Autoriteti i Mediave Audiovizive ka reaguar ndaj shfaqjeve në emisonin “Zonë e lirë”. Sipas AMA bëhet fjalë për transmetimin dhe ritransmetimin e emisionit “Zonë e Lirë” në datat 29 dhe 30 Prill 2016, për të cilët “ka pasur ankesa për shkelje flagrante që, në thelb, ngrinin shqetësimin e rregullave të etikës në transmetimet televizive”.
Nisur nga kjo, AMA i ka dërguar një shkresë televizionit kombëtar Klan, ku thuhet se pas shqyrtimit të përmbajtjes së emisionit nga ana e Këshillit të Ankesave, duke iu referuar pjesës nga ora 21:05-22:30, u evidentuan shkelje gjatë bisedës mes dy të ftuarave dhe moderatorit.
“Konkretisht, janë përdorur shprehje të papërshtatshme, gjeste dhe performanca që shkelin etikën, të palejueshme për orarin e transmetimit. Pavarësisht vendosjes së shenjës paralajmëruese (-16), gjatë emisionit mungonte kërkesa e drejtpërdrejtë dhe e përsëritur e moderatorit për largimin e fëmijëve nga ekrani. Madje, pati kërkesa të vazhdueshme për përsëritje të skenave dhe gjesteve që janë në kufijtë e pornografisë.
Ritransmetimi i emisionit, në datë 30 Prill 2016, nga ora 11:11, si dhe përfshirja e një kronike informative në edicionet e lajmeve në televizionin kombëtar “Klan” mbi performancën e dy të ftuarave në emisionin “Zonë e Lirë”, është në shkelje të plotë të Kodit të Transmetimit.
Për sa më sipër,
-mbështetur në nenin 33, pika 1, gërma (d) dhe (e) të ligjit nr. 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë” dhe në Kodin e Transmetimit të AMA-s, seksioni 1, “Parime themelore”, Seksioni 4, “Transmetimi i programeve informative” pika 4.8, “Seksioni 5, “Programet kulturore argëtuese, filmat dhe fëmijët”, si dhe në zbatim të nenit 133, pika 1, germa a;
-duke pasur parasysh kohën kur programi është emetuar në një televizion me licencë kombëtare e me impakt në publik;
AMA i ka tërhequr vëmendjen për të mos përsëritur raste të tilla, që bien ndesh me ligjin dhe Kodin e Transmetimit, në të kundërt, Autoriteti do të ndjekë procedurat për sanksion në zbatim të legjislacionit në fuqi”, thuhet në njoftimin e Autoritetit të Mediave Audiovizive.