“Vizatoj Historinë”, ndahen çmimet e konkursit për të rinj

Në “Ditën Ndërkombëtare të Muzeve”, finalizohet projekti “Vizatoj Historinë”, ndahen 7 çmime për nxënësit dhe 10 certifikata për shkollat

Për të tretin vit radhazi, Muzeu Historik Kombëtar përfshihet në një aktivitet shumëdimensionalësh nën titullin “Dita Ndërkombëtare e Muzeve”. Muzeu Historik e ka kthyer në traditë tashmë, që në Natën dhe Ditën e Muzeve, më 17 dhe 18 Maj, të trajtojë temën e shpallur nga ICOM-i dhe të shpalosi shenjat dalluese të kësaj dite, të përcaktuara zyrtarisht nga Këshilli Ndërkombëtar i Muzeve, duke u bërë pjesë integruese e ICOM-it, (Këshilli Ndërkombëtar i Muzeve) me temën dhe dizajnin e përbashkët të të gjithë muzeve botërorë.
Në kuadër të kësaj dite, Muzeu Historik Kombëtar në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare Kulturore për Fëmijë dhe Drejtorinë Arsimore Rajonale Tiranë organizoi hapjen e ekspozitës “Vizatoj Historinë” me piktura të objekteve të ekspozuara në pavijonet e muzeut nga nxënës të 10 shkollave 9-vjeçare të Tiranës.
“Në një ditë të tillë muzetë do interpretojnë një temë që ka të bëjë me institucionet kulturore. Në këtë kontekst, Muzeu Historik Kombëtar në bashkëpunim me Drejtorinë Arsimore Rajonale Tiranë, me Bashkinë e Tiranës dhe Qendrën Kombëtare Kulturore të Fëmijëve, kërkon të japë kontributin e vet në ndërgjegjësimin e shoqërisë për vlerat e historisë e të trashëgimisë kulturore”, tha mes të tjerash drejtori i Muzeut Historik, z.Melsi Labi. Po sipas tij: “Tema e përzgjedhur çon në zgjimin e një lloj përgjegjësie të muzeve për peizazhet kulturore ku bëjnë pjesë duke kontribuar si protagonistë me dijet dhe aftësi për ruajtjen dhe mirëmbajtjen e tyre. Misioni kryesor i Muzeve është mbrojtja e Trashëgimisë Kulturore si brenda dhe jashtë mureve të tyre. Por këtë mision, sidomos ruajtjen e trashëgimisë jashtë mureve të muzeut, ne nuk mund ta përmbushim pa ndihmën dhe mbështetjen e pushtetit lokal, siç është në këtë rast Bashkia e Tiranës”.
Pas drejtorit Melsi Labi, drejtoresha e Arsimit për Tiranën, Ariola Byzyka, mori fjalën duke thënë se muzetë nuk kanë për detyrë vetëm të tregojnë historinë por dhe të edukojnë për të ardhmen. Ajo kërkoi nga Muzeu Kombëtar si dhe nga Bashkia e Tiranës, asistencë me qëllim ngritjen e një muzeu shëtitës, gjë që do ta bënte historinë më të prekshme nga nxënësit e çdo shkolle.
Këtë iniciativë e përkrahu menjëherë nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, z.Abaz Hado, i cili përshëndeti në këtë eveniment edhe në emër të kryetarit Veliaj.
Më pas drejtori i Muzeut Historik Kombëtar z.Melsi Labi pasi falenderoi Drejtorinë e Arsimit për Tiranën për bashkëpunimin, ftoi drejtoreshën e saj znj.Ariola Byzyka dhe nënkryetarin e Bashkisë z.Abaz Hado të shpërndanin certifikatat e mirënjohjes për drejtoritë e shkollave.
U vlerësuan me certifikata shkollat 9-vjeçare “Emin Duraku”, “Vasil Shanto”, “4 Dëshmorët”, “Hoxha Tasim”, “Jeronim De Rada”, “Siri Kodra”, “Lidhja e Prizërenit”, “Dora Distria”, “Edit Durham”, dhe “Sabaudin Gabrani”.
Në përfundim të projektit “Vizatoj Historinë” u ndanë dhe këto çmime:
Çmimin e Parë e mori David Meçani, shkolla “Emin Duraku”, me vizatimin e skulpturës së një magjistrati.
Çmimi i Dytë u takoi nxënëseve: Amantja Buzo, shkolla “Edith Durham”, me vizatimin e kapitelit korintik, dhe Ojna Rrokaj, shkolla “Edith Durham”, me vizatimin e përkrenares së Gjergj Kastriotit,
Çmimin e Tretë e morën nxënësit: Paola Toska me vizatimin e vazove antike, Veronika Lloha, shkolla “Emin Duraku”, me portretin e Gjergj Kastriotit dhe Jona Xhoxhi, shkolla “Vasil Shanto”, me portretin e Nënë Terezës
Çmimin e Facebook-ut me 565 pëlqime e mori Brikena Alicaushaj nga shkolla “Sabaudin Gabrani”.
Pas ndarjes së çmimeve të pranishmit ndoqën një program artistik të përgatitur nga Qendra Kombëtare Kulturore e Fëmijëve.

FB_IMG_1463508179005

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *