Carmina Burana”, produksioni madhështor me muzikën sugjestionuese të Carl Orff dhe koreografi të Youri Vàmos, do të ngjitet sërish në skenën e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit në kryeqytet në 13 dhe 14 maj.
Kjo vepër, e konsideruar si një ndër klasikët e parë në historinë e muzikës, sjellë në skenë rreth 250 artistë, ku përfshihet trupa e baletit, solistë, kori dhe Orkestra e TKOB. Orkestra do të drejtohet nga Elda Laro, artistja e talentuar, e cila nga Janari 2016 është dirigjente e dytë në Deutsche Oper të Berlinit.
Pas suksesit që pati në tetor dhe dhjetor të vitit që kaloi, kjo vepër do të shfaqet sërish për publikun, e cila përveç muzikës së mrekulleshme të Carl Orff, sjell gjithashtu një koreografi, e cila është një “himn për dashurinë e sinqertë” siç shprehet edhe krijuesi i saj Youri Vamos.
Vepra është vlerësuar jo pak dhe nga vetë titullari i Teatrit të Operës dhe Baletit, Ilir Kerni. “Carmina Burana” është brilante në gjithë thjeshtësinë që e karakterizon, ritmikisht potent, me një tematikë gjithnjë aktuale, ky balet të zgjon fantazinë si asnjë vepër tjetër e shekullit të 20-të”, shprehet Kerni.
Këtij pushteti sugjestionues që përcjell muzika e Orff, koreografi Vamos i përgjigjet me një skenografi veçanërisht të thjeshtë. Vetë skena kornizohet nga siluetat e korit dhe orkestrës. Nën këtë sfond dhe nëpërmjet një koreografie mbresëlënëse ai shpalos një himn ngazëllyes për dashurinë e sinqertë.
“Carmina Burana” është parë si një eksperiencë, e cila s’do të mund të ç’rrënjoset me lehtësi nga kujtesa, një vepër që ka lënë pa fjalë audienca për 20 vite.15-10-05-04-22-52big_carmina_burana
Në lidhje me konceptin skenik të baletit Carmina Burana, koreografi Youri Vamos është shprehur se “tema qëndrore e koreografisë sime është qëndrimi i njeriut ndaj ligjeve të natyrës. Ai që ngrihet kundër harmonisë që jeton në të, është i destinuar të dështojë”.
“Në luftën e vazhdueshme mes burrit e gruas, në rendje të përjetimeve erotike – mes dhunës dhe gënjeshtrës – ajo që do të mbijetojë është vetëm dashuria e sinqertë. Në konceptin tim, i cili shfaqet përmes gjuhës së baletit, tek kjo vepër jam frymezuar pa dyshim nga muzika, pavarësisht tekstit të këngëve. Është rastësi që disa skena baleti përkojnë me tekstin. Ky fakt dëshmon edhe njëherë për karakterin sugjestionues që ka muzika e Orff”, ka shtuar ai.
Youri Vamos është një prej atyre pak artistëve të kalibrit botëror, i cili me shumë vendosmëri këmbëngul në ruajtjen e minutazhit të veprave në të gjithë shtrirjen e tyre. Punët e tij dallohen për dozë të lartë kreativiteti, për një sens të jashtëzakonshëm të dramës dhe muzikalitet të lartë. Fakti që para 100 vjetësh nëpërmjet baleteve klasike nuk arrihej deri në fund që të dilnin në pah nuancat psikologjike e personale të karaktereve ka qenë një motivim i mjaftueshëm për t’i risjellë këto vepra të ridimensionuara. Sidoqoftë ai mbetet besnik i trashëgimisë klasike duke e parë atë si bazë të artit që zhvillon.
Images-1-300x200Emra si Eriona Gjyzeli, baritoni Carlo Checchi, kontratenori Safet Berisha, balerinët Adela Muçollari, Ledia Sulaj, Kristi Dalipi, Ervis Nallbani, Kristi Dushmani, Erald Zela, Eltjon Merja, Besi Skura, Dion Gjinika,Jonida Onuzi dhe Rovena Shqevi nën drejtimin ekzekutiv të Vamos dhe dirigjentit Desar Sulejmani, dirigjentit të korit Dritan Lumshi, ndriçimin e Klaus Gärditz, baletmaestër Alisa Gjoni, dhe korit të vajzave drejtuar nga Bujar Alliu, përcjellin emocione për publikun.
Prezantimi i veprave krejtësisht tradicionale përmes notash aktuale mbetet një prej arsyeve të suksesit të tij. Kompania e madhe e baletit në veri të Rhine Westphalia, prej 13 vitesh vendos në skenë produksione që mbajnë vulën e tij, gjë që vërteton cilësinë e lartë të artit të Vamos./ATA