Zbulohet ditari sekret i Enver Hoxhës: Kadare, një poet korbash dhe borgjez

Nga: DASHNOR KALOÇI*
Shënimet e Enverit në ditarin e tij personal të datës 20 tetor 1975, ku ai ka shpërthyer tejet i egërsuar ndaj Ramizit, që kishte pëlqyer poezinë e Kadaresë dhe fjalori banal plot sharje e akuza nga më të rëndat ndaj autorit për të cilin shprehet: “Është e qartë, Kadare është kundërrevolucionar dhe me atë poezi denigruese e sabotuese, maskon punën armiqësore…”! Si dhe letra e Mehmet Shehut ku i lutet Enverit që ta falë shkrimtarin, duke i kujtuar se ai nga origjina familjare, nuk është armik…!
Publikimi i ditarit të Enver Hoxhës për “Pashallarët e kuq”, në një farë mënyrë e mbyll deri diku “qarkun” e atij debati të hapur plot 14 vite më parë, por edhe mund ta rihapë përsëri atë…! Pas kësaj paranteze të gjatë që bëmë për të sjellë në kohë, apo më saktë për të lidhur publikimin e poezisë për herë të parë në vitin 2002 me ditarin e Enver Hoxhës që po publikojmë tani, kthehemi te dokumenti në fjalë. Kështu, në shënimet e tij të datës 20 tetor të vitit 1975, udhëheqësi komunist ka shkruar plot 11 faqe të ditarit, lidhur me poezinë “Në mesditë Byroja politike u mblodh”, të shkrimtarit të njohur Ismail Kadare, poezi të cilën del se atij ia ka dhënë Ramiz Alia, për t’i marrë aprovimin për botimin e saj. Kjo pjesë e ditarit është e shtypur me makinë shkrimi dhe në mjaft vende aty ka shënime me laps, të cilat janë bërë për të rregulluar apo korrigjuar disa nga falët apo fjalitë e shkruara në ato faqe ditari. Nga shkrimi duket qartë se ai nuk është korrigjuar nga vetë Enveri, por ndoshta nga shefi i kabinetit të tij, (Haxhi Kroj), apo ndoshta dhe nga Nexhmija. Me shumë gjasa mendojmë se korrigjimi është bërë nga kjo e dyta, pasi shënimet me laps aty nuk janë thjesht gramatikore, por edhe te përmbajtja e tij…!
DITARI I ENVERIT
“Jo. Tepër sekret të 11 faqet, prandaj mendoj të mbetet pabotuar”.
…Këto më tha Ramizi për vjershën e Ismail Kadaresë.
E mora vjershën dhe i them, “Ulu ta lexoj”.
Titulli i poezisë ishte: “Në mesditë Byroja Politike u mblodh”. Me të mbaruar 4 strofat e para, që i ka përmbledhur në pjesën Nr.1 të vjershës, i them Ramizit: “Si është e mirë kjo vjershë? Kjo është në kundërshtim me vijën e Partisë!
“Atëherë pse u mblodh Byroja Politike?” pyet Ismail Kadareja dhe vetë jep përgjigjen në pjesën Nr. 2 të vjershës. E tërë kjo pjesë shpreh pa dorashka ide antirevolucionare, antimarksiste, antiparti dhe flet hapur kundër rendit socialist në vendin tonë. Sipas tij, regjimi te ne është duke “shkuar në varr”, “është prishur nga themelet” dhe nxjerr “një ligj” se “shtetet nuk prishen nga çatitë, por nga baza”. Pra sipas tij, çatia, “Byroja Politike” është e “shëndoshë”, kurse në bazë “rritet tumori i zi”. E tëra kjo është teori revizioniste, denigruese, sabotuese dhe antisocialiste.
Më poshtë, ky poet borgjez atakon gjithë ndërtimin e socializmit në vendin tonë, gjithë direktivat e Partisë, gjithë politikën e strukturës dhe të super-strukturës dhe e quan një blof të madh, që bëhet me qëllim për të mbuluar “kalbëzimin dhe burokracinë”. Me keqardhje ky poet korbash thotë se “Topa, himne e valle ka kundër armiqve”, por “kundër burokracisë s’ka konsuj”. Me fjalë të tjera, s’ka parti që të luftojë burokracinë dhe Partinë tonë marksiste-leniniste e quan “konsuj” ose “prokonsuj” si në Republikën e Romës antike, që u rrënua. Kështu do të rrënohet për Ismail Kadarenë edhe socializmi tek ne dhe këtë predikim e bën në vargjet e pjesës Nr.3. Për këtë poet reaksionar rendi ynë socialist është një rend burokratik dhe burokratët i kanë “duart të lyera deri në bërryl me gjak”, “rrëmojnë themelet, lajnë gjakun e dëshmorëve etj., etj”. Të gjithë këta përbindësha të veshur “si pashallarë të kuq me dekorata etj.” kanë zyrat, ministritë, Komitetin Qendror dhe “çojnë trupin e revolucionit në varr” (vargjet e pjesës Nr.4).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *