Arti është emergjencë ka thënë artisti shqiptar nga Kosova në Luiziana. Ai njihet për mënyrën e tij të fuqishme me të cilën trajton realitetin politik e social.
Në një media në SHBA ai ka folur për instalacionet e veçanta të cilat kthejnë vëmendjen nga emigrantët e bregut të Lampeduzës. Instalacionet e tij përfshijnë objekte të gjetura që iu përkisnin emigrantëve të mbytur.
“Ai këtu diskuton për një prej instalacioneve të tija prekëse, i cili përbëhet nga sendet e emigrantëve të mbytur që u gjenden në brigjet e Lampeduzës”- shkruan “Louisiana Channel”.
Sislej Xhafa ka lindur në Kosovë në vitin 1970. Ai është një artist tashmë i mirënjohur i artit bashkëkohor me bazë në Brooklyn, New York. Xhafa është i njohur sidomos për punën e tij investigative në realitetet sociale, ekonomike dhe politike, të cilat lidhen ngushtësisht me zhvillimet e shoqërisë moderne. Ai i ka eksploruar këto hapësira përgjatë disa viteve duke vështruar sidomos në fenomene të prekshme të shoqërisë, me një “gjuhë” minimaliste dhe ironike, me skulptura, vizatime dhe performanca fotografike.
“Realiteti është më i fortë se arti. Si artist, unë nuk duhet të reflektoj një realitet ashtu siç shfaqet, por duhet ta vë atë në pikëpyetje. Edukimi im social nuk përqafon veprimet lineare dhe racionale. Unë mbështes një botë dhe një jetë që përbëhet më shumë prej instinkteve primordiale”. Kështu është shprehur artisti Sislej Xhafa, në intervistën e Gilane Tawadros në vitin 2009.
Në qendër të punëve artistike të Sislej Xhafës është sidomos rezultati social i teorive ekonomike dhe gjithashtu ai konceptual prej marrëdhënieve komplekse mes individëve. Ai vë në pikëpyetje statusin e ligjshëm të vendit të tij të origjinës, duke u prezantuar si klandestin në pavijonin e Bienales së Venecias, apo kur vihet në vendin e një brokeri që nuk shet dhe blen aksione, por e bën këtë me të ardhurit dhe ata që udhëtojnë në një tren.