri i çdo vajze të pambrojtur që i duhet të durojë epshet e tyre, ose të humbasë vendin e punës, shkollën apo çdo gjë tjetër që ‘qejfliu’ ka në dorë.
Por nuk i mungojnë këtij grupi as ata që tërë ditën e perëndisë shpifin, mashtrojnë, fyejnë, kërcënojnë, vjedhin, zaptojnë hapësira të përbashkëta, apo edhe vrasin. Por që kanë guximin të flasin për shoqërinë e përbashkët dhe të na bëjnë moral. Këta, dhe jo vetëm këta, por çdo njeri që nuk paguan paratë e pastrimit të shkallës, apo që i hedh plehrat komshiut te dera e shtëpisë, nuk kanë asnjë të drejtë morale të flasin për rrezikun që i vjen shoqërisë nga gejt. Pasi një njeri që nuk e vë ujin në zjarr për komshiun, shokun apo për farefisin, nuk ka se si ta zërë halli për një koncept shumë më abstrakt, siç është shoqëria.
Grupi i dytë janë të preokupuarit. Këta i shikon të përshkruajnë një rrezik të jashtëzakonshëm (më i madh se Nibiru), që i kanoset shoqërisë nëse do t’i lëmë njerëzit të bëjnë ç’t’iu teket me fund shpinën e tyre. Ky grup beson se njerëzit bëjnë seks vetëm për të lindur fëmijë, kështu që po e lamë homoseksualizmin sheshit, do përfundojmë duke mos pasur më njerëz në Tokë. Këta duhet patjetër të besojnë që homoseksualizmi është kaq tërheqës, sa mjafton ta pranojmë dhe hopa të gjithë do përfundojmë gej një ditë.
Argumenti i dytë i këtij grupi është se po i lamë gejt të dalin hapur, fëmijët do na bëhen gej. Këta mesa duket ja kanë marrë keq fare frymën fëmijëve me moral, sa duket sikur kanë frikë se mjafton që të shohin një model tjetër dhe fëmijët menjëherë do t’i braktisin mësimet e tyre. E duke mos u kujdesur për konsistencën logjike, po të njëjtët njerëz argumentojnë se po i lamë gejt që të martohen dhe të adoptojnë fëmijë, këta të fundit patjetër që do bëhen gej kur të rriten. Pra, sipas tyre, prindërit gej kanë një sekret që i ndihmon të jenë më bindës për fëmijët e tyre, seç mund të jenë prindërit heteroseksualë.
E për sa i përket preokupimit të këtij grupi se homoseksualizmi do të na shfarosë shoqërinë, do të thosha se ka më shumë rrezik që Shqipëria të rrudhet prej emigrimit se sa prej gejve. Ka më shumë rrezik që shqiptarët të pakësohen për shkak të politikave ekonomike dhe sociale, që e bëjnë të vështirë të rrisësh një fëmijë, se sa nga gejt. Ka më shumë rrezik që shqiptarët të shfarosen nga shërbimi skandaloz shëndetësor, dhe incidenca e kancerit, se sa prej homoseksualizmit. Kështu që nëse dikush është vërtet i shqetësuar për numrin e shqiptarëve, atëherë duhet ta konsiderojë që të kapë prej kollares së mëndafshit ministrin, prej cullufeve pushtetarin vendor, dhe prej krahut drejtorin e spitalit, të cilët jo vetëm po na varfërojnë, por çdo ditë e më shumë po na rrezikojnë seriozisht jetën neve dhe fëmijëve tanë, (që mund të mos vijnë kurrë në jetë). Nuk duhet humbur kohë kot me gejt.
Grupi i tretë i akuzatorëve janë besimtarët dhe tradicionalët. Këta persona i respektoj vërtet dhe mendoj se janë legjitimë në qëndrimet e tyre. Ky grup përbëhet nga njerëz të cilët kanë besimet e tyre, të cilat bien ndesh me homoseksualizmin. Një pjesë e tyre e kanë shumë të vështirë të sfidojnë një model të stabilizuar prej vitesh në mëndje. Mos harrojmë se në Shqipëri për dekada të tëra, homoseksualizmi ka qenë vepër penale. Pra ishte një sjellje e ndaluar në çdo drejtim të fjalës: fetar, ligjor dhe shoqëror. Kështu që nuk mund të presim që me të hapur e mbyllur sytë, qytetarët të sfidojnë besimet dhe qëndrimet e tyre themelore.
Një pjesë tjetër, thjesht besojnë te një model i caktuar i familjes dhe marrëdhënieve intime. Besoj se pavarësisht se çfarë thuhet, në shoqëri do të ketë gjithmonë njerëz që homoseksualizmin do ta shohin si diçka për t’u shëruar, më shumë se sa për t’u pranuar. Por kjo jo domosdoshmërish është gjë e keqe, pasi diversiteti është i shëndetshëm në një shoqëri, për sa kohë na jep mundësinë të reflektojmë vazhdimisht për vlerat që besojmë dhe modelet shoqërore (e sigurisht për sa kohë nuk marrim çomangën dhe të gjëmojmë nga pas ata që nuk na binden).
Por cili është thelbi i konfliktit të këtij grupi me gejt? Unë mendoj se debati është i bazuar mbi argumente fetare e parimore dhe mund të përmblidhet në: Çfarë thuhet për homoseksualizmin në librat e shenjtë (bibla dhe kurani), dhe a kanë të drejtë gejt për t’u martuar.
Në lidhje me mënyrën se si homoseksualizmi trajtohet në librat e shenjtë, kjo është diçka që nuk e ndryshojmë dot dhe është e vështirë (në mos e pamundur) që t’i themi dikujt hiq dorë nga besimi yt, se unë mendoj ndryshe nga ty. Megjithatë jam kurioz nëse personat që e kundërshtojnë homoseksualizmin mbi bazën e librit të tyre të shenjtë janë konsistentë me interpretimin që i bëjnë këtij libri? Pra a e mendojnë ata gjithashtu se incesti është i justifikuar për të populluar vendin? Kam parasysh këtu historinë e përshkruar në bibël për vajzat e Lot që mbetën shtatzënë me të atin (Gjeneza 19:30-38)? Apo a shpresojnë ata që virgjëreshat do i presin në Parajsë, siç përshkruan Kurani (3:15).
Ndërsa në lidhje me martesën, nga njëra anë mbështetësit e gejve, nisur nga baza libertariane, shprehen se shoqëria nuk ka punë të përcaktojë se me kë duhet të martohesh. Nga ana tjetër, kundërshtarët besojnë (ndoshta me të drejtë), që martesa është një institut ligjor i përbashkët, i cili mbrohet nga institucionet që shoqëria i ka ngritur dhe i mban me para. E për sa kohë kërkohet që instituti i martesës të rregullojë marrëdhënien mes gejve, atëherë na takon të gjithëve ta diskutojmë se çfarë vlerash duhet të përfaqësojë ky institut.
Duke besuar që martesa ka për qëllim të celebrojë lindjen e fëmijëve, ky grup beson se gejt nuk mund të martohen, pasi ata nuk mund të kenë fëmijë. Unë nuk mendoj kështu. Nëse martesa do të kishte vërtet për qëllim lindjen e fëmijëve, atëherë martesa midis një burri dhe një gruaje që nuk kanë ndërmend të kenë fëmijë, do të ishte gjithashtu e ndaluar me ligj. Jo vetëm kaq, por edhe mbasi një çift të martohet, moslindja e fëmijëve do të përbënte shkak ligjor për prishjen e martesës (çka aktualisht nuk është).
Por nëse martesa nuk ka për qëllim sjelljen në jetë të fëmijëve, atëherë cili është qëllimi i saj? Ka disa shkolla mendimi që synojnë të shpjegojnë se çfarë përfaqëson martesa, por asnjëra prej tyre nuk është ekskluzive për çiftet burrë-grua. Kështu që ato gjëra që mund t’i bëjë një çift heteroseksual (nga dashuria te ndarja e pasurisë), mund t’i bëjë fare mirë edhe një çift homoseksual (sado e pazakontë të na duket kjo).
Unë bëj pjesë tek ata që besojnë se martesa është një celebrim i dashurisë. Prandaj, mendoj që ja vlen që shoqëria jonë të kujdeset përmes instituteve të saj për mbrojtjen e dashurisë, kudo ku ajo ekziston. Nuk e di për ty, por personalisht nuk kam ndonjë arsye të besoj se dy burra nuk do ta duan njëri-tjetrin po aq shumë sa ç’do ta dua unë gruan time. Madje, që të jem tërësisht i sinqertë, unë nuk e di nëse gruaja ime e ardhshme do të më dojë aq shumë sa të jetë gati që, për hir të dashurisë ndaj meje, të luftojë me stigmën dhe presionin shoqëror.
Ruajna Zot që gejt të mos luajnë mendsh një ditë dhe të nisin protesta kundër heteroseksualëve, njësoj si ata të rinjtë lezhjanë, se nuk e di si do të më shkonte halli. Unë vetë them se do ta kisha përballuar presionin, por kam frikë se do t’ma trembnin gruan njëherë e përgjithmonë.
E kështu pra, unë them që t’ua lëmë antropologëve të përcaktojnë se çfarë do me thënë me qenë shqiptar, dhe historianëve që të përcaktojnë nëse dylberët janë një fenomen i ri, apo dukuri e hershme e popullit tonë. E ndërkohë, ne do të bënim mirë ta ruanim mllefin e protestës për vrasësit, hajdutët, kriminelët dhe politikanët e korruptuar. E pasi ta kemi shfryrë dufin me ata që po e rrjepin këtë vend, mbase bëhemi më tolerantë me dashurinë, në mënyrë që të mos ia trembim njeriu gruan apo burrin e ardhshëm. Jo për gjë, po atëherë vërtet që mund ta rrezikonim të ardhmen e gjenit shqiptar.