Dy ditë më parë u njoftua se drejtori i ri i RTSH do të jetë Thoma Gëllçi. Por duket se rivali i tij në garë, aktori i njohur Petrit Malaj, nuk është dakord me mënyrën e zgjedhjes së drejtorit të RTSH. Sipas tij gara ishte thjesht një teatër dhe gjithçka ishte paracaktuar shumë kohë më parë.
Ja çfarë shkruan Malaj:
Të dashur miq,
Nuk do te doja te prononcohesha fare per një sfide te jetës time, garën maratonë 1 vjeçare për drejtuesin e RTSH. Në një garë njëri fiton e kjo mua nuk më shqetëson, por ajo që më bën të shprehem është deklarata e turpshme e një ish gazetari apo ish ushtaraku, sot deputet, se zgjedhja u bë me konsensus! Sa fjalë magjike për këtu tek ne por aspak e vertetë në rastin konkret! Ku ishte konsensusi? Për cilin konsensus flet përgjegjësi për fituesin e kësaj gare ? Konsensusin e votimeve të para , ku konsensusi i opozitës ishte për personin tim edhe pse nuk isha kandidaturë e tyre? Apo për teatrin e fundit, kur pasi u gjet dhe një regjisor e vutë në skenë me shume sukses?!
Sa për konsensus zotëri mos e përmënd! Se ti mungesën e konsensusit përdore për ndryshimin e ligjit. Të paktën në fund kur e realizoni qëllimin me çdo mënyrë e mjet, e nëse ju ka mbetur pak ndershmëri, mos dezinformoni e shijoni suksesin e kesaj shfaqjeje!
Unë nisa prej një viti një garë të ndershme brenda vehtes time, e në mes të saj m’u shfaqën mullinjtë e erës si në veprën e Servantesit me të cilët u përballa deri ditën e fundit! Ishte vendosur me kohë se çfarë do të bënin me RTSH! Por une, një burrë malësor nga babai dhe lab nga nëna, nuk mund ta lija këtë garë në mes!Ndaj do pranoja më mirë të isha një humbës me nder sesa një frikacak që kthehet nga rruga!
Por ju s’doni ta lini tjetrin të jetë as humbës i ndershem! Ndaj ju them ta harroni fjalën konsensus! Vetëm konsensus nuk kishte!
Njerëzit ju gjykojnë e nuk harrojnë!
Gjithçka shpreha e ndjeva detyrë ndaj vehtes, miqve, kolegëve e gjithë të tjerëve të cilët më kanë mbështetur gjatë kësaj kohe! Ky është vendi ku jetojmë dhe duam apo sduam ta pranojmë, ky është realiteti. Por jo gjithçka e harrojmë, dhe jo gjithçka e kalojmë lehtë, ndaj dhe zhgënjimi dhe turpi që pashë gjatë kësaj farse do të reflektojë në të ardhmen time të të menduarit e vepruarit!