40 gradë temperaturë

Nga Sylvia Plath
E dlirë? Ç’do të thotë?
Gjuhët e ferrit
janë të topitura, të topitura si tri gjuhët
e Cerberit të topitur trashaman
që gulçon tek porta. Të pazonjat
ta pastrojnë tek lëpijnë
tejzën që përvëlon, mëkatin, mëkatin.
Eshka kërcëllon.
Aroma e paharrueshme
e një qiriri të shuar!
Dashuri, dashuri, tymnajat e ulëta çmbështillen
prej meje si shallet e Isadorës, përdatem
mos ndonjë syresh mes rrotës ngec.
Tymëra kaq të verdhemë e të zymtë
krijojnë mjedisin e tyre. S’do ngrihen lart
por do të sillen rrotull globit
duke u zënë frymën të moshuarve e të përunjurve
shëndetligut
fëmijë në djep
orkidesë ngjethëse
që lëvar në ajër lulevarësen e saj,
leopard djallëzor!
Rrezatimi e zbërdhuli
dhe brenda një ore e vrau.
Zhyhen trupat e kurorëshkelësve
si hiri i Hiroshimës dhe gërryejnë.
Mëkati. Mëkati.
Shpirt, kam tërë natën
që luhatem, fikur, ndezur, fikur, ndezur.
Çarçafët rënden si puthja e një horri.
Tri ditë. Tri netë.
Ujë dhe limon, ujë
pule, ujë më bëjnë të vjell.
Jam shumë e dlirë për ty apo cilindo.
Trupi yt
më lëndon siç bota Zotin lëndon. Jam një kandil –
koka ime një hënë
letre japoneze, lëkura ime një fletë e florinjtë
pafundësisht delikate dhe pafundësisht e kushtueshme.
S’të mahnit nxehtësia ime? Po drita ime?
Krejt fillikat, jam një kamelie gjigante
që prush flakëron, shkon e vjen, afsh pas afshi.
Po ngrihem lart, besoj.
Besoj se do ngjitem-
Kokrrizat e metalit të nxehtë fluturojnë, dhe unë, dashuri, unë
jam një virgjëreshë
e dlirë
acetileni, e përcjellë me trëndafila
puthje dhe engjëj,
çfarëdo kuptimi paçin tërë këto gjëra të trëndafilta
( unet e mia shpërbëhen, funde të vjetra zuskash ) –
drejt Parajsës.
Solli në shqip: Beti Njuma

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *