Kampet e Restaurimit, Gjirokastra zdrit Sokakun

31 pjesëmarrës nga Shqipëria, Rajoni dhe vise të largëta si Shtetet e Bashkuara janë mbledhur në Gjirokastër në Kampin e 27-të Rajonal të Restaurimit që zhvillohet në datat 16 – 28 Maj, 2016 nga Fondacioni Trashëgimia Kulturore Pa Kufij – Shqipëri (CHwB Albania). Krahas kampit restaurues në Gjirokastër vijon njëherazi edhe organizimi i Kampit të 26-të Rajonal të Restaurimit në Rogljevo, Serbi.

Puna në terren dhe leksionet përgjatë kampit në Gjirokastër drejtohen nga ekspertë të trashëgimisë nga Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Suedia, Shqipëria dhe Serbia. Gërshetimi i ekspertëve ndërkombëtarë me mjeshtrat lokalë dhe profesionistët e rinj pjesëmarrës në kamp ka krijuar tashmë një traditë të mirë për edukimin dhe përfshirjen e brezit të ri në çështjet e trashëgimisë kulturore në Shqipëri.

Puna e kampit të restaurimit në Gjirokastër përqëndrohet në punime suvaje, druri dhe guri. Një nga ndërhyrjet më të rëndësishme të kampit do të jetë ajo në “Sokakun e të Marrëve“. Ndër vite kalldrëmi i sokakut ka pësuar shumë ndërhyrje duke lënguar në zona të caktuara. Nevoja për pastrim, riparim dhe plotësim në pjesë të ndryshme të tij do të përmbushet duke përdorur mjete dhe teknika tradicionale nën mbikqyrjen e një mjeshtri me përvojë. Nga ana tjetër, punimet në Rogljevo janë të përqëndruara në zdrukthtari, dokumentim, suvatim dhe gurgdhendje.

Ndër objektivat kryesore të Kampeve Rajonale të Restaurimit janë përdorimi i trashëgimisë kulturore në rajon si një platformë për ndërtimin e marrëdhënieve mes profesionistëve të rinj, duke krijuar kushte për paqe dhe demokraci, dhe për të ruajtur mjeshtëritë dhe teknikat tradicionale. Përpjekjet për ta bërë trashëgiminë pjesë të modelit zhvillimor të qyteteve përkatëse do të jenë po ashtu në qendër të vëmendjes të Kampeve të këtij viti.
 
Të vlerësuara me çmime ndërkombëtare, kampet rajonale të restaurimit këtë vit vijnë me 7 vendndodhje të ndryshme në Ballkanin Perëndimor. Risi do të përbëjnë edhe tematikat, ku përveç temave klasike si konservimi i monumenteve, do të serviren edhe tema të reja si Artet dhe Zejet tradicionale. Kampet Rajonale të Restaurimit zhvillohen me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe Universitetit të Tiranës si dhe financohen nga qeveria suedeze dhe Fondi Shqiptaro-Amerikan për Zhvillimin.
  

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *