Michelangelo Pistoleto, përfaqësuesi i “Artit të varfër” vjen në Shkodër

“Venus of the Rags” është një prej veprave që bie më shumë në sy në kërkimet për artistin Italian Michelangelo Pistoletto. E realizuar në vitin 1967, ajo paraqet Venusin, perendeshën romake të dashurisë dhe bukurisë me shpinë nga publiku, para një grumbulli të madh leckash, rrobash me ngjyra, të hedhura në dysheme.

Fatmira Nikolli

Pistoletto e përdor Venusin në punën e tij si një motiv përmes të cilit thërret të shkuarën kulturore të Italisë në një mënyrë ironike duke e vënë para një grumbulli rreckash. “Duke kombinuar statujat klasike me rrobat e hedhura, artisti shpall një sërë kundërshtish: e fortë/e butë; e formuar/e paformuar; njëngjyrëshe/ disangjyrëshe; e çmuar/e shpërfillur; historike/bashkëkohore; unike/e përbashkët”, thuhet në sajtin e ‘Tate Modern’ krahas veprës, duke vijuar se “në ‘mjerimin’ e vet rreckat tregojnë gatishmëri për t’u vendosur në çdo aspekt të jetës në art”. Po aty, vihet në dukje se kjo ishte një karakteristikw e “Arte Povera”, një lëvizje (arti) në Italinë e viteve 1967-1972, lëvizje në të cilën Pistoletto qe një ndër figurat kyçe.
“(për mua)… të gjitha format, materialet, idetë dhe mjetet janë në dispozicion dhe mund të përdoren”, shprehej vetë artisti, që shumë prej punëve të tij i ndërtohte duke përdorur materiale konsumi ose të ricikluara dhe kjo bëhej për të çliruar artin nga ana materiale, çka e bëri atë përfaqësues të këtij arti.
Michelangelo Pistolleto do të jetë në “Art House” në Shkodër, të dielën më 15 maj. Është hera e parë që Pistoletto, një nga artistët më të mëdhenj të gjallë italianë vjen në Shqipëri. Vizita e tij vjen si bashkëpunim mes “Art House” Shkodër, Ministrisë së Kulturës dhe Institutit Italian të Kulturës në Tiranë. Veprat Pistolettos gjenden në muzetë më të mëdhenj të artit modern e bashkëkohor, ndërsa ka marrë pjesë në nëntë edicione të Bienale së Venecias. Në vitin 2013, ai ishte në Louvre e po në të njëjtin vit, së bashku me A. Elkann artisti ka publikuar tekstin autobiografik “Zëri Pistoletto-s”, ku prezantohet jeta e tij dhe rruga e krijimtarisë. Mes shumë shpërblimeve e vlerësimeve, veçohen: “Luani i Artë” për karrierën në Bienalen e Venecias (2003); Çmimi i Fondacioni Wolf në Arte (2007); “Praemium Imperiale” nga Shoqata e Artit Japoni (2013).
Lindur më 1933 në Itali, ai është piktor dhe skulptor, si edhe një prej artistëve më të rëndëishëm në shtetit fqinj. Pas disa përvojash në fushën e restaurimit dhe të reklamave, në fillim të viteve gjashtëdhjetë ai do të bëhej shpejt një nga artistët më të njohur të brezit të tij.
Veçse për “Arte Povera”, Pistoletto njihet edhe për pikturat e tij mbi pasqyra, të cilat kanë përmasa njerëzore. Duke përdorur pasqyrat si material bazë, ai pikturon mbi to figura ose printon imazhe fotografike. Pikturat e para mbi pasyrë i takojnë fillimviteve 1960 dhe janë autoportrete, objekte të jetës së përditshme ose pamje të vizitorëve.

Në vitin 1998 ai themeloi në Biella një qendër multikulturore të quajtur “Cittadellarte-Fondazione Pistoletto”, me qëllim që të frymëzojë e të nxisë ndryshime të përgjegjshme në shoqëri përmes ideve dhe projekteve krijuese. Qyteti bëhet kështu një pikë takimi për ekspozita, konferenca, takime dhe debate. Në vitin 2015 ai organizoi në plazhin e Galipolit një performancë të madhe me qindra të rinj që e kanë projektuar me trupat e tyre simbolin e “Parajsës tretë”: një rikonfigurim të shenjës matematikore të pafundësisë.
“Arte Povera” i ka rrënjët në Italinë e pasluftës, por termi u vendos në fillim nga nga kritiku i artit italian Celant Germano në fund të 1967 për të bashkuar artistët revolucionarë në një lëvizje të vetme me një ideologji të përbashkët. Ideologjia e tyre shtrihej përtej bronzit apo mermerit. “Arte Povera” përkthyer si “art i varfër”, arrin të rishohë material “të varfra” si druri, hekuri, argjilja si edhe rrobat në art.

received_10154331168122044

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *