..një kafe tek ish-Flora

Nga Edvin Kukunja

 

mëngjesit ndërsa ti plluskon qepallash

qyteti shfaqet si një ajzberg

filxhanësh mbushur ciptazi me kafe

që gjerbiten vështrimesh picirrukësh

këmbëzbathur ndërtojnë ata qerpikësh

ty

sendet rradhë-rradhë

njerëzinë një nga një

dhe hipokrizisë tënde prej qënie të squllur

mposhtur plogështive të mendimit

i shpallin luftë

 

kjo është jeta që meriton

gjithçka ke është rastësi

gjithçka të mungon është vullnet i munguar

kjo është jeta jote

sikur të ish e tillë

 

besojnë mrekullish vetëm dashnorët

dashnorët

pijanecët

pijanecët dhe virgjëreshat

dhe picirrukët

ndërsa ti beson tek llogaria në bankë

tek fatura e dritave dhe e ujit

tek e drejta e votës dhe e drejta e privacisë

ndërkohë që me përpikmëri frikacaku

programon vdekjen tënde

 

sekondën

minutën

orën

ditën

javën

muajin

vitin

kur do të dalësh

do të braktisësh skenën

me një buqetë të djelash

e ditësh të bardha të qëmtuara prej kalendarit

me drojen e një harabeli

 

mëngjesit qyteti shfaqet

filxhanesh ciptazi me kafe

dallgësh që ti shkakton lugësh

ndërsa përzien lëngun e errët

si të ishin mendimet e tua

 

ndërkohë që plluskon qepallash

krahëvela të vështrimit tënd

që prej vitesh nuk e hedh më drejt qiellit

si të ishte mendimi yt

i vetmi horizont për ty.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *