Të paktën 1700 mbishkrime në greqishten e vjetër me prejardhje nga territori shqiptar janë botuar në katër volume të cilat përbëjnë një korpus. Vëllimi i parë i këtij korpusi është botuar në vitin 1995 por i katërti dhe i fundit sapo ka parë dritën e botimit në Francë. Në këtë mënyrë ne sallën UNESCO u zhvillua dhe promovimi i këtij vëllimi të titulluar “Shqipëria antike e zbuluar nëpërmjet mbishkrimeve në greqishten e vjetër”, me autorë Prof. Pierre Cabanes dhe Prof. Faik Drini. Aktiviteti ishte një bashkëpunim i Ambasadës Franceze në Tiranë, Muzeut Historik Kombëtar dhe Institutit të Arkeologjisë. Drejtori i këtij Instituti, z.Luan Përzhita në fjalën e hapjes vlerësoi punën e dy profesorëve duke vlerësuar njëkohësisht dhe 90 vitet e punës së përbashkët të arkeologëve shqiptarë më ata francezë. Gjatë aktivitetit përshëndeti dhe një përfaqësuese e ambasadës franceze e cila gjithashtu vlerësoi punën e dy profesorëve që është finalizuar në botimin e korpusit studimor.
Melsi Labi, Drejtor i Muzeut Historik Kombëtar gjatë fjalës së përshëndetjes së tij tha se ky është një libër që më së miri i takon ta nisi jehonën e tij akademike nga mjediset e Muzeut Historik Kombëtar, si një aktor që merr rëndësi të veçantë në të tilla evenimente. Më pas ai u shpreh: “Mund të them se burimet dokumentare të historisë antike të vendit tonë janë relativisht të pakta, si rrjedhojë e rrethanave historike nëpër të cilat ka kaluar populli shqiptar, prandaj me anën e mbishkrimeve antike të shkruara në greqishten e vjetër ndriçohet aq sa mundet periudha e antikitetit. Përsa i përket materialit një pjesë e mbishkrimeve janë shkruar mbi pllaka guri, mbi pllaka bronzi, mbi metale të ndryshme etj. Materiali epigrafik me kalimin e shekujve ka ardhur duke u pakësuar. Për këtë kanë influencuar luftërat e shumta, tërmetet etj, – pra shkaqe objektive, – por ka influencuar edhe pakujdesia njerëzore. Materiali epigrafik i librit na jep mjaft të dhëna për ngjarje historike, ndërtimin e objekteve antike, ktitorëve të tyre etj. Autorë Prof. Pierre Cabanes dhe Prof. Faik Drini, padyshim që kanë bërë një punë të mirëfilltë shkencore dhe shumë skrupuloze për të arritur në këto përfundime”.
Autorët Pierre Cabanes dhe Faik Drini, si autorë të korpusit me katër volume, bënë të ditur për auditorin se puna për të të nxjerrë në dritë “Shqipëria antike e zbuluar nëpërmjet mbishkrimeve në greqishten e vjetër”, kishte filluar që 40 vite më parë, dhe se kjo gjë kishte kërkuar shumë kohë dhe përkushtim. 1700 mbishkrimet janë gjetur në një sërë qytetesh antike si Amantia, Butrinti, Finiqi, Antigonea, etj. Profesor Pierre Cabanes theksoi se mbishkrimet e vjetra janë gjetur përgjithësisht në rajonin e jugut të Shqipërisë, e shumë më pak në Shqipërinë e Mesme apo në Veri ku nuk ka luajtur rol influenca e gjuhës greke. Ndërsa përsa i përket Kosovës, studiuesit thanë se ajo ka qenë krejtësisht jashtë ndikimit të kulturës greke por ka pasur një ndikim Danupian. Profesor Cabanes shtoi se greqishtja ka qenë një gjuhë zotëruese në rajon por kjo nuk donte të thoshte se të gjithë flisnin greqisht, pasi popujt e tjerë përdornin gjuhën e tyre që mund të ishte vetëm e folur.
Sipas Prof. Faik Drinit, në botim gjenden informacione autentike dhe se kjo ishte një domosdoshmëri për historianët dhe studjuesit e antikitetit, të cilët mund t’u referoheshin për të kaluarën e largët. Nga këto mbishkrime zbulohet jeta shoqërore, kulturore dhe ekonomike e njerëzve që kanë jetuar në këto treva.