Adrian Paci
Marubi, Idromeno, Pici, Rraboshta, Jakova, Nenshati, Mustafa
“Dialog i shkruar me dritë” asht nji tentativë me e nxjerrë fotografinë nga korniza.
Po si mund të nxirret fotografia nga korniza kur në thelb fotografia asht kornizë, asht inkuadrim i realitetit mbrenda nji konturi të caktuem?
Pikërisht këtu e ka zanafillën kjo aventurë e jemja në Universin e mrekullueshëm të arkivës Marubi, përballë imazheve të Pietros, Kelit e Gegë Marubit, përballë shkrepjeve të Idromenos, Picit, Jakovës, Rraboshtës, Nenshatit e Mustafës. Ajo synon me e ekzaltue imazhin e fotografisë që ka përpara e njëkohesisht don me ja shprishë konturet, me ia lëvizë pamjen e ngrime nëpërmjet një veshtrimi që sillet mbi të si të ishte mbi një peisazh të pamasë.
Në një farë mënyrë kjo tentative kërkon me e çlirue fotografinë nga kufinjtë duke sjellë para nesh rishtas banorët e një bote të pasun njerëzore me të gjtha detajet e tyne, frymëmarrjet e gjalla andej e këndej makinës fotografike të cilat pa nxjerrë asnji fije za prej goje janë të afta me tregue. Shkrepja e fotografisë nga njena anë e përjetëson subjektin që ka bërballë e nga ana tjetër ia merr atij shpirtin duke e lanë përjetësisht të vdekun. Vështrimi i lëvizshëm i videos i sillet bukurisë mahnitëse të këtij trupi të pajetë me shpresë se mundet me ja lëvizë gjymtyrët, me ja aktivizue organet e me e ba me marrë frymë.