Në kremtimet e vitit kulturor kushtuar Ismail Kadaresë në 80-vjetorin e lindjes, ekspozita Qytetet e Kadaresë, e konceptuar dhe ndërtuar nga Biblioteka Kombëtare, mbasi zhvilloi me sukses dy stacionet e saj të para në Tiranë dhe Prishtinë, udhëtoi drejt qytetit të Gjirokastrës dhe u çel sot më 13 maj në “Shtëpinë Kadare”. Ajo mbërriti në këtë qytet falë bashkëpunimit të këtij institucioni me Bashkinë e Gjirokastrës dhe Ministrinë e Kulturës dhe do të qëndrojë e hapur për publikun deri më datë 20 maj. Përurimi i saj, në prani të Kryetares së Bashkisë së Gjirokastrës Zamira Rami, Drejtoreshës së Bibliotekës Kombëtare Persida Asllani dhe të ftuarve të shumtë, si prefekti i qarkut, drejtorë të institucioneve kulturore e arsimore por dhe personalitete të jetës kulturore të qytetit, u bë në mjediset e posaçme të “Shtëpisë Kadare” në simbolikë të lidhjes emblematike mes shkrimtarit dhe qytetit të tij të lindjes. Një program i posaçëm do të zhvillohet gjatë gjithë javës me nxënës dhe të rinj për të pasuruar njohjen grupmoshave të ndryshme me veprën e një prej bijve më të shquar të qytetit të Gjirokastrës, i cili, me talentin dhe dashurinë për vendlindjen, njerëzit dhe vlerat e këtij qyteti, e shndërroi atë artistikisht në një prej qyteteve më të dashur të letërsisë shqipe dhe të mirënjohur e universal në letërsinë botërore. Ekspozita synon të ndërtojë përmes titujve, pasazheve, librave por edhe imazhesh simbolike një nga tiparet më interesante të veprës së Kadaresë, “shkrimin e Qytetit”, shndërrimin e tij në një personazh të mirëfilltë letrar. Natyrshëm, ekspozita “Qytetet e Kadaresë” e nis rrugëtimin me një nga pamjet më mbresëlënëse dhe më ndikuese të veprës së Kadaresë, siç është rrugëtimi brilant në Kujtesën e qytetit të tij të lindjes, Gjirokastrës, për të vijuar me qytetet e tjera që kanë lënë mbresë jo thjeshtë në jetën e autorit por sidomos në tekstet dhe krijimet e tij: Moska, Stambolli, Tirana, Parisi etj. Ato vijnë si qytete jo thjeshtë të përshkruara, por themelore në subjektet e prozës apo në fatet e personazheve të tyre, herë si qytete- kujtesë, herë si qytete-mungesë, herë si qytete-pushteti, herë si qytete-rinie, e herë si qytete-lirie.